Kjo është një shprehje e vjetër korçare, që ndoshta përdoret rrallë e më rrallë tani, që Tokës i referohemi më shumë si Globi dhe Perëndimin nuk e quajmë më Frëngu. Kuptimi i saj është pak a shumë “mbi tokë ka budallenj dhe të pacipë me okë”.
Kështu ka qënë dhe kështu do jetë edhe kur korja e tokës të
jetë forcuar akoma më shumë. Do jetë edhe më e trashë.
Kjo më shkon në mendje, kur dëgjoj plot njerëz që janë të
bindur se toka është e sheshtë.
Po ti ku e di që nuk është
e sheshtë? Ke prova për këtë? - mund
të më pyesë dhe të më zerë gafil çdo përkrahës i të sheshtës. Unë vërtet nuk
kam prova dhe mbase nuk kam për të pasur ndonjëherë, sepse nuk do arrij të
flururoj në kozmos. Dhe po ashtu nuk kam prova se dy drejtëza paralele nuk
priten kurrë, se organ i të menduarit është truri, se origjina e njeriut është
tek speciet e tjera nga të cilat më i afërt është majmuni dhe se rënia ndodh se
perpendikularja e hequr nga qendra e gravitetiti del jashtë bazës së mbështetjes.
Dhe këtu “të sheshtët” mund të më kapin edhe më keq sepse unë nuk kam prova se
ekzistojnë drejtëzat, perpendikularja, qendra e rëndesës apo të menduarit.
Majmunë kam parë e kam fotografuar. Të parat i kam mësuar në shkollë si çdo
nxënës I detyruar në shkollimin e
detyruar, gjë që edhe mund të jetë pjesë e një konspiracioni stërmadh të nisur
nga “Vëllazëria e gjarpërit” a ndoshta nga të tjerë para tyre. E kështu do më duhet të ve në dyshim miliona koncepte
konkrete dhe abstrakte, që përbëjnë njohuritë bazë të çdo njeriu të thjeshtë.
Me rritjen e lirisë së informacionit dhe sidomos me shtimin
e rrjeteve sociale të medias, teoritë konspirative, ato anti-shkencë, si dhe
bestytnitë kanë gjetur një gjallërim të jashtëzakonshëm. Jo se nuk kanë
ekzistuar në shekuj, por se kanë qënë më të ndrydhura për shkak të ekzistencës
së diktaturave, monarkive absolute, autoritetit të pakufizuar të kishës dhe
censurës që kishin në dorë këto forca autoritare. Kisha dënonte me ashpërsi
sharlatanët, përhapësit e bestytnive, profetët e rremë dhe shpesh edhe shkencëtarët
e vërtetë. Dhe censurat e egra të të gjithë kohërave kanë bërë që njerëzit të
kenë më pak besim në njohuritë, që kontrollohen nga institucionet dhe në kohën
e lirisë të rreken të besojnë edhe marrëzi nga më të mëdhatë. Justifikimi
shpesh është se qeveritë, liberale apo konservatore, për interesa të mëdha
materiale, duke qënë të kontrolluara nga një grup I fuqishëm ndërkombëtar(disa
herë quhet edh e ndërplanetar) i fshehtë, manipulojnë të vërtetat.
Por le t’i lemë qeveritë “në të zezat” e tyre, se nuk janë
pa mëkate dhe të flasim për përgjegjësitë që kanë mediat kombëtare në përhapjen
e teorive konspirative. Ose le të themi troç “të pacipët” e mediave. Në shumë
kanale kryesore televizive shqiptare, ju lihet vend edhe në oraret më të
shikuara teorive të konspiracionit. Nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar
europian apo të Amerikës së Veriut. Të gjithë e dinë dëmin e madh që shkakton në
mendjet e fëmijëve(por jo vetëm të tyre) përhapja e teorive marroke të
konspiracionit. Me miliona njerëz nuk do vaksinohen në botë vitin që vjen, që
do sjellë mijra vdekje të tjera dhe moszhdukjen e plotë të epidemisë Covid-19.
Edhe sulmet më të mëdha terroriste të dhjetvjeçarëve të fundit nuk kanë të
krahasuar me dëmin që vjen nga paturpshmëria dhe etja për fitime e mediave.
Televizionet shqiptare mund të justifikohen me gjoja “lirinë
e fjalës”, apo me “debatin e të gjithë teorive”, por edhe vetë dhe të tjerët e
dinë se e bëjnë vetëm e vetëm për të rritur shikueshmërinë e emisioneve të tyre
të dështuara, duke ju shtuar edhe idiotllëqet e dëmshme. Të luash me jetët e
njerëzve( apo edhe thjesht me mendjet e të paformuarve) nuk është aspak për të
qeshur, edhe sikur t’i vesh në lojë propaganduesit e teorive konspirative. Ju
jep atyre një platformë, që ndiqet nga qindramijra e deri tek miliona njerëz.
Kjo botë dhe sidomos mëmëdhenjtë e popujve në zhvillim kanë
nevojë për arsimim të mirë dhe shkencor dhe jo vetëm brenda sistemit arsimor(
që për shkak të mungesave në buxhet ka probleme të mëdha), por në të gjithë
sektorët e informimit.
Si mund t’i përgjigjet një njeri i thjeshtë, të birit 15 vjeçar,
që i thotë se “nuk vaksionohem se do më futin çip në trup që të më kontrollojnë
tërë jetën dhe është e sigurt se e thanë në tv!”? I jati është i zhgënjyer nga
qeveria, nuk di edhe se ç’është tamam tamam vaksina, aq më pak di se ç’është
çipi, ka edhe një lloj mllefi për miliardat e Bill Gates.
“Në djall të vejë edhe vaksina!”do i përgjigjet në shumicën
e rasteve. “Këta gjoja shkencëtarët na kanë gënjyer edhe për Dheun që është si
top futbolli!”
No comments:
Post a Comment