Nuk di nëse ishte vjeshtë apo pranverë. Di vetëm që ishim 18 vjeçarë. Tani të gjithë 61 vjeç. Njëri prej nesh nuk është më. Jani i shkretë. Më i miri i djemve të maturës 1978.
Eshtë larguar edhe profesori i fiskulturës, Maqo Kostallari,
për të cilin kam shkruar dikur në blog. Po të na theshte gjysëm fjale, të gjithë
ne që jemi në foto dhe shumica e djemve të maturës mund të hidheshin me gjithë
rroba në liqenin e Gjançit, në breg të së cilit është marë kjo foto. Maqoja do
ketë këmbëngulur për fotografinë dhe ka tërhequr edhe Engjëll Hysenbegasin, mësuesin
e fizikës, që sa kishte ardhur atë vit në shkollën tonë dhe për hir të së vërtetës
po e them, që asnjë nga nxënësit nuk e pëlqente. Ndenji shumë pak në Korçë dhe
s’di se ku është tani. U shfaq dy –tre vjet në politikë, si nënkryetar i PD-së,
por nuk u mor vesh se ç’ndodhi më pas me të. I kishim ngjitur nofkën “Tamani”,
sepse ishte një fjalë që e përdorte shpesh dhe na binte në sy që nuk e theshte
“tamam”.
Me kitara janë shokët e mij Gjegji Raidhi dhe Artan Bejko, të
cilët për ato vite ishin “Pënia” dhe “Leva”. Për vite të tëra kënduam mijra herë
sëbashku, jo rrugëve, se serenatat ato kohë ishin të ndaluara, por parqeve,
plazheve dhe nëpër shtëpitë tona. Asokohe nuk kishte “party” si të kohës së
sotme, kur vajza e djem mblidhen diku dhe këndojnë e kërcejnë, pinë ndonjë gotë
dhe herë herë “tymosin” pak drogë. “Party-t” tona ishin dy kitara, një grup
djemsh që këndonin e stononin dhe hiqnin me rradhë nga një gllënqkë të një
shishe rakije. Leva kishte mes nesh zërin më të bukur dhe më të intonuar. Një
bas-bariton i ëmbël, që mund të ishte bërë këngëtar shumë i mirë.
Zakonisht në kitarë luante edhe Valter Kokojka, që në foto është
i shtrirë në kurriz. Kokojka ishte në të rrallët maturantë, që pati një karrierë
sportive të nivelit kombëtar. Në hedhje disku ishte shpesh në podiumin e
fituesve të veprimtarive kombëtare si medalist bronxi, por edhe argjendi. Me një
qetësi të habitshme, është thuajse po aq i ri dhe i fuqishëm edhe sot dhe nuk e
sheh kurrë të mërzitur ose të tensionuar. Cilësi të ngjashme me të kishte edhe
Gjergji Kita, të cilin unë e thërrisja “engles”, se jo vetëm ishte tifoz i
Anglisë në futboll, por ishte edhe menefrego. E kam kujtuar shpesh këto kohë të
Covid -19 , kur shoh njerëz të intubuar, sepse në fund të maturës mori një të
ftohur shumë të rëndë dhe mbeti disa javë në komë dhe në oksisgjen. Shkonim ta
shihnim në spital duke pritur lajme të mira, që vononin. Ishte ballafaqimi i
jonë i parë me mundësinë e humbjes së jetës. E takoj rrallë , kur shkoj në Korçë,
por ruan të njëjtën buzëqeshje në fytyrë.
Më shpesh (nëse mund të quhet e tillë një herë në disa vjet)
takohem me Berti Kapon (në foto ngjitur me Hysenbegasin), që jeton si unë në
Kanada. Kapoja kishte natyrë lideri, që i shkonte mbiemrit. Fizikisht i
formuar, shkëlqente në sporte, por nuk ndoqi asnjëherë karrierë sportive. U bë
ekonomist, po ashtu si u bë edhe “Pënia”. Me këtë të fundit jo vetëm rrinim
gjithë kohën , por ishim edhe të një gjatësie dhe peshe, sa shpesh të tjerët përdornin
për ne togfjalëshin “Numja dhe Pënia”. Edhe sot ka ndonjë të njohur të vjetër,
që nuk është i sigurt nëse unë jam Numja apo Pënia. Kishim qënë që në kopësht të
dy dhe bashkë me ne ishte edhe Vaso Saroja, që si gjithnjë(edhe në foto)
qëndron në prapavijë, për të lëshuar ndonjë batutë plot humor. Kam harruar se
me ç’nofkë e thërrisnim. Ishte basketbollisti më i mirë i maturës sonë. Brezi
jonë, nën ndikimin “e huaj “ të televizionit jugosllav, luante më shumë
basketboll se futboll gjatë viteve të gjimnazit.Veç nën ndikimin e “shfaqjeve të
huaja” nuk i kishim kapercyer dot kufizimet e një mentaliteti “maçist”, që
ndjehet në foton e marrë gjatë një eskursioni. Nuk ka asnjë vajzë edhe pse ato
rrinin disa metra më tej dhe kur këndonim e bënim kryesisht për t’ju rënë në
sy. Tani, në fotot e përvjetorëve të maturës, i sheh bashkënxënësit e përzjerë,
të ekzaltuar, të zënë krahësh dhe shpatullash, burra e gra, sikur ndjehen të
penduar për “kohët e humbura”.
Të gjithë jemi me fëmijë të rritur dhe disa edhe gjyshër. 5
maturanët të së IV- D dhe tre të të IV-A. 4 prej nesh në Korçë dhe 3 në
Amerikën e Veriut. I miri Jani Papanaumi i larguar prej nesh që në janarin e
vitit 1993. I pazëvendësueshëm.
Pas dy-tre vjetësh do jetë 45 vjetori i kësaj fotoje. Gjançi
do jetë sërish atje; drita e bukur e diellit të zonës së Korçës do jetë e
njëjtë dhe ndoshta edhe të gjithë ne, pak më të moshuar. Dhe mbase do themi
“rrojtëm mirë pa dhe u moshuam”.
No comments:
Post a Comment