Një miku im më thotë shpesh se jam shumë i Majtë. Në të njëjtën mënyrë, një tjetër mik i imi, më ngacmon se jam i Djathtë. Unë vetë nuk e di nëse i përkas ndonjë krahu politik, nëse jam konfuz, apo i ndroj krahët jo për interes, por thjesht se kam “shpirtin e kundërshtimit”. Do parapëlqeja të thoja ashtu si Xhiorxho Gaber, se “ç’është e Djathta dhe e Majta?’ në këngën e tij të famshme satirike“Destra-Sinistra”. Përsëri duke perifrazuar Xhiorxhon, më pëlqen të vesh xhinse, gjë që anon nga e Majta, por shkoj edhe të shoh një koncert me muzikë sinfonike, që është demonstrim i qartë se i përkas të Djathtës. Në restorant më shpesh porosit biftek Nju Jorku, gjë eskluzive e të Djathtës, por në kishë shkoj shumë rrallë, gjë që bëjnë Majtistët e thekur. E kështu mund të vazhdohet pafund me prirjet shoqërore - jetësore , që kanë të bëjnë pak ose aspak me krahët e politikës, të ndara ideologjikisht 100 e kusur vjet më parë dhe të mbajtura si të tilla për hir të dëshirës për të marrë pushtetin.
Bile edhe 100 vjet më parë, si mund t’i quaje të Majta
Partitë Komuniste, të cilat mbështesnin Bolshevikët, që në praktikën bazë të
tyre kishin kufizimin e lirive dhe të të drejtave të njeriu? Liritë dhe të
drejtat e Njeriut ishin në parimet kryesore të filozofisë majtiste në fillimet
e saj. Si e cilësonte në vitin 1934, filozofi marksist Kautsky “një Marksizëm që sundon me metodat e
Inkuizicionit Spanjoll,i kultivuar tek njerëzit me shpatë dhe me zjarr, me
rituale teatrale, si puna e balsamimit të Leninit; një Marksizëm i reduktuar jo
në një fe shtetërore, por më keq në një besim mesjetar oriental. Një Marksizëm
i tillë mund të quhet vetëm një fanatizëm indoktrinues.” Ndaj problemi
ideologjive dhe i krahëve politikë, në kohën e sotme është akoma më i përzjerë,
më i koklavitur dhe më dizorientues. Dhe shpesh njerëzit bëjnë pyetje të
llojit: Si ka mundësi , që ka miliarderë të së Majtës? Pse punëtorët votojnë për
Mari Le Pen? A është vërtet Kina
komuniste? Pse Bernie Sanders ka votuar pro ligjeve për të drejtën për të
mbajtur armë? E qindra të tjera si këto.
Në Demokracitë e sotme të zhvilluara (dhe jo vetëm në to) nuk
ka më parti të fuqishme, të cilat i përkasin një ideologjie të kristalizuar
ndaj aq më pak mund të ketë njerëz të së Majtës e të së Djathtës. Ata që rrahin
gjoksin se i përkasin një rryme të përcaktuar qartë, ose e bëjnë për demagogji,
ose nga që duan t’ju qëndrojnë besnikë grupimeve politike që kanë ndjekur në
rini, ose nga që kanë kuptuar shumë pak nga bota që na rrethon, ose se nuk
jetojnë dot pa patur kundërshtarë dhe armiq. Dhe e kam fjalën për njerëzit e
interesuar rreth politikës në Amerikën Veriore dhe Europën Perëndimore. Nëse
flasim për Europën Lindore, ku sundojnë kleptokratët, as që mund të bëhet fjalë
për Parti të Majta dhe të Djathta. Në ato vende, kur flitet se “mos e marrin
këta të Majtët!”, përkthehet mos e marrë kjo banda në të cilën nuk kemi njeri
të na ndihmojë dhe jo se mund të ndryshohen politikat sociale, ato ekonomike
apo ligje të caktuara.
Kur shkruaj rreth rrezikut të fashizmit e bëj jo se kam
bindje të majta, ashtu sikundër kur denoncoj krimet e komunizmit në Shqipëri
nuk e bëj se jam një i djathtë i bindur. Unë besoj se fashizmi ashtu si
komunizmi në pushtet kanë qënë dhe janë dy sisteme shumë të ngjashëm edhe pse në
armiqësi me njëri tjetrin. (Nuk e kishin të vështirë edhe të bënin aleanca si
psh pakti Molotov-Ribentrop). Shembull domethënës është Kina e sotme, që e quan
veten komuniste dhe është një shtet me aspirata tërësisht fashiste.
Gjithashtu besoj se mbajtja e grupimeve të tilla politike, që
shtiren se i përkasin të Majtës apo të Djathtës vetëm se helmon jetën shoqërore
dhe i ve njerëzit në një kundërshtim të vazhdueshëm (edhe pse ndoshta jo të
dhunshëm) me njëri tjetrin. Ndarja në Ne dhe në Ata është në rrënjët e
konflikteve të sotme midis grupimeve shoqërore, etnive dhe grupeve të interesit.
Mund ta pranoj se jam pjesërisht “i Majtë“ në se flasim për
të qënit kozmopolit, gjë që shprehet bukur nga Xhejms Xhojs: “Nuk kam për t’i shërbyer më diçkaje në të
cilën nuk besoj, le të quhet vendi im, atdheu im apo kisha ime; dhe do mundohem
ta shpreh veten qoftë nëpërmjet artit apo të jetuarit në mënyrën më të plotë
dhe më të lirë që do mundem,…”
Po nëse “të Djathtë“ më bën bindja se në shoqërinë e sotme
njerëzore Besimi Fetar është i domosdoshëm unë e pranoj që jam i Djathtë. Dhe
po aq e domosdoshme është jo vetëm e drejta e gjithkujt të praktikojë fenë e
tij, por sidomos i domosdoshëm është ndalimi i sulmeve ndaj feve të tjera qoftë
i veshur me petkun e modernizmit apo atë të luftës ndaj terrorizmit.
Ka diçka tjetër në të cilën besoj thellësisht dhe që
gjithmonë kam menduar se duhet të ishte kauzë e të Djathtës konservatore, por për
fat të keq nuk është. Mbrojtja dhe konservimi i Mjedisit për një të ardhme më të
mirë të brezave që vijnë. Ka edhe shumë bindje të tjera duke nisur me
zvogëlimin e rolit të shtetit, martesës së homoseksualëve, uljen e taksave,
shkatërrimin e armëve nukleare, të drejtën e abortit, e dhjetra të tjera më ose
më pak të rëndësishme, që më degdisin herë djathtas dhe herë majtas. Dhe jo se
jam i paqëndrueshëm në bindjet e mija, por se shumica e njerëzve janë dhe duhet
të jenë të tillë. Të çliruar nga dogmat dhe ideologjitë. Të prirur për të
mësuar më shumë dhe për të ndryshuar bindjet e gabuara. Të vendosur në bindjen
se askush nuk ka monopolin e të Vërtetës dhe të së Drejtës.
Im atë më quante “gauche”. Jo se shihte prijet e mija të
majta, por se jam tmerrësisht jo i ndorshëm.
No comments:
Post a Comment