(vijim)
Kristin Hannah është një shkrimtare amerikane e brezit tim,
që nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftë, e megjithatë ka një shprehje shumë të
goditur rreth saj: “…në dashuri ne
zbulojmë se cilët duam të jemi; në luftë gjejmë se cilët jemi në të vërtetë“.
Kjo ju ka ndodhur të gjithë luftëtarëve, të paktën në
luftrat në vendet e qytetëruara, gjatë 80 viteve të fundit. Pjesëmarrsit në to
kanë qënë të ndryshëm duke nisur me idealistët dhe oportunistët, duke vazhduar
me kriminelët dhe të përmbajturit, e duke përfunduar me tradhëtarët dhe
besnikët. Kuptohet që ka pasur edhe shumë kategori të ndërmjetme, ose që kanë
qënë njëkohësisht të themi edhe të përmbajtur edhe opportunistë e kështu me
rradhë. Në luftë shumë syresh kanë zbuluar edhe cilësi, të cilat nuk kanë ditur
se i kanë pasur. Veç një gjë është e sigurt, që ata të cilët kanë shkuar
vullnetarisht për të luftuar e kanë ditur se duhet të vrasin.
Mes luftëtarëve partizanë dhe atyre ballistë, si dhe atyre
italianë, grekë dhe gjermanë, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ka
pasur edhe idealistë, edhe pacifistë, edhe njerëz të drejtë. Një pjesë e tyre
ose janë mobilizuar me forcë, ose janë ndikuar nga propaganda dhe manipulimet,
që ju kanë bërë qeveritë e tyre ose grupet luftënxitëse. Procesi i “trushpëlarjes”
së masës së njerëzve, është një proces më i thjeshtë se sa mund të duket. Mjaftojnë
disa premtime për “hapësira ekonomike”, të shoqëruara me “ faktet për
padrejtësitë historike ndaj Mëmëdheut”, si dhe me vepra letrare e artistike që
“evokojnë“ kohët kur “nxirrnim vetëm trima dhe luanë“ dhe shumë njerëzve
normalë e të qetë, fillon dhe “ju vlon gjaku”. Ndjenja pozitive “për drejtësi”
kthehet në një “energji vrastare” ndaj njerëzve të tjerë, gjë që nuk ndodh tek
kafshët. Vërtet që nga katër etnitë e përmendura më lart, e drejta për të
“rimarrë“ vendin dhe qeverisjen e tij ju takon vetëm shqiptarëve, por kjo nuk
na justifikon as ne për krime që “kanë tejkaluar të drejtën e vetmbrojtjes” dhe
më shumë akoma, atë të vrasjeve në mes shoshoqit. Pjesa më e madhe e këtyre të
fundit nuk u bënë për arsye ideologjike dhe jo vetëm për “grabitjen” e
pushtetit, por sepse mes luftëtarëve të të dy krahëve, shumë kriminelë kishin nga
postet më të thjeshta e deri në ato më të larta. Këta të fundit ju kishin
premtuar atë çka historikisht ju premtohet atyre që luftojnë. “Plaçkë dhe para”
pas fitores së Luftës. Dhe këtë e fjalë e mbajtën sepse të gjithë
“kriminelët-luftëtarë“ u shpërblyen me ofiqe dhe paga të larta dhe nëse nuk
“binin ndesh” me Diktatorin, u larguan nga jeta si të privilegjuar.
Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Jaho Gjoliku, Agush Gjergjevica,
Idriz Seitaj e të tjerë edhe pse me disa klasë shkollë mbajtën deri në fund
detyra të larta në qeveri dhe ushtri. Kriminelët e Ballit u larguan nga vendi
ose pësuan dënime të rënda familjarisht, pikërisht se ishin Humbësit. Lufta
kishte kthyer në kriminelë (ose më mirë kishin qënë potencialisht të tillë)
idealistë si Mehmet Shehu, që vërtet kishte shkuar si vullnetar në Luftën e
Spanjës, por “pagëzimi” i atjeshëm me Luftën e pat kthyer në një “përbindësh”
si gjatë Luftës së Dytë, por edhe më pas. Nuk patën pësuar transformim të tillë
vullnetarët e tjerë të Spanjës. Mjaft të përmendim Skënder Luarasin dhe Petro
Markon.
Rasti i Enver Hoxhës është i një lloji tjetër. I zgjuar dhe
dinak, me shumë pak vullnet për të studiuar dhe punuar, edhe pse mund të mos
ishte në gjendje të vriste me dorën e tij, ai gradualisht u kthye në një mjeshtër
i intrigave, i vrasjeve pas shpine, i manipulimeve të njerëzve, zbulimeve të
komploteve edhe ku nuk ishin, gjë që e dëshmoi
me karrierën e tij të suksesshme dhe të gjatë në pushtet. Duke përdorur një
shprehje, që i atribuohet Bab Myslymit për Enverin: “O çun i qut ai. Shef larg.”
Po pse pjesëmarrsit në Luftë, mbeten aq të lidhur
psikologjikisht me të deri në fund të jetës së tyre, si e dëshmon edhe Lubonja
për prindërit e tij?
Përgjigja gjendet lehtë në një nga veprat letrare më të
vjetra dhe më madhore të historisë së Njerëzimit - “Iliada” e Homerit. Përjetimet
e luftëtarëve grekë dhe trojanë janë të fuqishme, intensive dhe lenë gjurmë të
thella edhe vite pasi lufta ka përfunduar. Në luftë janë aq pranë vdekja,
lavdia, ari, marrja e pushtetit, gratë e bukura të të tjerëve, e ardhmja e përmbysur për mirë a keq. Ndaj jo
vetëm tek luftëtarët e parë në dritë pozitive prej Homerit, si Odisea dhe Enea,
por edhe tek kriminelë si Agamemnoni, që vrau vajzën e tij, për hir të nisjes së
fushatës pushtuese, lufta e Trojës mbetet ngjarja që përcakton edhe vazhdimin e
jetës së tyre.
Idealizimi i luftës vazhdoi pandërpreje në Shqipëri edhe në
periudhën e fundit të viteve ’50, kur politika zyrtare e Bllokut Lindor
Komunist trumbetonte pacifizmin. Kriminelët mbetën për një kohë të gjatë në
pushtet, deri sa nisën të vrisnin njëri
tjetrin dhe të internonin familjet e shokëve të tyre, tashmë të kthyer në
armiq. Por pseudopatriotizmi dhe pseudoheroizmi i tyre gjatë luftës mbeti një “kartë“
nga e cila nuk u ndanë kurrë dhe të rrallë ishin ata, që pranuan se në luftë
kishin hyrë për të përfituar në të ardhmen dhe gjithashtu kishin bërë krime mbi
popullsinë civile. Shumica përsërisnin refrenin e kriminelit “Në luftë janë bërë
edhe gabime!”
Gabime këto që kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë lënë fëmijë
jetimë.
No comments:
Post a Comment