Një intervistë, që Baton Haxhiu i bënte Fatos Lubonjës, fillimin e së cilës e pashë në YouTube, më nxiti të thellohesha disi rreth mendimeve, që më shfaqen herë herë, për raportin që ka lufta e armatosur me kriminelët e lindur, ose edhe me pjesën “vrasëse” të psikologjisë të cilitdo prej nesh. Duke mos qënë asnjëherë pjesëmarrës në ndonjë betejë, gjithë përshtypjet rreth kësaj teme bazohen mbi leximet, filmat, dokumentarët dhe tregimet e dëshmitarëve, veçanërisht atyre të kaosit të vitit 1997.
Ngasja erdhi nga një dëshmi e Lubonjës, se si prindërit e
tij(Liria dhe Todi), e vlerësonin me superlativa, deri në fund të jetës së
tyre, Luftën nacional-çlirimtare. Të dy kishin kaluar burgim dhe intenim të
gjatë, që duhet t’i kishte ndihmuar të reflektonin thellë rreth një kohe shumë
të rëndësishme dhe dramatike të rinisë së tyre. Koha kur jeta është aq e brishtë,
aq e përgjakshme, aq e pamëshirshme dhe njëkohësisht aq e thjeshtë për ta humbur ose për t’ja marrë tjetrit. Në luftë
duhet të vrasësh ose do të vrasin. Dhe në të gjitha qytetërimet e vjetra dhe të
reja vrasësit dënohen rëndë. Po si thotë Volteri “Të vrasësh është e ndaluar; kjo është arsyeja pse kriminelët dënohen,
me përjashtim të atyre që vrasin shumë dhe nën oshëtimin e trumpetave.”
Të fillosh një luftë duhet të kesh para dhe luftëtarë. Këtu
luftrat ndryshojnë nga revoltat e dhunshme. Këto të fundit mund të nisin
spontanisht dhe pa u financuar nga kush e megjithatë edhe pjesëmarrësit në to
duhet të jenë të gatshëm të vrasin.
Po cili është profili
i një luftëtari të shekullit të kaluar apo edhe këtij që jetojmë?
Duhet pranuar që nuk mund të ketë një profil të caktuar se
varet shumë jo vetëm nga vendi dhe koha, por edhe nga karakteristikat e veçanta
të çdo lufte. Ka luftëtarë të mobilizuar me ligj, ka vullnetarë, ka mercenarë,
ka xhihadistë, ka partizanë, ka muxhahedinë, ka kamikazë, ka dezertorë, ka
tradhëtarë, ka spiunë, ka sadistë.
Figura e luftëtarit në të gjitha kulturat gjithashtu
idealizohet(është fjala për luftëtarin vendas dhe jo për kundërshtarin). Luftëtari është trimi, që bën sakrificën më
sublime për Atdheun e tij - është përkufizimi më i pranuar në të gjithë
vendet dhe kohërat. Dhe fundi i luftrave shoqërohet me shpërblime materiale për
luftëtarët fitimtarë dhe varrime të bujshme të të rënëve. Të parëve, shpërblimet
ju bëjnë punë, ndërsa të dytët jo vetëm që largohen nga kjo botë, por lenë edhe
fëmijët jetimë dhe gratë vejusha. Ata më zulmëmëdhenjtë shpallen heronj.
Në Amerikë, më shumë se në çdo vend të zhvilluar, vazhdon
propaganda pro- luftëtarëve dhe veteranëve, si ajo e kohës së luftrave
boterore, apo ajo e vendeve totalitare. Një fjalë përgjysëm jo në mbështetje të
“trupave tona”, mund t’i shkaktojë humbjen në zgjedhje çdo kandidati politik, që
do të bëhet senator apo edhe më shumë në SHBA. Luftëtari, sidomos ai që ka shërbyer
në zonat e luftës, jo vetëm nderohet dhe shpërblehet, por në shumë raste, mund të ndjekë një karrierë të shkëlqyer në
politikë. Eshtë tashmë i provuar si patriot, si dikush që i shërben Mëmëdheut
dhe po ashtu mund “t’i shërbejë edhe popullit”. Shërbimi ushtarak në Vietnam,
Luftën e Gjirit, Irak, Afganistan është “kartabiankë“ për njgjitjen e shkallëve
në administratën shtetërore.
Luftëtarët amerikanë të ditëve tona, janë jo rrallë të rinj që kanë dështuar në studimet e larta
dhe i futen karrierës (jo pa rrezik) ushtarake për të pasur një të ardhur
materiale të qëndrueshme për familjet e tyre. Shumë vijnë nga minoritetet
afrikano-amerikane dhe latine dhe të gjithë e bëjnë këtë vullnetarisht. Në
Amerikë (dhe në shumë vende të tjera të pasura) nuk ka më shërbim të detyrueshëm
ushtarak. Edhe pse ka mes tyre idealistë si dhe shumë që e kanë shërbimin
ushtarak traditë familjare, nëse e sheh në mënyrë cinike, janë të rinj që stërviten
“për të vrarë njerëz”. Dhe të vrasësh nuk është e lehtë për këdo.
(vijon)
No comments:
Post a Comment