Duhet të ketë qënë një nga këto ditë dhjetori para 30 vjetësh, kur me një lloj eksitimi vërtiteshim nga një kafene në një tjetër, ku takoheshim me miq dhe prisnim të mësonim ndonjë gjë të re se ç’po ndodhte në Tiranë. Nga televizioni nuk mësoje dot shumë dhe gazetat ishin të gjitha të Pushtetit ndaj nuk kujtoj t’ju hidhnim ndonjë sy. Aty ku sot ngrihet e shëmtuar Kulla Vrojtuese, takuam një mjek dhe një të njohurin e tij. Isha bashkë me një koleg, me të cilin kishim kohë që flisnim hapur kundër sistemit. Mjeku na ftoi të bëheshim pjesë e një grupi , që do mbështeste Partinë e Opozitës që po krijohej ato ditë në Tiranë, po duke thënë (pa përmendur ndonjë emër), që ishin disa pedagogë, studentë dhe të tjerë njerëz që ishin kundër Partisë në fuqi. I thashë, që të vijmë, duhet të dimë se cilët janë dhe ç’përfaqësojnë. Të njëjtën gjë theksoi edhe miku im dhe u ndamë pa ndonjë lloj angazhimi. Nuk kishim frikë. Thjesht nuk i pëlqenim Partitë në përgjithësi, por më shumë hezitonim nga e Panjohura. E ndjenim se diçka e madhe do bëhej dhe shumë shpejt, por edhe në emrat, të cilët i mësuam pas disa ditësh, nuk kishte të tillë, të cilët mund t’i ndiqnim symbyllur. Më pëlqeu që pashë Leka Meksin, i cili ishte i vetmi që njihja dhe respektoja. Pashkoja dhe Berisha, të cilët ishin shprehur për ndryshimin e sistemit atë vit, të krijonin një lloj besimi, ndërsa Azemin, pasi e kisha dëgjuar në intervistën e parë në Zërin e Amerikës, më ishte dukur një lloj “allçaku”, me mend e të cilit nuk do shkoja kund.
Më pas, pasi mësova edhe cilët ishin dy-tre organizatorët
kryesorë të degës së Korçës, të cilët i njihja disi mirë, nuk pata asnjë ngasje
për tu bërë pjesë e atij grupimi politik. Ja njihja edhe vehtes mosdëshirën për
të qënë “në një rrjesht me të tjerët” dhe mungesën e theksuar të durimit për të
dëgjuar probleme që do rriheshin në mbledhje të gjata, ku edhe nëse nuk do “i
binte njëri gozhdës e tjetri potkoit” do kishte të ngjarë që jo pak nga folësit
të “llafosnin veresie”.
Por mbi të gjitha
ishte e Panjohura.
Si do rridhnin gjërat? A do arrihej shpejt që të bëheshin lëshimet
e nevojshme për pluralizëm? A do kishte njerëz të tjerë, më të mençur dhe më me
integritet, që do krijonin të tjera forca politike? C’sinjale do jepeshin nga të
huajt?
Atë dhjetor, nga tre fytyrat në foton e mësipërme, njihja
vetëm Edi Ramën. Ruçi ishte ende në Tepelenë dhe Meta ishte student. Sigurisht,
mes tyre (por edhe mes mirja të tjerësh, ku hyja edhe unë) më europiani ishte
Rama. Kishte dalë shpesh me ekipet e basketbollit në Europë, si gjithë
universitarët tiranas dinte mirë italisht dhe kishte prindër të arsimuar jashtë
Shqipërisë. Edhe pse nga pikturat që i kisha parë, kisha krijuar bindjen që jo
vetëm nuk ishte në nivelin artistik të Kristaqit, por nuk ngrihej dot mbi
mesataren e piktorëve të kohës, mund ta them pa frikë se nëse dikush do më
thoshte në atë kohë, se ky do jetë pas 30 vjetësh kryeministër i Shqipërisë,
nuk do më dukej thellësisht absurde. Edhe pse nga sa ma “rructe mendja” asokohe,
Kryeministri i një vendi duhet të ishte një ekonomist ose një njohës i mirë i
ligjeve.
Por sigurisht që tre dhjetvjeçarë, mua dhe moshatarëve të
mij, ju dukej një jetë e tërë. Kishim vetëm një vit që kishim mbushur tridhjet
vjet. Edhe pse e Panjohura i bën trajtat e shtetit dhe të shoqërisë shumë të
mjegullta, nuk mund të shkonim në mendje se pas tridhjet vjetësh në krye të
shtetit do ishin i Gjati, i Keqi dhe i Shëmtuari (Për të mos thënë dy hajdutë
dhe një kriminel.) Në të kundërtën e filmit të famshëm të Serxho Leones, këta
të tre nuk janë në kërkim të një thesari të varrosur, se thesarin tashmë e kanë
në dorë, por vetëm përplasen dhe përqafohen dhe prekin e përdorin brrylat në
përpjekje për të varrosur Demokracinë Shqiptare.
Dhe nuk është vetëm çështje emrash dhe individësh. Të tjerë
personazhe po aq të këqinj e të shëmtuar i rrethojnë. Edhe pse mund të jetë
hartuar një paketë legjislacioni e standarteve europiane, gjithshka që lidhet
me zbatimin e ligjeve, me institucionet qëndrore, me administratën lokale është
po aq larg Europës sa ishte në fillimin
e viteve ’90. Besimi i njerëzve tek Demokracia akoma më i ulët. Niveli i
jetesës është shumë më i lartë se 30 vjet më parë, kur mungonte gjithshka, por
është i lemerishëm hendeku midis të pasurve dhe të varfërve.
Vetëm 7 muaj më vonë, se dita e përmendur në fillim të këtij
shkrimi, fytyra e vrazhdë e Gramoz Ruçit ishte ndër më të urryerat në Shqipëri,
ndërsa dilte për të dëshmuar në Gjyqin e Shkodrës për vrasjen me snaiper të 4
të rinjve gjatë një demonstrate paqësore kundër regjimit. Ishte Ministër i
Brendshëm dhe kishte urdhëruar të qëllonin. Zëvendësi i tij dhe të tjerë vartës
u dënuan me burg. Sot, pinjollët e tyre (përfshi edhe të Ruçit) janë ndër
njerëzit më të pasur dhe më të pushtetshëm në Shqipëri.
Jo për të gjithë kanë shkuar shumë keq ose shumë mirë punët
në këto 30 vjet. Mjeku që na ftoi të hynim në Partinë Opozitare, pasi u mor
disa kohë me politikë, u tërhoq në profesionin e tij dhe në disa biznese
private jo të përlyera. Kolegu im vazhdoi me sukses të projektonte dhe
ndërtonte dhe tashmë bën një jetë të qetë në pension. Të tjerë miq, me të cilët
flisnim të ekzaltuar gjatë atyre ditëve ose kanë emigruar, ose kanë bërë një
karrierë normale në Shqipëri.
Me një fjalë Liria dhe Demokracia kanë funksionuar. Por ç’ka
ndodhur me ata, të cilët kanë lindur atë ditë në Shqipëri dhe sot janë 30
vjeçarë. Duhet të ishin fatlumët, po a janë të tillë? Varet se në cilin djep
janë përkundur.
Po a nuk ka qënë gjithnjë kështu?
No comments:
Post a Comment