(viim)
Elementët e ideologjisë fashiste janë pjesë e mendjes sonë.
Kush më shumë e kush më pak ka ndjenja raciste, të ksenofobisë, të
homofobizmit, të dyshimit të thellë ndaj shtetit dhe përfaqësuesve të tij, të
besimit të verbër ndaj një superlideri. Këto përbëjnë një tokë pjellore për lulëzimin
e tolerimit ndaj shprehjes së hapur të ideve fashiste. Dhe gjithshka fillon me
tolerimin. Më pas është më e vështirë ta ndalësh.
Mbështetja më e madhe ndaj ideve fashiste është në shtresat
e varfra dhe në ato të paarsimuara mirë. Përjashtim në Amerikë dhe në botë përbëjnë
të varfërit e minoriteteve të cilët ndjehen të rrezikuar nga fashizmi.
Ka një korelacion mbresëlënës mes përqindjes së atyre që kanë
mbaruar universitetet dhe ekzistencës së grupeve të ekstremit të djathtë në
shtetet e ndryshme të SHBA. Më të përhapur këta të fundit janë në shtetet e
Virxhinias Perëndimore, Oklahomas, Kentakit, Arkansas, ku përqindja e të
diplomuarve në universitete shkon nga 19-22%. Në të kundërt, në shtetet e
Kalifornisë, Masaçusetsit, Virxhinias, Nju Jorkut, ku përqindjet variojnë nga
33% në 42% mbështetësit e ekstremit të djathtë janë shumë më të pakët. E njëjta
dukuri ndodh në vendet e Europës Perëndimore dhe Lindore. Të paarsimuarit kanë
prirjen drejt ekstremit të djathtë. Të varfërit tërhiqen nga ekstremi i majtë
dhe ai i djathtë, që shpesh janë thuajse e njëjta gjë.
Por komunizmi ka më pak mundësi të përhapet sepse jo vetëm është
provuar si i dështuar kur ka qënë në pushtet, por edhe presupozon goditjen ndaj
pronës private dhe ndaj fesë, gjë që ka pak përkrahje në masat e gjera. Eshtë më
lehtë të godasësh të huajt, emigrantët, elitat, homoseksualët, gratë dhe armiqtë
kombëtarë shekullorë.
Fashistët shpesh maskohen prapa patriotizmit, duke rrahur
gjoksin se janë gati të bëjnë sakrificat më të mëdha për Atdheun dhe popullin e
tyre. Dhe me popullin fashistët e bardhë nënkuptojnë vetëm të bardhët, fashistët
islamikë nënkuptojnë vetëm besimtarët myslymanë, fashistët indianë - besimtarët
hindu, fashistët e vendeve të Afrikës Qëndrore nënkuptojnë vetëm tribunë e tyre
e kështu me rradhë.
Dhe për një puntor ndërtimi nga Karolina e Veriut , që punon
me orë të zgjatura për të mbajtur gruan dhe katër fëmijët dhe në mes të jetës e
sheh se është robtuar pa arritur as të lajë kredinë e shtëpisë, është e lehtë të
besojë se “sistemi është i kurdisur” kundër tij dhe për këtë e kanë fajin
elitat intelektuale dhe emigrantët e padokumentuar meksikanë. Për një bujk
bullgar, që nuk arrin të shesë prodhimet e parcelës së tij është e lehtë të
besojë se fajin e ka Bashkimi Europian, pakicat rome dhe gjyqtarët e
korruptuar. Një punëtor fabrike në Italinë e Veriut, që mbetet pa punë, e ka të
lehtë të besojë se fajin ja kanë emigrantët shqiptarë, politikanët e majtë që
lejojnë zbarkimin e afrikanëve dhe financierët gjermanë , që bëjnë ligjin në
BE.
Ndaj të gjithë të dëshpëruar mund të ndjekin një udhëheqës
populist të fortë, me shpresën se ai “do thajë moçalin e korrupsionit”, “do
kthejë në vendet e tyre prej m.. emigrantët”, “do forcojë ligjet kundër përdorimit
të drogave”, “do ndalë martesat mes homoseksualëve” dhe do “krijojë begati për
të gjithë vendalinjtë“. Dhe le të arrihen këto edhe me kufizim të të drejtave dhe
lirive, edhe me ca abuzime nga policia, por edhe sikur në fund të fundit, të
jetë ai në pushtet deri sa ta marrë Perëndia. Eshtë në natyrën e njeriut të
kërkojë, që shumicën e halleve dhe problemeve t’ja zgjidhë lideri-baba i
Kombit. Kështu i lindim ne vetë Diktatorët.
Nënshtrimi i plotë i Partisë Republikane ndaj Trump gjatë
viteve të fundit ishte një nga shenjat më të dëmshme kundër Demokracisë
amerikane. Frika se mund të humbnin në zgjedhjet e tyre individuale për shkak të
mesazheve në Twiter nga Presidenti, i ktheu thuajse të gjithë kongresmenët dhe
senatorët republikanë në kukulla memece ndaj çdo marrëzie apo veprimi
jodemokratik të “The Donald”. Një dukuri e tillë nuk ishte hasur gjatë 100
viteve të fundit në jetën politike amerikane. Senatori Xhon Mekkejn ishte zëri i
fundit i llogjikshëm në mbrojtje të institucioneve demokratike. Për herë të parë
ndodhi që Presidenti i Amerikës të bëjë thirrje “Clironi Miçiganin dhe
Virxhinian!”, që solli komplotin për rrëmbimin e guvernatores demokrate të Miçiganit
nga një bandë e armatosur ekstremistësh të djathtë. Për herë të parë zgjedhjet
në Amerikë konsiderohen si thellësisht të manipuluara nga Presidenti dhe përkrahësit
e tij. Sipas sondazheve , 70% e votuesve republikanë janë të bindur se Bajden
po shpallet President me vota të vjedhura. Kjo mund të sjellë, që në gjithë botën
të mbizotërojë ideja se “zgjedhjet kudo vidhen dhe si të tilla janë jo vetëm
farsë, por edhe të panevojshme”.
Fashizmi nuk është e kundërta e Komunizmit. Eshtë shumë i përafërt
me të.
Fashizmi është e kundërta e Demokracisë. Dhe me gjithë
problemet që sjellin globalizmi, thellimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve,
korrupsioni dhe krimi i organizuar, në një ditë jo të largët Fashizmi e format
e tij të maskuara do gjejë më shumë përkrahje dhe mund të vijë në pushtet në
vendet e zhvilluara Perëndimore. Ai do jetë Fillimi i Fundit.
Demokracia mbi të gjitha është Pjesëmarrje. Ndaj mund të
mbrohet vetëm e vetëm me pjesëmarrje të të gjithëve kundër prirjeve për të
monopolizuar politikën dhe për ta deformuar atë në maksimum.
No comments:
Post a Comment