Ka disa arsye, që Trump nuk ka respektuar institucionet demokratike amerikane dhe tani së fundi po i dëmton akoma më tepër.
Ka të bëjë me karakterin dhe formimin e tij si njeri , si
edhe me karrierën e tij prej biznesmeni.
Nuk ka dyshim as mes përkrahësve të tij, që Trump është një narcisist
egocentrik i niveleve më të larta. Edhe pa e cilësuar si sociopath,
karakteristikat thelbësore të natyrave të tilla janë mungesa e dhembshurisë për
të tjerët, mosrespektimi i rregullave shoqërore kur bien ndesh me interesat
vetiake dhe mosdallimi i realiteti në mënyrn si perceptohet nga shumica e njerëzve.
Këtyre cilësive ju shtohet edhe fakti i mungesës së kulturës së përgjithshme
dhe njohjes së historisë të Njerëzimit në përgjithësi si dhe të historisë
amerikane. Trump-it nuk i mungon zgjuarsia, sisomos ajo intuitive, por ka lexuar
shumë pak gjatë jetës së tij. Se si të sillet në jetë e ka mësuar në familje
dhe gjatë veprimtarisë së tij si biznesmen. Dhe si dëshmohet në librin e të
mbesës, i jati ishte një biznesmen i paskrupullt, që mund të bënte çdo gjë për
të arritur suksesin dhe këtë mbrujti edhe në fëmijët e tij, sidomos në Trumpi.
Edhe natyra e biznesit të tyre, (ndërtim dhe pasuri të
palujtshme), sidomos në Nju Jork, ka si përbërës shpesh marëdhënie jo shumë të
pastra, luftë të pamëshirshme me konkurentët dhe marëdhënie me krimin e
organizuar, sidomos me mafian italo-amerikane. Trump dallohej për shfrytëzimin
e avantazheve mbi të tjerët, si për
manovrimet për pagimin e taksave, presionet e hapura ndaj atyre që i bëheshin
pengesë dhe gjyqet e panumurta. Kompania e tij ka pasur trefishin e konflikteve
gjyqësore, krahasuar me mesataren e kompanive të tjera të të njëjtit profil.
Kanë qënë të shumta rastet që Trump nuk paguante avokatët, arkitektët dhe shumë
kontraktues të tjerë.
Këtë mentalitet dhe mënyrë të drejtuari solli edhe në Shtëpinë
e Bardhë. “The Donald” është munduar të arrijë çdo gjë që i duket e mirë, ose më
mirë të themi në dobi të tij, pa pasur asnjë skrupul moral dhe pa përfillur
rregullat dhe institucionet. Vazhdimisht ka shprehur hapur simpatinë për udhëheqësit
autoritarë duke filluar me Putin, Orban, Erdogan dhe deri në princi saudit
Salman. Më se absurde ishin elozhet e tij ndaj diktatorit Korean Kim Xhong Un,
të cilin e cilësonte si njeri “që e deshte shumë atdheun”. Në të kundërt,
demokracitë europiane nisi t’i konsideronte si kundërshtarë duke thënë shpesh që
“aleatët ta futin”.
Trump e shëndroi Partinë Republikane në Trump Parti. Sidomos
pas vdekjes të Xhon Mekkejn, mes politikanëve republikanë nuk kishte më zëra kundërshtarë
ndaj politikave të Trump dhe sidomos sjelljes së tij ndaj ligjeve dhe
institucioneve. Edhe pse republikanët humbën Kongresin në zgjedhjet e ndërmjetme
të vitit 2018, askush mes tyre nuk u përpoq hapur të kundërshtonte bullizmin e
Trump-it. Të gjithë trembeshin se kundërvënia ndaj tij do sillte largimin e
tyre nga Senati apo Kongresi në zgjedhjet e ardhme. Anëtarët e kabinetit , që
kundërshtonin, filluar me Sekretarin e Shtetit Tajlerson, Sekretari i Mbrojtjes
Mathjus, Shefi i Stafit Kelli, Prokurori i Përgjithshëm Seshëns dhe shumë të
tjerë u pushuan ose u detyruan të jepnin dorëheqje. Trump kërkonte besnikëri të
verbër nga vartësit e tij.
“The Donald” qëllimisht ka hedhur hije dyshimi mbi
institucionin bazë të Demokracisë amerikane, që është ai i Zgjedhjeve të Lira.
Që në fushatën e vitit 2016, i trembur se mund të humbiste përballë Hillërit, ai
vazhdimisht predikonte se në rast humbjeje, spjegimi i vetëm ishte që zgjedhjet
kishin qënë të manipuluara. Asnjë kandidat për President deri atëhere nuk
kishte bërë deklarata të tilla. Duke njohur natyrën e Trump, shumë analistë,
politikanë dhe gazetarë u tallën me deklaratat e tij. Por hijet e dyshimit u
ngulën në mendjet e shumë amerikanëve, sidomos të atyre që nuk kanë besim në
shteti dhe në institucionet e tij. Dhe janë një masë jo e vogël. Të njëjtat
deklarata bëri gjatë kësaj fushate, duke përgatitur terrenin, që në rast
humbjeje të mos i njihte zgjedhjet.
Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme janë në bazë të Demokracisë
Amerikane. Nga të gjithë studiuesit e pavarur, është konkluduar se çrregullimet
ose mashtrimet në votime gjatë gjithë historisë së Republikës Amerikane kanë qënë
të papërfillshme. Kjo ka bërë që dhe kalimi i pushtetit nga një President në tjetri,
nga një Parti në një tjetër të jetë normal, i butë dhe dinjitoz. Për herë të
parë po ndodh kjo që po ndodh këto ditë.
Dëmi është serioz për të gjithë botën që aspiron për
Demokraci. Njollosja e Demokracisë amerikane ju shërben vetëm diktatorëve, “dorëhekurve”
dhe politikanëve populistë. Në Europën Lindore, në Lindjen e Mesme, në Amerikën
Latine, thashethemet se “ zgjedhjet vidhen kudo” kanë marrë përmasa të
llahtarshme.
Ndaj Trump dhe Trampizmi duhen luftuar vazhdimisht dhe pa ju
bërë asnjë lloj lëshimi.
No comments:
Post a Comment