(vijim)
Për fat të mirë ose të keq të Shqipërisë, kjo nuk mundi të
ndodhte pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në fillimin e viteve ’60. Të vetmit
, që patën studiuar në vendet e Kampit Socialist ishin ose ish-partizanët, ose
të afërmit e njerëzve të lidhur me pushtetin, por jo fëmijët. Pjesa më e madhe
e “fitimtarëve” kishin krijuar familjet pas vitit 1944, ndaj edhe pinjollët e
parë të tyre mund të shkonin në universitet vetëm në mesin e viteve ’60, kur për
shkak të izolimit të plotë, e vetmja mundësi ishte Kina e largët dhe e përfshirë
në ksenofobinë e Revolucionit Kulturor.
Por e gjithë shoqëria shqiptare ishte e përfshirë në përpjekjen
për të ngitur shkallët në “sistemin e kastave”, (nëse mund të quhet i tillë për
të theksuar se jo të gjithë ishin të barabartë edhe ne një shoqëri të barabartësh
në varfëri). Psh një nga prirjet më të përhapura ishte ajo e largimit nga
fshati drejt qytetit. Fshatarët ishin pjesa më e vojtur nën Diktaturën e
Proletariatit në Shqipëri. Në fshat ishin punët më të rënda dhe shpërblimi më i
vogël. Sidomos pas viteve ’50, kur largimi nga fshati u bë më i vështirë,
shkollimi ishte mënyra e vetme për të shkuar një I ri në qytet e më pas të tërhiqte
gjithë familjen. Deri në fund të viteve ’50, me hapjen e një sërë fabrikash dhe
kantieresh, lëvizja drejt qytetit edhe nëse nuk ishte plotësisht e lirë, ishte
më e mundshme. Në vitet ’60 e më vonë, shqiptarët shikonin çdo lloj mundësie për
të larguar femijët nga fshati, duke nisur me shkollat e mesme profesionale, me
shkollat ushtarake e deri në universitetet, për ata që ishin më mirë me mësime
dhe “pa njolla në biografi”. Vit pas viti, ajo ç’ka quhej “pashaportizimi”
(ndryshimi zyrtar i vendbanimit) u bë gjithnjë dhe më i vështirë.
Në qytetet kishte të tjera prirje, por që ndryshonin shumë
pak nga një zone e Shqipërisë në tjetrën. Arsimimi i mirë ishte mjeti për të
pasur një jetë pak më të mirë dhe më të sigurt. Nëse do ishe më i suksesshëm,
ose do kishe lidhjet familjare dhe shoqërore, mund të arrije edhe një “stad” më
lart- të përfundoje në kryeqytet. Gjithshka ishte përqëndruar në Tiranë. Edhe
pse rrogat nuk kishin ndonjë ndryshim nga rrogat e qyteteve të tjera, mundësia
për të bërë karrierë ishte thuajse vetëm e vetëm në Kryeqyetet. Po të kishe
synime të bëheshe pjesë e “elitës”, ose edhe më lart akoma, pjesë e “Bllokut”
(klasës sunduese) duhet punoje atje.
Në këtë sistem të ndërtuar disi qëllimisht e disi “pa dashje”(jo
çdo gjë në atë eksperiment ekonomiko-shoqëror bëhej me plan edhe pse
pretendohej se bëhej), prej viteve ’60 e tutje nisi të aplikohej totalisht
kontrolli mbi ata që do studionin në shkollat e larta. Të rinjtë që vinin nga
familje ish-të pasura, ose që kishin të afërm të konsideruar kundërshtarë të
pushtetit ishin të përjashtuar nga vazhdimi i studimeve. Edhe pse mund të ishin
më të shkëlqyerit mes të shkëlqyerve. Deri në atë kohë, “sitës së Partisë“
ishin lejuar të kalonin shumë prej tyre për shkak të nevojës së madhe për mësues
dhe të tjerë “kuadro të lartë“. Me plotësimin e atyre nevojave në vitet ’50, më
tej, nisi koha më e errët për mijra të mençur shqiptarë, por edhe për të gjithë
kombin. “Klasa e të deklasuarve” u dënua për të mbetur përjetësisht e tillë.
Praktikat e pashkruara në ligj, por të dhëna në udhëzime,
ishin që edhe pse sipas Kushtetutës të gjithë ishin të barabartë dhe kishin të
drejtën e arsimimit, administratat vendore dhe qëndrore të refuzonin kërkesat për
shkollë të lartë të atyre “me probleme në biografi”. Dhe kjo politikë e poshtër,
diskriminuese, e verbër arriti të bëhej normale në shoqërinë shqiptare. Të
gjithë e pranonin në heshtje edhe pse e dinin që nuk ishte e drejtë. Ndoshta
tek shumica e “klasës-raja” ndjehej ajo kënaqësi perverse “e po ç’ti bësh, kështu
janë rregullat, të paktën nuk i ze fëmijët tanë“. Nuk ishin të paktat rastet,
kur prindër “vigjilentë“ gërmonin në biografitë e bashkënxënësve të fëmijëve të
tyre, për të gjetur “yçkla”dhe për t’i nxjerrë jashtë garës për të drejta
studimi. “Filani e ka gjyshin në Amerikë“, ‘fistëku ka pasur një kushëri të parë
të të jatit me Ballin”, “gjyshërit e saj ishin tregëtarë“, “halla e tij ka
burrin e arratisur” e plot të tjera. Denoncimet e “prindëve konkurentë“ apo të “militantëve
ziliqarë“ i tejkalonin edhe kriteret që kishte vënë Diktatura. Ishte ky një
presion shtesë ndaj punonjësve të administratave vendore, që vendosnin për të
drejtat e studimit dhe që shumë herë kishin dëshirë të dërgonin për studime nxënësit
e shkëlqyer.
(vijon)
No comments:
Post a Comment