(vijim)
Disi e çuditshme është se si njerëzit familjarizohen me
atmosferën e luftës dhe praninë e vdekjes së papritur. Ditët e pranverës dhe verës
të vitit 1997, rrinim kafeneve, ku shpesh shihje njerëz me revolverë në brez, që
jo rrallë edhe i nxirrnin dhe luanin me ta. Funeralet e të vrarëve ishin të
shpeshta dhe në shumë raste shoqëroheshin me të shtëna në ajër nga të afërmit
ose shokët. Edhe pse njerëzit e dinin, që mund të shkonin “për dhjamë qeni”,
jeta vazhdonte përsëri e gjallë. Në ekstazë ishin kriminelët, por edhe ata
filluan të vriten mes tyre për hesape të vjetra e të reja. E megjithatë ishte
koha kur po mbushnin xhepat, drogoheshin rregullisht dhe dëfrenin nëpër orgjira.
Kohë lufte, kur kriminelët vepronin me vetëfinancim, pa pasur nevojë që të
paguheshin nga “bosët” e përhershëm të luftrave.
Edhe pse e ndryshme nga “lufta” e 1997, edhe lufta e Dytë
Botërore në Shqipëri duhet të ketë patur shumë aspekte të ngjashme të sjelljes
së individëve, psikologjisë së masave, filozofisë të pjesëmarrësve aktivë etj.
Para se të fillonte lufta në Shqipëri, ishte pushtimi nga Italia fashiste. Zogu
nuk ishte përgatitur për luftë edhe pse kishte vite që diheshin ambiciet e Duçes
për të hyrë në Ballkan. Arsyeja kryesore ka qënë dobësia financiare e shtetit
shqiptar dhe aleanca e “trashur” me Italinë, që e kishte larguar nga lidhjet e
forta me Anglinë dhe Francën, të cilçt mund të ishin përkrahësit e fortë të
Shqipërisë për të ndalur agresionin italian. Austria, aleatja tradicionale e
Shqipërisë ,kishte qënë jo vetëm e dobësuar
shumë në vitet ‘30, por më 1939 pjesë e Gjermanisë, pas Anchlus të vitit 1938. Nëse do kishte mjete financiare dhe
mbështetje tek fuqitë e mëdha, Zogu “do i kishte mbathur opingat dhe do ishte
ngjitur në mal” për të luftuar e mbrojtur vendin, por pat qënë dritshkurtër në
politikën e jashtme. Luftëtarët edhe pse të pastërvitur mirë, Shqipëria do i
gjente, dhe ashtu si Greqia mund t’i kishte rezistuar agresionit italian.
Por hipotezat “gjeopolitike” nuk kanë ndonjë vlerë dhe ajo
që duhet bërë është një hedhje drite në mënyrë sa më të paanshme në luftën e
Dytë Botërore në territoret e banuara nga shqiptarët.
Edhe pse Ahmet Zogu ja u kishte mbledhur armët shqiptarëve,
gjatë kohës së tij dhe por edhe pas pushtimit Italian, në zonat malore të Shqipërisë
kishte banda të armatosura hajdutësh e kaçakësh. Gjithashtu shumë fshatarë ende
kishin armë të fshehura “hatullave”, për tu mbrojtur nga keqbërësit, për të
goditur “hasmët” dhe si thuhet në një anekdotë me një prift katolik në Veri “për
çdo eventualitet”. Dëshirë për të larguar Italinë kishte tek të rinjtë, ndonëse
si do vihej re më vonë nga disa ushtarakë anglezë të pranishëm në Shqipëri në
kohën e Luftës “patriotizmi mes shqiptarëve linte për të dëshëruar”. Problemi
komplikohej akoma më shumë mes nacionalistëve, sidomos në Kosovë, pasi Italia
duke ndjekur politikën e “Shqipërisë së Madhe” quhej çlirimtare e trojeve
shqiptare nga sërbët.
Në Shqipëri mungonte dëshira e shtresës së pasur për të
financuar një luftë kundër pushtuesit. Janë gjithnjë të ashtuquajturat “borgjezi
kombëtare”, të cilat organizojnë një luftë të tillë. Në vitet e para të
pushtimit Italian, shtresa e pasur shqiptare, sidomos tregëtarët po kalonin një
periudhë të artë fitimesh. Në vend ishte shtruar një ushtri italiane 200 mijshe
(pa futur këtu civilët italianë), që do të thoshte 200 e ca mijë konsumatorë jo
të varfër shtesë në një vend një milionsh. Gjithashtu shumë nga investimet
ushtarake italiane shkonin në xhepat e biznesmenëve shqiptarë. Ndaj “elita” e
kombit nuk kishte ngutje në parashikimin e rrjedhës së ngjarjeve në Europë, nga
të cilat do varej edhe e ardhmja e Shqipërisë pas luftës. Dy vjet e gjysëm pas
prillit 1939, në vend nuk ekzistonte asnjë organizatë politike nacionaliste e
orientuar kundër pushtuesve të vendit.
U luftua në territorin shqiptar vetëm ndërmjet ushtrive italiane dhe greke prej tetorit 1940 dhe deri në prillin e vitit 1941. Ndoshta grekët kishin më shumë “kriminelë“ në ushtrinë e tyre; ndoshta Italianët ishin më pak gjaksorë, se po luftonin në një vend të huaj dhe nuk ishin të bindur në përfitimet personale që u jepte lufta; e kushedi sa ndoshta të tjera, por fakt është që megjithëse shumë më të pakët në numur, grekët i vunë para Italianët. Vetëm futja e Gjermanisë dhe Bullgarisë në luftë kundër Greqisë, shpëtoi Shqipërinë nga një pushtim i plotë grek. Shqiptarët vetë kishin ndenjur thuajse si “sehirxhinj” në luftën mes dy fqinjëve, një i rrjeshtuar me Aleatët e tjetri me Boshtin. Batalionet me shqiptarë të mobilizuar si pjesë e ushtrisë italiane, përgjithësisht u treguan inaktivë në luftime, ose pjesëtarët e tyre dezertuan në masë edhe pse propaganda fashiste ishte munduar të nxiste ndjenjat patriotike të çlirimit të Camërisë. Ndërkohë bandat e hajdutëve përfitonin nga kaosi që sillte fronti i luftës Italo-Greke .
(vijon)
No comments:
Post a Comment