(vijim)
Shkopi i stafetës së pushtetit përgatitej të mbetej në duart
e “Bllokut” dhe të besnikëve.
Ka një paradoks të madh në themel të Diktaturave të Majta, që
është një nga arsyet që nuk mund të mbijetojnë gjatë. Zhvillojnë
arsimimin në masë të fëmijëve dhe rinisë.
Edhe pse i ideologjizuar në kulm, edhe pse me mungesa të mëdha
materiale, edhe pse i orientuar drejt një lloj barazitizmi të nxënësve,
arsimimi i masave nuk mund të bëjë trushpëlarjen e plotë të pjestarëve të rinj
të shoqërisë. Në të kundërt, jo vetëm pjesa e edukimit shkencor, por edhe vetë
filozofia materialiste dialektike, që është e vetmja që mësohej në shkollë,
nxit të rinjtë të venë në dyshim çdo lloj dogme që vjen nga pushteti. Shumë nga
mësimet në lëndët shoqërore, binin ndesh me realitetin dhe me vetë parimet
themelore të marksizëm-leninizmit. Ndaj në çdo mendje disi të kultivuar,
hidheshin rrënjët e një mosaprovimi jo
vetëm të dhunës të Diktaturës, por edhe të vetë ekzistencës së saj. Dhe këto rrënjë
hidheshin edhe në mendjet e fëmijëve të “Nomenklaturës”, të cilët ishin nga të
parët që kuptonin falsitetin e propagandës të prindërve të tyre(edhe për arsyen
se mund të vizitonin vendet perëndimore dhe mund të bënin krahasimin). Nëse ajo
ç’ka kuptonin, do ju vinte përshtat apo do i kthente në “bij rebelë të etërve
dinakë“, kjo varej shumë nga karakteret e tyre individuale. Nuk mund të kishte
receta. Psh djemtë e Shehut ishin kundër regjimit, Gim Myftiu e Fatos Lubonja
gjithashtu, edhe të tjerë, por nuk ishin një masë e madhe syresh, sa mund të përbënin
ndonjë rrezik për pushtetin. Thuajse të gjithë përfunduan në burg, por pasi
ishin “përmbysur” më parë baballarët e tyre (Gim Myftiu shpëtoi pikërisht se
shpëtoi nga goditja Manush Myftiu).
A solli përmbysja e
regjimit në fillimin e viteve ’90, përmbysjen e projektit arsimor të “seleksionimit
natyral”, të ideuar nga Hoxha e bashkëpuntorët?
Përgjigja më e saktë është: Përmbysja e regjimit solli ndërprerjen e projektit, por nuk ndali dot
efektet e tij. Projekti ja kishte arritur qëllimit. Me disa përjashtime të
vogla, “pinjollët e Nomenklaturës” mbetën pjesë e “klasës sunduese” të shoqërisë
shqiptare. Ajo që ishte munduar t’ju spjegonte Ramiz Alia, merhumëve kokëtrashë
të Byrosë, pas “Rënies së Murit të Berlinit”, se me ndryshimet e sisitemit,
pushteti nuk do ikte nga duart e fëmijëve të kastës u realizua. Qoftë në hije
apo edhe hapur, ata mbetën me shumë ndikim në shoqërinë shqiptare, sepse arritën
të siguronin pushtet ekonomik, në sajë të shkollimit, lidhjeve që kishin me
jashtë dhe mënyra të tjera, gjatë garës të pabarabartë të kapitalizmit shqiptar
të fillimit të viteve ’90.
Edhe pse nuk mund të ishin më të vetmit antarë të “klubit të
të pushtetshmëve”, ata mbetën pjesë e tij.
Nuk ka shumë rëndësi nëse sot janë pjesë e së Majtës. Nesër
mund të shkojnë edhe në një krah tjetër sepse nuk kanë asnjë lloj parimi
ideologjik. Nuk janë as komunistë, as kripto-komunistë, as social-demokratë .
Janë përfituesit e pushtetit që kishin etërit e tyre dhe nuk kanë asnjë nostalgji
për atë kohë.
Ju mjafton të mbeten në majën e “shkallës së ushqimit” (food
chain) të “xhunglës shqiptare”.
No comments:
Post a Comment