Demokracia amerikane është padyshim më e përparuara në botë. Jo vetëm kaq, por SHBA është fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake, para të cilës Kina dhe Europa e Bashkuar janë ende rivalë tepër modestë.
Po në duart e kujt është sot dhe do vazhdojë të jetë edhe për
4 vjet të tjera, shteti amerikan?
Presidenti i posazgjedhur Xho Bajden është 78 vjeçar. Presidenti
në ikje e sipër, Donald Trump 76 vjeç. Nuk ka dyshim që do vazhdojë të mbetet
figura më autoritare dhe më ndikuese e Partisë Republikane. Drejtuesja e
Kongresit është (dhe kërkon të mbete e tillë), 80 vjeçarja demokrate Nensi
Pelosi. Kryetari i Senatit,(numuri 3 i shtetit amerikan) është 78 vjeçari
republikan Miç Mekonëll, i sapo rizgjedhur si senator edhe për 6 vite të tjera.
Po qe se në kabinetin e ri, sikundër flitet, do jenë edhe Berni Sendërs(81 vjeç),
Hillëri Klinton (73 vjeçare) dhe Majkëll Blumberg (78 vjeç), atëhere ekipi
drejtues i shtetit më të fuqishëm në botë do jetë një “bandë“ pleqsh me
mesataren e moshës 78, rastësisht e barabartë me jetëgjatësinë mesatare të
amerikanëve.
Pa dashur të kërkojmë thellë në arsyet, se pse ndodh një
dukuri e tillë, duhet të pranojmë faktin që kemi të bëjmë me një udhëheqje të
sklerotizuar. Deri diku e ngjashme me Politbyronë e kohës së Brezhnjevit. Dhe
duhet përmendur se asnjë nga postet e mësipërme nuk është honorifik, si ndodh
disa herë në demokracitë e zhvilluara, kur Presidenti apo drejtuesi I Parlamentit
nuk kanë ndonjë gjë të madhe në dorë, ndaj mund të jenë edhe 80 vjeçarë me një histori
të shkëlqyer në jetën publike.
Bajden, Pelosi dhe Mekonëll do kenë të gjitha kyçet e
shtetit amerikan dhe Trump do vendosë se ç’drejtim do marrë Partia Republikane.
Të moshuarit e tjerë do drejtojnë dikastere të rëndësishme nëse emërohen.
Problemi i politikanëve në moshë të shtyrë, jo vetëm ul
vitalitetin e jetës politike të vendit më të fuqishëm në botë, por do e mbajë klimën e acaruar midis palëve në të
njëjtin nivel edhe për 4 vite të tjera. Trump për më shumë se një vit nuk shkëmbeu
asnjë telefonatë me Pelosin; kjo e fundit nuk ka marëdhënie të mira me Mekonëll;
njihet mllefi dhe mëria e Hillërit me Trump e të tjera marëdhënie jonormale mes
të sipërpërmendurve, që janë të vështira të kapërxehen, sidom nga individë në
moshë, që duan apo nuk duan, kanë shenjat e para të degradimit mendor.
A mund të priten idetë e reja drejt së ardhmes së shoqërisë
amerikane dhe asaj botërore nga njerëz që janë në perëndim të jetës dhe karrierës së tyre?
Historia botërore ka treguar se rastet e tilla janë shumë
shumë të rralla. Udhëheqësit e moshuar ose kanë sjellë stanjacion ose kanë përshpejtuar
të tatëpjetën e shoqërive që kanë drejtuar. Përjashtim bëjnë figurat biblike si
Noe dhe Moisiu, por sipas Biblës, i pari jetoi 900 vjet dhe i dyti 120, gjë që
ka pak të ngjarë të ndodhë në kohën tonë dhe me liderët tanë të dashur.
Ndaj sa më parë duhet nisur lëvizja për të nxjerrë në
pension ata që kanë nevojë për prehje edhe pse me ambicie të mëdha për pushtet
dhe lavdi.
No comments:
Post a Comment