Suedia ka qënë sivjet paradoksi i vitit. Të gjithë janë çuditur se si vendi më i madh skandinav, i njohur për politika racionale dhe shkencore, në të kundërt të të gjithë vendeve fqinj dhe vendeve të zhvilluara europiane, ndoqi ndaj epidemisë të Covid-19 politikën e “imunitetit të tufës”. Rezultati ishte ai që parashikonin rrethet mjekësore në botë- numuri i viktimave për frymë të popullsisë deri tani në Suedi është 11 herë më i lartë se në Norvegji, 9 herë më i lartë se në Finlandë dhe gati 5 herë më i lartë se në Danimarkë. Por mosmbyllja e ekonomisë suedeze nuk solli as ndonjë përfitim ekonomik. Në të kundërt, ndërsa në Suedi GDP-ja(Prodhimi i Përgjithshëm Bruto) ra 4.7%, rëniet në Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë ishin përkatësisht -2.8%, -4% dhe -4.5%.
Kryeministër i Suedisë është social-demokrati Stefan Lofven.
Në rininë e tij ka punuar një kohë të gjatë si saldator dhe më vonë si kre
sindikalist deri sa ngjiti shkallët në krahun e majtë të politikës suedeze. Nuk
ka asgjë të keqe të kesh qënë saldator apo kre sindikatash. Janë profesione, të
cilat kërkojnë angazhim, guxim, ndjenjë solidariteti, zgjidhje në çast të
problemeve e tç tjera si këto. Por a janë të mjafta për të drejtuar një vend si
Suedia? Deri tani zgjedhësit suedezë i kanë quajtur të mjafta.
E majta europiane ka një histori të gjatë të udhëheqësve të
padiplomuar në universitete.Dhe jo vetëm në vendet satellite të Bashkimit
Sovjetik. Spanjollët Santiago Carrillo
dhe Dolores Ibarur të Partisë Komuniste Spanjolle, francezët Zhorzh Marshe i Partisë
Komuniste dhe Pier Berzhevoj i Partisë Socialiste, gjermani Vili Brand i Partisë
Social-Demokrate kanë patur arsimim të pamjaftueshëm dhe profesione shumë
modeste para se të ecnin në karrierën politike. Por në shekullin e XXI, kur
breza të tërë politikanësh kanë mundur të studiojnë në masë në universitete,
rasti i suedezit Lofven është një përjashtim jo shumë frymëzues. Sidomos për
Skandinavinë me një përqindje të lartë të popullsisë që ka mbaruar
universitetet.
Përgjithësisht, liderët që nuk kanë bërë shkollime të mira,
edhe pse të vullnetshëm dhe të zgjuar, priren drejt vendimeve arbitrare, mënyrave
autoritare të drejtimit të partive dhe vendit, politikave dhe zgjidhjeve më të
guximshme se sa duhen. Dhe më pas, kur zgjidhje të tilla krijojnë skandale, ata
e kanë të lehtë ta shkarkojnë përgjegjësinë në specialistët, si në rastin e
Lofvren, që u mundua në qershor ta linte gjithë barrën e përgjegjësisë në
kryeepidemiologu Anders Tegnell. Vërtet dr. Tegnell ka një përgjegjësi të madhe
për sugjerimin e përqasjes ndaj Covid pa “lockdown”, por në raste të tilla
katastrofash natyrore, që sjellin vdekje në masë, përgjegjësia mbetet tek i Pari
i Qeverisë. Sikundër veproi Boris Xhonson në Angli, Lofven mund të kishte
ndryshuar politikën anti-Covid duke shpëtuar mijra suedezë nga vdekja.
Justifikimi i kryeministrit suedez mund të jetë “le të lemë epidemiologët
të merren me epidemitë, sizmologët të merren me tërmetet dhe artistët me artin”,
por kjo është si të thuash lehtësisht “lere saldatorin të merret me saldime!”
Krizat e mëdha të një vendi kërkojnë angazhimin e shumë mendjeve, përfitimin
nga përvojat e të tjerëve dhe mbi të gjitha shumë dashuri për njerzit që
qeveris.
Më shumë se Trump, Bolsonaro i Brazilit e ndonjë tjetër,
Stefan Lofven dështoi dhe dështimi i tij u pagua shumë shtrenjtë nga suedezët
sidomos nga ata të moshës së tretë.
No comments:
Post a Comment