Në ekran duket një burrë mbi të tridhjetat, që ka veshur një bluzë ku shkruhet “Jezui është Shpëtimtari im- Trump është Presidenti im”. Proteston me zjarr kundër rezultatit të zgjedhjeve të shpallura nga mediat. Sipas tij zgjedhje të vjedhura nga Demokratët në bashkëpunim me Mediat e mëdha dhe Korporatat e mëdha Teknologjike (Big Tech). Janë përsëritja e e fjalëve të Presidentit Trump. As më pak dhe as më shumë. Në sytë e mbështetësit të Trump-it ka urrejtje, dëshpërim, thua se ka erdhur fundi i botës. Dhe nuk është i vetëm.
Ka një lidhje të fortë mes besimtarëve evangjelistë dhe
Donald Trump. Eshtë pak e çuditshme se
Presidenti jo vetëm nuk është ndonjë fetar i thekur, por ka shumë mundësi të
besojë vetëm në Pushteti i Parasë dhe jo në Krijuesi. Në kishë shkon vetëm një
herë në vit dhe kur e kanë pyetur se cilin paragraf të Biblës ka më të
preferuarin, është përgjigjur “Të gjithë Biblën”. Sigurisht, si demagog që është,
në mitingjet elektorale përmend herë herë Zotin (shumë herë më pak se sa përmend
mbiemrin Trump), si dhe pas një proteste të kundërshtarëve të tij në Uashington
gjatë verës, doli në foto me Biblën në dorë para një kishe në afërsi të Shtëpisë
së Bardhë.
Po si është e mundur që një politikan si Trump, jo fetar dhe
me një jetë të mbushur me skandale tradhëtish bashkëshortore, mashtrimesh
financiare, gënjeshtrash nga më të ndryshmet të tërheqë kaq shumë besimtarë pas
vetes?
Arsyet janë disa, por më kryesorja është se shumë
evangjelist kanë bindjen se Obama është Antikrishti. Dhe sipas interpretimit të
tyre të Biblës, ardhja në fuqi e tij shënonte fillimin e Apokalipsit. Sulmet e
vazhdueshme të “The Donald” kundër Obamës, rreth vendit ku kishte lindur, apo
aludimet se ishte myslyman, krijuan bindjen se Trump do i shpëtonte nga “Antikrishti”.
Në një sondazh gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, 65% e pasuesve të Trump
besonin se Obama ishte myslyman. (Obama është i krishterë protestant.)
Gjatë periudhës presidenciale Trump emëroi tre gjykatës
konservatorë në Gjykatën e Lartë, si dhe shumë të tjerë në gjykatat federale të
niveleve më të ulta, gjë që ngjalli shpresat e evangjelistëve për të hedhur
poshtë ligjet, që lejonin abortin dhe martesat e njerëzve të të njëjtit seks. Për
shumë e shumë fondamentalistë kristianë, këto janë çështje më të rëndësishme se
ekonomia, të drejtat e njeriut, ekologjia apo drejtësia sociale.
Ndaj edhe humbja e Trump ju duket si prag Apokalipsi dhe si
e tillë e drejtuar kundër Zotit dhe e pamundur që të ndodhë pa mashtrime dhe
vjedhje të përmasave stërmëdha. E ushqyer nga vetë Trump dhe nga bashkëpuntorët
e tij, teoria e “vjedhjes së votave” do vazhdojë të jetë ekzistenciale për shumë
fanatikë fetarë. Kjo është arsyeja, që ahpërsimi I luftës politike në Amerikë
do vazhdojë edhe për 4 vitet e tjera dhe ndoshta edhe më gjatë. Goditja që i dha
“The Donald” besimit të amerikanëve në zgjedhjet e lira dhe të ndershme do
ndjehet për shumë kohë. Fanatizmi fetar është një forcë shumë e madhe në shoqërinë
amerikane, po ta krahasojmë me shoqëritë e përparuara europiane.
A do ketë një Antikrisht tjetër dhe një Shpëtimtar tjetër në
zgjedhjet e ardhme?
Të shohim se cila do jetë gjuha që do përdorë Trump kundër
Kamala Harris. Një gjë është e sigurt, që burri me bluzë ku shkruhet “Krishti është
Shpëtimtari im – Trump është Presidenti im” do e ndjekë symbyllazi.
No comments:
Post a Comment