Friday, 18 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj) (2)

 

(vijim)

Në historinë e afërt të vendit tim ka dy konflikte të përgjakshme. Më pranë është kaosi-përplasje civile e vitit 1997. E dyta më pranë saj në kohë është Lufta nacional-çlirimtare, ose më mirë ta quajmë lufta komplekse në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Termi nacional-çlirimtar ishte një term fals, sepse identifikonte gjithshka që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore me Frontin Nacional – Clirimtar, por luftë ishte bërë edhe para formimit të Frontit, edhe nga Balli Kombëtar (që ishte e kundërta e Frontit edhe pse mbante për emër shqipërimin e tij) dhe më vonë edhe mes Frontit dhe Ballit për marrjen e pushtetit.

Ngjarjet e 1997 ishin thjesht një eksperimentim se ç’mund të ndodhë me një vend kur shteti nuk ekziston. Nuk ishte për qëllime studimi edhe pse mund të studiohet e të ristudiohet si një dukuri që nuk ka shumë shembuj në historinë e Njerëzimit. Shteti ju dha në dorë njerëzve për të mos u vënë para përgjegjësisë njeriu që kishte çelsat e shtetit shqiptar – Sali Berisha. Ishte gjithashtu një luftë e veçantë se drejtohej ndaj gjithkujt. Nuk kishte nevojë për financim, sepse u lanë të hapura depot e armëve (të cilat përbëjnë një pjesë kryesore të buxhetit të një lufte), ndaj kishte nevojë vetëm për kriminelë. Por edhe për ta kishte menduar ai që “shkrehu” shtetin, se të gjithë që ishin burgjeve u lanë të lirë. Gjatë 7-8 muajve të zgjatjes së asaj “lufte” u vranë njerëz gjatë grabitjeve, njerëz për hakmarrje, ndërluftues të bandave kriminale, njerëz për “një fjalë“ goje bile edhe deri në kalimtarë “për qejf”. Numuri i plotë i të vrarëve arriti rreth 1600, si dhe thuajse10 mijë të plagosur.

“Shpirti vrasës” i shumë njerëzve të zakonshëm, i nxitur nga frika, nga ndjenja e mbrojtjes së familjes dhe pronës, nga instikti i mbijetesës doli në pah. Kishte njerëz që vrisnin për të mbrojtur pronën e tyre, kur edhe mund të largoheshin e ta linin në duart e grabitësve, Kishte të tjerë, që asnjëherë nuk kishin patur problem me drejtësinë, por duke përfituar nga rrëmuja, vranë armiq të familjes ose njerëz që ju kishin bërë dikur ndonjë padrejtësi. Kishte edhe deri në njerëz të mirë, që përpiqeshin të organizonin grupe miqsh me synimin për të vrarë kriminelët e njohur (një lloj “preamptive strike”) meqë policia nuk funksiononte. Pra në kundërshtim me moralin njerëzor të ndërtuar në shumë shekuj Humanizmi, njerëzit e zakonshëm ishin të gatshëm t’i merrnin jetën tjetrit. Në të gjitha rastet e përmendura nuk bëhet askund fjalë për “vrasje të detyruar, për të mbrojtur jetën e vet ose të dikujt tjetër”.

Ndaj përgjegjësia për jetët e humbura gjatë një lufte “absurde”(edhe pse vështirë të gjesh konflikte të armatosura që nuk janë absurde) nuk rëndon vetëm tek ata , të cilët shkatërruan shtetin. Nuk ndalet as vetëm tek banditët apo ata që veprimtarinë kriminale e kanë profesion. Eshtë tek të gjithë ne, që të ndodhur në rrethana jo të zakonshme, jemi në gjendje t’i marrim jetën tjetrit me gjakftohtësi apo edhe në gjaknxehtësi e sipër. Por edhe tek ajo pjesë prej “nesh”, që edhe pse nuk mund t’i marrë kurrë jetën një qënieje njerëzore, nuk bën dot diçka për t’ju kundërvënë kriminelëve dhe atyre, që shfaqin prirje kriminale.

Qyteti im ka qënë gjithnjë më i qeti dhe më i qytetëruari në Shqipëri. Por në një ditë marsi 1997, dy –tre ditë pas shkrehjes së shtetit, ne qytetarët e thjeshtë rregulldashës dhe paqedashës, u mblodhëm në një miting, ku do flisnin përfaqësuesit e të sapoformuarit “Komitet i Shpëtimit Publik”. Më pas parakaloi edhe një makinë e blinduar me të rinj të armatosur mbi të, në mbështetje të “Komitetit”, që do siguronte edhe rendin në qytet. Thuajse të gjithë “autoblindsit” ishin hajdutë ose kriminelë, që kishin bërë gjithë të zezat netët e grabitjes së armëve dhe pasurive shtetërore e private. Ata për të cilët luftrat dhe trazirat kanë nevojë. Nuk dinim a duhet të brohorisnim apo të qanim. Ishte kohë lufte dhe edhe pse në fillim të saj, kuptuam se si do vazhdonte. E keqja më e madhe ishte se nuk dinim se si mund të organizoheshim për tu mbrojtur prej tyre pa përdorur armë. Ishte kjo një mungesë  në ndërgjegjen tonë. Një nga arsyet kryesore pse luftrat nuk ndalen edhe sot në botë, kur të gjithë flasin kundër tyre.

(vijon)

No comments:

Post a Comment