(vijim)
Nga pikpamja njerëzore dhe pacifiste, mosangazhimi i
shqiptarëve në vitet e para të Luftës së Dytë, tingëllon si një shenjë e përparimit
dhe qytetërimit të tyre. Edhe pse s’ka gjasa të kemi qënë më të qytetëruar se
popujt e tjerë europianë, qetësia në Shqipërinë e pasluftës italo-greke ishte e
mirë për familjet shqiptare. Në krahasim me periudhën e Zogut, punët ishin
shtuar dhe njerëzit jetonin relativisht më mire se më parë. Kjo zgjati deri në
fillimet e vitit 1943.
“Zgjimi” kombëtar i shqiptarëve zuri fill pas direktivave të
Kominternit për rrjeshtim në krahun e Aleatëve, pas hyrjes në luftë të
Bashkimit Sovjetik në verën e vitit 1941. Deri atë kohë Internacionalja
Komuniste kishte mbajtur vijën e neutralitetit në luftën “mes fuqive kapitaliste”.
Në fund të 1941-shit u formua Partia Komuniste, si organizimi i parë politik
antifashist në Shqipëri. Komunistët e pakët dhe “injorantë“ shqiptarë kishin qënë
deri atë kohë pa ndonjë ndikim në jetën e vendit. Të tillë mbetën edhe deri në
fund të vitit 1942, kur patën organizuar Frontin nacional-çlirimtar dhe ranë në
sy të rregjimit të huaj, si një forcë që nuk mund të injorohej. Po ashtu ata tërhoqën
vëmendjen edhe të shtresave të tjera të popullsisë, që deri atë kohë “flinin”
dhe që bëri që në dhjetor të vitit 1942, të formohej Balli Kombëtar, si një
kundërpeshë politike e Frontit.
Komunistëve (si të gjithëve) ju duheshin para dhe luftëtarë
për të organizuar një lëvizje të armatosur kundër Italisë dhe Boshtit, në
krahun e Aleatëve. Nisën të mblidhnin nga tregëtarët ndihma në të holla për
përgatitjen e luftës dhe më shumë i kishin sytë nga anglezët. Sigurisht, që
prej këtyre të fundit nuk mund të merrnin asgjë pa dëshmuar se ishin të
organizuar dhe po vepronin kundër italianëve. Ndaj për këtë duheshin aksionet
luftarake. Dhe më të përgatiturit për luftë, sigurisht që ishin banditët
shqiptarë. Ndër të parët që pranuan të bëheshin bashkë me komunistët ishte
Myslim Peza, i cili në verën e 39-ës kishte ardhur nga Jugosllavia, ku kishin
qënë i strehuar politikisht, si i dënuar me vdekje nga gjykatat shqiptare për
krime të kryera. Duhet thënë se shumë shqiptarë të pasur ose jo, kriminelë ose
jo, patën qënë të strehuar politikisht në vendet fqinjë, ku edhe paguheshin
prej qeverive të atyre vendeve si kundërshtarë të Zogut. Pjesa më e madhe u
kthyen me hyrjen e Italisë dhe shumë u angazhuan në administratën kuislinge,
kurse të tjerë ose qëndruan neutralë, ose në varësi edhe të lidhjeve me të
huajt ndenjën të mënjanuar duke pritur se nga do shkonte lufta. Kishte edhe nga
ata që u internuan prej Italianëve, si kundërshtarë të mundshëm të regjimit.
Vëllezërit Peza (Myslimi dhe Shyqyriu) kishin vrarë për hasmëri
dhe për tu mbrojtur nga të tjerë vrasës, që në vitet ’20 dhe ishin dënuar në
mungesë nga gjykatat shqiptare. Një kthim i mundshëm i Zogut pas Luftës së Dytë
nuk ishte në dobi të tyre, sepse edhe në rast se do ju falej jeta, kishte shumë
mundësi që të përfundonin në burgje si armiq tradicionalë të Zogollit. Të tillë
ishin edhe pjestarë të tjerë të klanit Peza, si Kajo Karafili i lindur në
Pogradec dhe i arratisur në Jugosllavi pasi kishte vrarë një xhandar në vitin
1928, Mustafa Kaçaçi i lindur në Krujë dhe i dënuar me burgim të përjetshëm si
ndër organizatorët e Kryengritjes së Fierit dhe i arratisur në Jugosllavi pas
një vrasje tjetër në Gjirokastër më 1939, Myslym Keta etj. Veprimtari dhe
karakteristika të përafërta me ta kishin Haxhi Lleshi, Abaz Shehu, Mustafa
Xhani, Shefqet Peçi, Petrit Dume, Jaho Gjoliku, Dali Ndreu, Agush Gjergjevica, Idriz
Seitaj, Gjeli Argjiri, Asim Aliko, Teki Kolaneci, Hekuran Pobrati dhe dhjetra të
tjerë, një pjesë e të cilëve dhanë jetën gjatë luftës. (Shumë nga të sipërpërmendurit
nuk kishin asnjë lidhje me komunizmin si ideologji dhe nëse gjatë dhe pas luftës
emrat e tyre lidhen me krime të rënda, kjo ka të bëjë kryesisht me psikologjinë
e tyre prej kriminelësh.)
Edhe pse më të shkolluar, shumë nga udhëheqësit e çetave të
Ballit Kombëtar, ishin individë me të kaluar kriminale, duke nisur me Aziz
Camin, Hysni Lepenicën, Myzafer Shehun, Ismail Golemin, Xhelal Staraveckën, Kadri Cakranin etj.
Për më tepër, ndoshta për mungesë luftëtarësh, në ndryshim nga Fronti(që kërkonte
disiplinë morale të luftëtarëve), Balli Kombëtar la të lirë pjestarët e
armatosur të çetave të tij të kryenin krime nga më të rëndat mbi popullsinë
civile duke nisur me plaçkitje e duke vazhduar me përdhunime, tortura dhe
vrasje. Krimet e shkurtit 1944 në disa nga qytetet shqiptare, të kryera nga
ballistët kosovarë, (të ashtuquajturat më vonë bandat e Xhafer Devës) ishin
disa nga krimet e shumta të kryera nga ballistët ndaj familjeve të lidhura me
Frontin, por edhe ndaj atyre të papërzjera në luftë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment