Askush nuk mund të ketë imagjinatë për të krijuar një Shqipëri hipotetike të pas Luftës së Dytë Botërore të ndryshme nga ajo që ekzistoi. Edhe polito-sociologët më të shquar nuk mund të krijojnë qoftë në vija të trasha një skenar të mundshëm ngjarjesh kryesore. Edhe nëse do përdoren metodat krahasimore të historisë të fqinjëve, të Italisë e ndonjë vendi tjetër të ngjashëm.
Popujt ndryshojnë nga njeri tjetri, rrethanat dhe interesat janë
shpesh krejt të ndryshme dhe për më tepër nuk ka ligjësi të kristalta për ecjen
historike të një vendi. Ndodh që jo vetëm individët e shquar, por edhe më të rëndomtit
luajnë role që sjellin ndryshime të papritura të ngjarjeve.
Të supozojmë për një çast se do ishte vendosur një lloj
demokracie e barazlarguar(ose më mirë e barazndikuar) nga Anglo-amerikanët dhe Jugosllavo-Sovjetët.
C’do kishte ndodhur në Shqipëri? Luftë civile dhe ndërhyrje nga të dy palët?
Forcim i krahut perëndimor dhe një lloj demokracie jo fort e qëndrueshme si ajo
italiane? Vendosje e një diktature të djathtë si ajo e kolonelëve grekë?
Rikthimi qoftë simbolik i Mbretërisë dhe bashkëqeverisje me një të Majtë
vazhdimisht në pushtet?
Sa më shumë supozime të bësh, aq më absurd të duken për arsyen
e thjeshtë, se ndodhi ajo që ndodhi dhe që nuk mund të ndryshohet më. Një grup karrieristësh dhe oportunistësh së
bashku me shumë idealistë, udhëhoqën një masë jo të vogël njerëzish në një luftë
ndaj Fuqive të Boshtit në krah të Aleatëve dhe morën një pushtet vakant. Më
pas e gjitha ishte një lloj “seleksioni natyral”.
E bëra këtë hyrje për të hyrë në një temë pak më të gjërë,
se si luftohet brenda një shoqërie për të zënë vende në klasa më të larta, ose
po të bëjmë një krahasim nga fizika, për të shkuar në orbita sa më pranë bërthamës.
Të ashtuquajturit komunistë shqiptarë pretendonin se kishin
shkatërruar klasat e pasura dhe po ndërtonin një shoqëri pa klasa. Të parën vërtet
e kishin bërë, por me marrjen e pushtetit, edhe nëse nuk i përkisnin klasës së
pasur, ata vetë ishin klasa e pushtetshme. Të gjithë të tjerët, nga antarët e
thjeshtë të partisë e deri në njerzit që nuk kishin asnjë dashuri për
komunizmin dhe klikën sunduese përbënin “popullin-raja”. E fundit, e
terrorizuara ishte “klasa e të deklasuarve”, që në numur mbase ishte më e vogël
se “klasa-raja”, por që përfshinte një masë jo të vogël shqiptarësh.
Duhet pranuar, që klika udhëheqëse e Shqipërisë nuk kishte
se si të kishte të qartë se cila do ishte e ardhmja e vendit. Edhe më optimistët
prej tyre (nga ata që arrinin të kuptonin se ç’bëhej në botë)e dinin se çdo gjë
do varej nga fati i Bashkimit Sovjetik dhe nga përhapja e modelit të sovjetëve
në botë. Fuqia ekonomike dhe ushtarake e vendeve kapitaliste dihej që ishte
shumë më superiore, po ashtu edhe niveli i jetësës. Ndaj nëse gara e Luftës së
Ftohtë mund të fitohej nga Kampi Socialist, kjo mund të ndodhte vetëm nëse
partitë e ekstremit të majtë fitonin zgjedhjet në vendet perëndimore, gjë që
kishte pak të ngjarë, sidomos gjatë jetës së brezit të përfaqësuesve kryesorë të
klikës “Biroiste”.
Ndaj për ta domosdoshmëri ishte mbajtja e frenave të
pushtetit në dorë dhe konsolidimi në “klasën sunduese” të pasardhësve të tyre.
Kjo ishte arsyeja, që arsimimi i fëmijëve të udhëheqjes dhe të bashkëpuntorëve
të tyre të një niveli më poshtë, ishte përparësi kryesore. “Klasa sunduese” që
do merrte “stafetën e revolucionit” duhet të ishte e shkolluar mirë dhe mundësisht
në universitete të huaja.
No comments:
Post a Comment