Tuesday 8 December 2020

Kodoshë, kudo që jini, bashkohuni!


Kodoshët nuk di pse më janë dhimbsur. Gjithnjë kanë qënë të dobishëm, të domosdoshëm, gati të pazëvendësueshëm, por njëkohësisht edhe të përçmuar. Edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, kodoshi përkufizohet si ”njeri i paturp,që bëhet ndërmjetës për punë të pamoralshm; njeri i shkathët e i djallëzuar, që është i zoti për të mashtruar ose për punë të poshtra” Dhe duket që përkufizimi ka një ngarkesë të theksuar ideologjike se shton “Kodoshi i beut”. Thua se në kohën e komunistllëkut, me ndalimin me ligj të prostitucionit nuk kishte më kodoshë!

Eshtë e vështirë të besosh edhe se meqë prejardhja mund të jetë nga turqishtja (psh kodoshanë duhet të ketë qënë një lloj organizimi i kodoshave), tek ne, para kohës zulmëmadhe të Skënderbeut, mos ketë patur të tillë. Dikush duhet t’i bënte kodoshllëqet edhe pse binin ndesh me natyrën fisnike, trime dhe liridashëse të shqiptarit!

Edhe gjuhëtarët tanë, që kanë përpiluar Fjalorin, edhe pse me një notë të thellë përçmimi, janë detyruar të pranojnë se kodoshllëku është në një mënyrë a në një tjetër profesion dhe i lidhur me punën. Dhe bëhet fjalë për një kohë kur një nga parrullat themeltare ka qënë “Puna është nder, lavdi dhe heroizëm”. Për më tepër edhe një punë, të cilën nuk e bënte dot kushdo! Se duhet të ishte i zgjuar, i shkathët, i djallëzuar dhe - gjithashtu i pamoralshëm. Dhe kur vijmë tek morali, ky është veçanërisht relativ. Në fund të fundit kodoshi ka vetëm rolin e ndërmjetësit mes dy individëve ose grupeve. Gati mund të themi se roli i tij është vetëm i llojit “transacsionist’ dhe si i tillë nuk ka pse t’i nënshtrohet gjykimit të rreptë të moralistëve.

Le të kthehemi në ajo ç’ka përmenda në fillim , që lidhet me një lloj dhimbje që ndjej për kodoshët, e cila ze fill tek mosvlerësimi apo edhe më keq në përçmimin e tyre. Me të drejtë ankohej dikur një kodosh, kur theshte se : “E po nuk të vjen inat, edhe na kërkojnë t’ju zgjidhim gjëra që nuk i bëjnë dot vetë dhe pastaj thonë pse i gënjejmë!” Unë i jepja tç drejtë jo për sy e faqe, por se pikërisht në filozofinë e zgjidhjes të problemeve të koklavitura, të pamoralshme, në mënyrë antiligjore, duke shkelur mbi çdo etikë qëndron aftësia dhe sakrifica profesionale  e kodoshëve. Pse kur na mbarojnë punë ju japim paratë dhe ju biem krahëve dhe po nuk na e bënë shajmë “a po ku i zihet besë kodoshit të m..”!

Nëse kodoshllëku lulëzon më shumë në sistemet e lira apo në diktaturat, kjo është shumë e vështirë për tu përcaktuar. Vërtet në vendet e e Europës Lindore, pas rënies së Murit të Berlinit pati një gjallërim të kodoshëve në shumë sektorë të jetës, por nuk mund të themi se numuri i kodoshëve realë dhe atyre potencialë, ishin më të pakët nën komunizëm. Zaten të pushtetshmit për punë “të fëlliqme”kishin shumë nevojë për të tillë. Po është e diskutueshme psh, nëse një drejtor Muzeu, që i krijonte kushtet Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, të dëfrente me të dashurat në Muzeumin e kyçur, duhet quajtur kodosh apo lehtësues (facilitator)? Dhe të tilla raste me ngjyrime nga më të larmishmet kishte pafund në atë sistem.

Gjithsesi, edhe nëse lidhen thjesht me shërbimet seksuale, apo me dhënie rryshfetesh për gjykatësit, apo edhe me rastet më të sofistikuara të “lobizmit”(një tjetër lloj kodoshimi), ushtruesit e këtij profesioni nuk ka përse të stigmatizohen dhe herë herë të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Shoqëria, që i përdor dhe i ka të nevojshëm, duhet edhe të bëjë të mundur, që ata me krenari të thonë “Unë jam kodosh!” Ose në raste të një tradite familjare, po ashtu të mos ketë frikë të thotë “Unë rrjedh nga një familje kodoshësh, ose me eksperiencë historike kodoshare!”

Por si kanë treguar përvojat e përpjekjeve të pakicave për të fituar të drejtat e tyre, asnjëherë këto nuk të jepen as nga Shoqëria dhe aq më pak nga Liderët. Duhet vetë kodoshët, me zgjuarsi, djallëzi, shkathësi, manovrime, protesta të arrijnë të fitojnë të drejtat e tyre të plota. Duke filluar me më të thjeshtën – Miratimin e Statusit të Kodoshit. Më pas në krijimin e Sindikatave dhe ndoshta deri në një të ardhme, si një Lëvizje Politike e Qendrës, që mund të marrë çdo lloj emri kuptimplotë.

Dhe për këtë duhet të mos veprojnë të ndarë dhe herë herë në kundërshtim me njëri tjetrin. Duhet që ata dhe përkrahësit e çështjes së tyre të thërrasin me zë të lartë:

Kodoshë, kudo që jini, bashkohuni!

 

 

No comments:

Post a Comment