Unë: Më në fund mund të themi se edhe në Shqipëri po projektohet si në çdo vend europian dhe prirjet janë gjithnjë e më shumë (sidomosnë Tiranë)ndaj një arkitekture të fundit të shekullit të kaluar dhe të shekullit XXI.
APK: Kë quan arkitekturë të fundit të shekullit të kaluar dhe të
këtij që jemi? Për më tepër ku i sheh në Shqipëri shembujt e saj?
Unë: Mbase nuk mund të bëj një përcaktim të prerë të arkitekturës
së 40 viteve të fundit në botë, por më tepër do e quaj si një bashkëjetesë
stilesh të ndryshme prej postmodernizmit,
high-tech, ekologjike dhe deri tek dekonstruktivizmi.
Edhe pse në Shqipëri investimet janë më modeste, përpjekje për këtë lloj
arkitekture ka sidomos në Tiranë dhe disi më pak në zonat bregdetare.
APK: Nuk mendoj se arkitektura është vetëm “forca e investimit”
edhe pse ti mund të përmendësh shembujt e Vendeve të Gjirit Persik, apo Kinën
dhe Moskën. Në rradhë të parë arkitektura është filozofi dhe mentalitet i bashkësisë
që e krijon dhe me të nuk kam parasysh vetëm arkitektët dhe urbanistët, por të
gjithë bashkësinë e vendit duke nisur nga njerëzit e thjeshtë dhe deri tek
artistët më avangardë. Ndaj ekziston një premisë absolutisht objektive, që një
popull i cili ka jetuar nën një rregjim totalitar shumë të ashpër e ka të vështirë
“të çlirohet” nga mendësia e ngushtë dhe të shpërthejë në kërkesa për një
konceptim të hapësirës në mënyrën më të përparuar të mundshme.
Unë: Doni të thoni se nëse muzika më e ndjekur është ajo “tallava”,
atëhere edhe arkitektura do jetë një lloj “tallavaje”, e cila priret të imitojë
shembuj të ndërtimeve ndërkombëtare pa marrë parasysh dritën, veçanëritë e
peisazhit shqiptar, materialet tradicionale etj. etj.?
APK: Raportet me dritën, vëllimet, peisazhin, siluetat dhe
materialet janë më “teknike” dhe kanë të bëjnë me projektuesit dhe jo me “popullin
investitor”. Raportet me hapësirën, me prirjen se ku dua të jetoj dhe se si, se
ç’dua të dëshmoj me banesën time apo me objektin që kam në pronësi, janë ato, të
cilat kanë të bëjnë me masën e njerëzve dhe që përcaktojnë zhvillimet urbanistiko-arkitekturore.
P.sh. thuhet se zhvillimi hapësinor dhe arkitektura e Tiranës në këto 25 vjet është
e diktuar nga shijet e Edi Ramës. Unë them që Jo. Ndikimi i tij ose dhe i arkitektëve
rreth tij është shumë më i vogël, nëse e marrim në kontekstin e gjithë tendencës
të popullsisë shqiptare për tu grumbulluar në Tiranë, mundësisht për të ndërtuar
sa më në qendër dhe për të pasur një fitim maksimal në sipërfaqet e ndërtuara
paçka se ç’lloj “monstre” do dalë. Eshtë mendësia e njerëzve që kanë jetuar nën
një regjim absolutist, dhe që mendojnë se sa më pranë “oborrit” të jesh aq më i
fuqishëm dhe i vlerësuar do jesh. Kjo sjell, që Tirana edhe pse rritet, sa vjen
dhe bëhet më “e ngushtë“, si të thuash si një dëshirë e nënndërgjegjes së njerëzve
për të kontrolluar dhe për të qënë nën kontroll. Nëse do kishte një mendësi të
përgjithshme të ndryshme nga kjo, kryeqyteti mund të ishte konceptuar me dy ose
tre “nukle” qëndrore (le të themi qëndra financiare apo ajo e high-tech) të
cilat do e sillnin Tiranën në rrugën e një metropoli bashkëkohor në rritje dhe
të pëlqyeshëm për të jetuar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment