Tuesday 15 December 2020

Ballkani, Covid-19 dhe vaksina


Në pranverën e ngarkuar me epideminë e e re, që po bënte “kërdinë“ në vendet e zhvilluara europiane dhe në SHBA, shifrat e Ballkanit ishin shumë shpresëdhënëse. Gëzoheshim dhe hamendësonim se diçka duhet të kishte lidhje me imunitetin më të lartë të ballkanasve, ndoshta edhe me programet e detyruara të vaksinimit të trashëguara nga periudhat komuniste. Duke ditur, që shërbimet spitalore nuk kishte si të ishin më të mira se në Itali, Francë apo Spanjë, në atë kohë të mosnjohjes së plotë edhe nga ana e shkencëtarve të arsyeve pse virusi shkaktonte më shumë viktima në ato vende se në vendet mesdhetare të Ballkanit, me klimë të ngjashme, s’të mbetej tjetër veç të thoje “Shyqyr!”

Po “Shyqyri” dhe Shyqyrinjtë, për fat të keq nuk zgjatën gjithë kohën. Vala e dytë e Covid-19 tregoi se epidemitë nuk mund të luftohen dot me lutje dhe me sytë nga qielli apo nga Bashkimi Europian. Shifrat e humbjeve njerëzore në raport me popullsinë tani kanë arritur në nivele tronditëse. Maqedonia, Bosnja, Sllovenia dhe Mal i Zi janë ndër 10 vendet e para në botë për vdekjet nga Covid në raport me popullsinë. Lajmet nga Shqipëria janë edhe më të tmerrshme sepse kanë të bëjnë me Atdheun dhe njerëz të cilët i njeh.

Po a duhen bërë me faj qeveritë e vendeve ballkanike për viktimat e Virusit vrastar, kur vendet e pasura e të zhvilluara, u gjunjëzuan ndaj tij këtë vit?

Dëshmitë rreth gjendjes së spitaleve në Ballkan janë ato që i bëjnë përgjegjëse këto qeveri si dhe parardhëset e tyre. Korrupsioni marramendës, pangopësia e politikanëve dhe administratorëve kanë sjellë që në spitalet shtetërore të Ballkanit të mungojnë edhe paisje nga më elementaret. Paisje të thjeshta dhe jo të shtrenjta që mund të shpëtojnë jetë njerëzish. Duke përmendur vetëm shembuj nga Shqipëria, drejt Italisë dhe Turqisë kanë shkuar miliona euro për kurimin e pacientëve shqiptarë nga Covid. Vërtet këto kanë qënë kursime të vetë pacientëve dhe familjeve të tyre, por nëse spitalet shqiptare do ishin të pajisura, këto qindra miliona të “pasurisë kombëtare” nuk kishin pse të shkonin në vende të tjera. Do kishin mbetur dhe do ishin investuar në vendin tonë. E përmend për të thënë që jo vetëm nga pikpamja njerëzore, por edhe nga ajo ekonomike, lënia e sistemit shëndetsor në gjendje të mjeruar është krim ndaj Kombit.

Për më tepër, në Ballkan, më shumë se kudo në Europë, ekzistonte “tregu i zi” i testeve, i vitaminave, i të ashtuquajturave terapi shëruese ndaj Covid, deri edhe tek ai i maskave. “Krimbat e vdekjes” gëlonin duke përfituar nga halli i madh i njerëzve për të shpëtuar të afërmit dhe ofronin me çmime të çmendura medikamente të vlefshme dhe fallco. Qeveritë nuk vepronin kundër spekulatorëve sepse ishin vetë përgjegjëse për krijimin e mungesave. Për më tepër kishin harxhuar edhe qindra miliona euro sejcila për të blerë kura të paprovuara mirë, si ajo e Remdesivir, që kushtonte sa rroga vjetore e një punëtori ballkanas.

Tani ndërsa vijnë lajmet e mira për fillimin e vaksinimit, vendet e Ballkanit, që nuk janë ende pjesë e BE-së janë të fundit. Nuk kanë lidhur kontrata në kohë me firmat prodhuese, për shkak të mungesës së fondeve, neglizhimit ose kushedi se ç’djall arsye tjetër. Dy ditë para fillimit të vaksinimit në Angli, kryeministri Rama u nis për në Amerikë “për të mos lënë gur pa lëvizur, që të sigurojë vaksinat për popullin”. Dhe shumë njerëz të mjerë e besojnë edhe pse e dinë që gënjen. Njeriu përpara alternativës së vdekjes nuk do të humbasë shpresën. Edhe sikur të jetë e rremë.

Ndërkohë, të tjerë sharlatanë dhe njerëz të papërgjegjshëm propagandojnë kundër vaksinimit. Janë të njëjtit që në fillim të vitit përhapnin “ne e kemi kaluar në janar”, “nuk ka virus”, “është njëlloj si gripi”, “me raki dhe hudhra ja hedh virusit”, “ç’janë këto maska”. Tani trumbetojnë “komplotin e Bill Gates me Sorros”, “vaksinat me çip”, “asgjesimin e popullsisë“, “sterilizimin gjenital të të rinjve”.

Ndaj popujt e Ballkanit ndodhen të shtrënguar mes Shillës e Karibdës për mposhtjen e kësaj epidemie me anën e vaksinimit. Nga njëra anë qeveritë, të cilat nuk sigurojnë dot sasirat e duhura të vaksinës dhe nga ana tjetër konfuzioni se mos qeveritë(të cilat me të drejtë nuk i besojnë) po “ja u futin” keq kësaj rradhe. Duke i zhdukur me farë e me fis pa lënë dot pas as gene pasardhës.

Gjasat e këqija janë, që vendet tona të jenë të fundit në shfarrosjen e epidemisë. Dhe nuk është më çështje durimi apo klasifikimi. Me qindra njerëz që duhet të jetojnë do t’i humbasim se jemi të varfër, se besojmë marrëzitë, dhe se nuk jemi në gjendje të zgjedhim të mirët e të ndershmit për të na drejtuar.

No comments:

Post a Comment