Edhe pse me karakteristika të veçanta, periudha që po kalojmë, ka një ngjashmëri historike me fillimin e viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur lindi fashizmi si ideologji dhe u instalua më vonë në pushtet në disa vende europiane.
Shumica e shteteveve europiane në fund të Luftës së Parë Botërore
ishin republika ose monarki parlamentare. Jeta politike ishte shumë e trazuar,
me përpjekje pas përpjekjesh për grushte shteti, me vrasje kundërshtarësh
politikë, me një lloj nevrastenie në debatet në parlament. Jeta shoqërore ishte
tejet liberale dhe në shumë qytete të mëdha deri në shthurrje të moralit
ekzistues. Inflacioni ishte i lartë dhe po ashtu edhe papunësia, por bursat lulëzonin.
Ideologjitë socialiste dhe komuniste gjithashtu ishin në lulëzim të plotë. Mbi
pabarëzitë sociale dhe shoqërore ishin ngritur dy rryma kundërshtare për
kontrollin e pushtetit :ajo nacional – socialiste dhe ajo komuniste. Të dyja
kundërshtare të betuara të demokracisë liberale.
Nacionalizmi dhe mbrojtja me çdo më nyrë e interesave të
vendit(deri me përlasje të armatosur)ishin në themel të fashizmit, së bashku me
krijimin e një gërshetimi të klasave brenda
shoqërisë, nën drejtimin e një partie të vetme, si parti-shtet dhe një lideri të
fortë të quajtur hapur ose jo diktator. Por edhe karakteristikat e fashizmit
ishin të ndryshme në varësi të karakteristikave të popullsisë dhe të udhëheqsve
të tyre. Nëse fashizmi i Musolinit zëvendësonte “luftën e klasave” me “revolucionin
nacionalist”, nazizmi i Hitlerit kishte në bazë “socialdarvinizmin dhe epërsinë
e racës ariane”. Fashizmi i Frankos ishte i një lloj “nacional katoliçizmi” i drejtuar
kundër komunistëve dhe masonëve; ai i Salazarit ishte jo vetëm kundër partive
liberale por edhe kundër nacional socialistëve, kurse austrofashizmi i Dollfuss-it
ishte I natyrës të “shtetit korporatë“ që përjashtonte gjithë partitë, jo vetëm
ato ekstremiste, por edhe ato të moderuara. Tek Musolini dhe Hitleri, elementët
e populizmit ishin në pakufi, kurse tek të tjerët dhe sidomos në Salazari ishin
fare të pakta.
Edhe mënyra e ardhjes në pushtet ndryshonte nga njëri diktator
në tjetri, Musolini pati bërë një grusht shteti të butë(pa viktima), Hitleri
dhe Dollfuss kishin ardhur në krye pas zgjedhjeve të lira, ndërsa Salazari zëvendësoi
diktatorët ushtarakë paraardhës. Vetëm Frankoja kishte marrë pushtetin pas një
lufte të gjatë civile, që solli shumë viktima. Fundi i diktaturave fashiste ishte
gjithashtu i ndryshëm. Në Gjermani , Itali dhe Austri erdhi pas pushtimit nga
Aleatët. Në Spanjë, me vdekjen e Frankos
u kalua në një monarki parlamentare, e projektuar nga vetë Frankoja. Në Portugali,
katër vjet pas vdekjes së Salazarit, diktatura fashiste u rrëzua me grusht
shteti nga një grup ushtarakësh të majtë dhe kalimi në republikë zgjati për
disa vjet dhe jo pa trazira.
Me përjashtim të Spanjës, gjithë diktaturat fashiste sollën
gjallërim të ekonomisë në vendet e tyre. Kjo e bëri më të suksesshme propagandën
e regjimeve. U duk se e ardhmja e mënyrës të organizimit të shteteve i përkiste
diktaturave. E megjithatë në Angli, fashizmi britanik i Mosley-t nuk arriti të
gjente mbështetje të gjerë në popullsi. Po ashtu në Francë, edhe pse të shumtë
në numur, grupet e ekstremit të djathtë nuk arritën asnjëherë të formonin një lëvizje
masive, që mund të synonte marrjen e pushtetit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment