(vijim)
Në zemrën e Diktaturës, në Tiranë, përpjekjet e njerëzve normalë ishin të ruanin “statusin e kryeqytetsit” dhe kjo reflektohej në zgjedhjet e profesioneve që kërkonin diplomim universitar. Psh profesionet e mësuesisë, agronomisë, bile në nj farë mase edhe të mjekësisë, nuk ishin ndër të preferuarit, sepse shumë lehtë mund të përfundoje me punë jo vetëm në fshatrat e Tiranës, por edhe në fshatrat më të largëta “të rretheve”. Nuk ishte një jetë e lehtë për tiranasit, që përfundonin larg familjes dhe larg kryeqytetit. Jo rrallë, meshkujt binin pas alkolit, pasi jeta në qytezat e vogla apo në fshatra ishte krejt e ndryshme nga ajo e kryeqytetit. Ndaj më të lakmuarat ishin inxhinieritë, ekonomiku, juridiku dhe artet. Diplomimi në ato fakultete në një farë mënyre garantonte jetën në kryeqytet, ose në rastin më të keq një emërim në një qytet 3-4 orë me tren larg. Ishte kjo arsyeja, që shumica dërmuese e fëmijëve të “Bllokut” dhe ata të funksionarëve të nivelit të dytë shkonin në to. (Përjashtim bënte pak nga rregulli i përgjithshëm, Fakulteti Juridik, për shkak të vështirësive që sillte puna në organet e Diktaturës, por edhe rreziku i emërimit në rrethe. Ndaj vetëm “bllokistët” që nuk “qullosnin” dot në degët e tjera bëheshin juristë.)
Kështu Hoxha i diplomoi të tre fëmijët për inxhinieri, Shehu
një inxhinier, një fizikan, të tretin për letërsi, Toska inxhinierë, Kapoja po ashtu, Aliaj
inxhinieri dhe arte, Myftiu inxhinieri, Hazbiu inxhinieri e sport, Carcani në
inxhinieri e kështu me rradhë. Shkatërrimi, që i kishin bërë vetë sistemit të
Drejtësisë, bënte që ndryshe nga ç’është normale në të gjithë vendet e botës,
ku fëmijët e kastës drejtuese shpesh studiojnë juridik për të pasur një karrierë
politike, të ngjashme me atë të traditës familjare, me gisht numuroheshin
“bllokistët” që shkonin të studionin ligjet. Zaten të gjithë e dinin që ligjet
nuk kishin shumë vlerë në Shqipëri ku gjithshka bëhej sipas urdhrave arbitrare
nga lart. Prej vitit 1967 ishte ndaluar edhe profesioni i avokatit, një marrëzi
që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, në asnjë kohë.
Por a bie kjo në kundërshtim
me idenë se “Biroistët” kërkonin të kalonin pushtetin e tyre absolut në duart e
fëmijëve?
Jo. Për sa kohë të mos kishte ndryshime në botë, “bllokistët”
e rinj mund të kishin poste të larta në politikë pavarësisht nga profesionet e
tyre teknike. Njohja e ligjeve apo e “teorisë marksiste- leniniste” nuk kishte
pse të mësohej prej tyre në universitete. Filozofë dhe teoricienë ideologjikë
as kishte pasur dhe as kishte nevojë të kishte Diktatura
nacionalisto-socialisto-anadollake shqiptare. Edhe të bërit politikë ishte shumë
i thjeshtëzuar se nuk kishte nevojë as për fushata dhe as për fjalime
emocionuese që t’i drejtoheshin popullit. Një herë në katër vjet, kur bëheshin
Kongreset, fjalimet pregatiteshin lehtësisht nga kalemxhinjtë e panumurt, që
mjaft të kopjonin dhe të ndryshonin nga pak fjalimet e mbajtura më parë. Për
makinacionet, luftën mes llojit, tarafet nuk kishte nevojë as të mësoje në
universitet dhe as të lexoje Makiavelin. Mësoheshin gjatë viteve të punës dhe përvojës
në “Bllok”, i cili nuk ishte aq monolit sa na dukej nga jashtë, ne vdekëtarëve
të thjeshtë. Brenda tij, si në çdo “oborr mbretëror” luheshin intriga dhe
gëlonin thashethemet.
Për një periudhë 10-15 vjeçare, hyrja në Bllok ishte ëndërr
për shumë njerëz të nomenklaturës, por edhe më të thjeshtë. Veç martesave të
fëmijëve mes njëri tjetrit, në Bllok kishin hyrë edhe të rinj të tjerë, përgjithësisht
“të suksesshëm”, që ishin martuar me fëmijët e “bllokmenëve”. Nuk kishte si të
qe ndryshe. Jeta atje të sillte shumë privilegje, nga më të rëndomtat e
kushteve të jetesës së përditshme, karrierë të sigurt, udhëtime jashtë shtetit,
mjekime në klinika të huaja, pushime në plazhe të veçanta, specializime në
universitete perëndimore dhe mbi të gjitha një të ardhme me statusin e “anëtar i
kastës sunduese”. Për të gjitha këto paguante shteti. Në një farë mënyre
familjet e Bllokut ishin “familje të pasura”, por pa llogari bankare të majme.
Kur ju duheshin mund të fusnin dorën në thesin e buxhetit të shtetit.
Në mesin e viteve ’70, “Blloku” u trondit nga goditjet e njëpasnjëshme
që ju bënë “grupeve armiqësore”dhe të gjitha familjet e të goditurve përfunduan
në internime të gjata, si dhe disa antarë të tyre në burgje. Shumë dhëndurë e
nuse, që kishin lidhje të tjera familjare me pushtetin u detyruan të
divorcoheshin, që veç dramave të tyre familjare, solli edhe një lloj stepjeje të
të rinjve e të rejave “jashtëbllokiste” për të hyrë në atë rreth të lavdit ,
por edhe të tmerrit. Hyrja në “kastën e të privilegjuarve” prej vitit 1974 u bë
një “lojë fati”, nga e cila mund të fitoje shumë, por dhe mund të humbje
gjithshka. Kjo përkon me kohën kur po ndërpriteshin ndihmat ekonomike nga Kina
dhe e ardhmja e “klasës sunduese” varej vetëm e vetëm nga jetëgjatësia e Luftës
së Ftohtë. Në atë kohë edhe Hoxha dhe bashkëpuntorët më të afërt duhet ta kenë
kuptuar, që Revolucioni Botëror nuk kishte për të ardhur kurrë. (Nëse vërtet
kishin besuar ndonjëherë në triumfin e tij.) Konsolidimi i fëmijëve dhe besnikëve
të tyre në pushtet dhe mundësisht edhe ndonjë “kursim” i depozituar në Zvicër
kanë qënë përparësitë e tyre në ato vite të errëta.
Ajo ishte edhe periudha e terrorit më të madh dhe njëkohësisht
e shtrëngimit në maksimum të të drejtave të studimit. Ndonëse kjo e dyta lidhej
më shumë me zbrazjen e arkës së shtetit, e bënte arsimimin e lartë privilegj
thuajse eskluziv të familjeve të lidhura me pushtetin. Sigurisht që kishte edhe
shumë të rinj nga “klasa-raja”, por “të deklasuarit” nuk kishin më asnjë mundësi
të studionin. Lufta e klasave si propagandohej nga vetë pushteti ishte në
kulmin e saj. Ndjenim keqardhje për bashkëmoshatarët, që ose i linin pasdore
mësimet se e dinin që nuk mund të shkonin më lart, ose edhe nëse kishin zellin
për të dalë me të gjitha dhjeta, e dinin që nuk do ju jepej kurrë “Medalja e
Artë“.
Makina burokratike e Partisë krijoji një sistem “të
sofistikuar” të kontrollit të atyre që do shkonin në universitet, që sipas tyre
do ishin “kuadrot e së ardhmes”. Kërkesa për të drejtë studimi duhet të përmbante
një formular të gjatë, ku midis të tjerave duhet të deklaroje origjinën shoqërore
tënde, origjinën shoqërore të prindërve, nëse kishe të afërm që jetonin jashtë
Shqiërisë, nëse kishe të dënuar për arsye politike ose ordinere, dhe se ç’lloj
qëndrimi kishin mbajtur paraardhësit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sa
qesharake aq edhe e frikshme tingëllonte për një 19 vjeçar të mbushte gjithë këto
kapituj të formularit, të cilat shpesh nuk i dinte. Një lajthitje nga origjina
e prindërve nga tregëtar i mesëm në tregëtar të madh të skualifikonte
automatikisht. Hajde të gjeje se kë quante Partia të mesëm e kë të madh. Formulari duhet
të shoqërohej me dëftesën e notave dhe një autobiografi dhe më pas do kalonte
për kontroll në lagje, për kontroll në drejtorinë e shkollës dhe deri sa të
përfundonte në Komitetin Ekzekutiv i shoqëruar edhe me vërtetime e komente nga
lagja, shkolla e ndoshta dhe nga Zyrat e Kuadrit të vendeve të punës së
prindërve. Prej shqyrtimit në Zyrat e Seksionit të Arsimit dhe vendosjes të
degës që do t’ju jepej më “fatlumëve”, listat shkonin për miratim në Komitetin
e Partisë, riktheheshin në Komitetin Ekzekutiv për tu marrë vendimi zyrtar dhe
prej aty përfundonin në Ministrinë e Arsimit, ku merrej edhe miratimi i fundit.
Më pas afishoheshin në publik, ku shuhej ankthi i shumë maturantëve dhe
shuheshin edhe ëndrrat e shumicës së tyre. Makina e “seleksionimit natyral”
kishte funksionuar. Kandidatët për kuadro të bindur të sistemit në të gjitha
fushat e jetës, për atë vit ishin miratuar. Të “kulluar” politikisht. Ata që do
merrnin stafetën e Revolucionit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment