Kanë rrjedhur thuajse një dyzinë me vite, që kur më lindi idea për të hapur një blog dhe të hidhja ato ç’ka shkruaja herë herë. E hapa se ishte “cool”? Për tu ndjerë se isha edhe unë? Për të mos dërguar më me e-mail pjesët e shkrimeve që më dukeshin me vlerë miqve më të ngushtë? Për të mbetur edhe pas vdekjes në këtë gjithësi të rreme (univers virtual) të krijuar prej njeriut? Për të folur me vete trotuareve të një qyteti ku nuk njihja njeri?
Ndoshta nga të gjitha sëbashku.
Mendoja se një ditë do e lija në mes, si shumë gjëra të
tjera që më kishin dalë nga qejfi pas një pasioni të vrullshëm. (“Ti je si flaka e kashtës”- më theshte
im atë, që më njihte mirë.) Çuditërisht nuk ndodhi kështu, edhe pse ka pasur
periudha jo të shkurtra, kur nuk kam hedhur asnjë rrjesht në blog. “E pëlqej ditarin tënd”- më thoshte dikur një mik, që nuk më njihte aq sa të dinte se unë i urrej ditaret.
“Kuendemi” është një “mishmash” me shënime, opinione,
krijime, polemika, kujtime, si është edhe interesi im për botën dhe shoqërinë.
Kam kureshtje, por nuk kam durim të hulumtoj gjatë dhe “kërcej” në përfundime,
të cilat kur i hedh në tastierë i gjykoj si të “vërteta të pakundërshtueshme”.
Në të njëjtën kohë e di që nuk ka të vërteta të tilla, por janë të vërtetat
sipas mendjes sime. Ka njerëz që tek to gjejnë të vërtetat e tyre, ka lexues me
mendime të kundërta, ka edhe nga ata që thonë “na çukulliti shumë edhe ky, se do të tregojë se i di të tëra!” Kam
arritur tani në një moshë, kur nuk më entusiazmojnë të parët, nuk më shqetësojnë
të dytët dhe të tretëve mund t’ju them me të qeshur “Edhe ju kini të drejtë!”
Unë shkruaj sepse
ekzistoj.
Në të njëjtën kohë nuk kam pranë miqtë me të cilët diskutoja
shpesh, bashkëbiseduesit me të cilët polemizoja dhe as shokët e tavolinave me të
cilët këmbenim meselera të vjetra e të reja. Hedhja në tastierën e kompjuterit
e atyre që mendoj është edhe një “saktësim” dhe “ballafaqim” vetiak i mendimeve.
Zhvillohet shpesh në një trysni pyetjesh “Pse?”,
“Si?”, “Qëndron kjo?”, “Vërtet?” e të tjera të ngjashme. Ky lloj vetëkontrolli
(jo vetëçensurë) është më i mirë se vetëkontrolli gjatë shprehjes së mendimeve
në biseda sepse “verba volant scripta
manent”, pas një kohe të gjatë kalon nga vetëdija në nënvetdije. Në një farë
mënyre arrij të kem pa dashje një subjektivizëm më të kontrolluar.
Dhe kështu, pa kuptuar se “ku endem”, vazhdoj të ftoj edhe të
tjerë në këtë udhëtim pa krye mes pyetjeve që më mundojnë dhe duke u përpjekur
përkohësisht t’ju jap një përgjigje, që ndoshta cilindo, përfshirë edhe mua e bën
edhe më të turbullt.
No comments:
Post a Comment