Nik Hanauer e ka shkruar kete leter te hapur, e cila ju drejtohet zilionereve, ne vitin 2014. Shume pak gjera kane ndryshuar ne keto 6 vjet ndaj problemi sot eshte bere edhe me i mprehte. Po e ndaj ne dy pjese per shkak te gjatesise te shkrimit.
Ju ndoshta nuk më njihni, por unë jam një prej jush, pjesë në
.01% të popullsisë, një kapitalist krenar që nuk ka përse të kërkojë ndjesë.
Kam themeluar vetë dhe me të tjerë mbi 30 kompani në fusha nga më të ndryshmet,
prej më të voglave, si një klub nate që hapa kur isha në të 20tat, dhe deri në gjigande
si Amazon.com, në të cilën isha i
vetmi investitor, jo pjestar familjes. Më vonë krijova aQuantive, një kompani reklamimi në internet, të cilën më 2007 e
bleu Microsoft për 6.4 miliard dollarë. Para në dorë. Bashkë me disa miq kemi
një bankë. Ja u them të gjitha këto për t’ju treguar se pak a shumë nuk
ndryshoj nga ju. Edhe unë, sikundër ju, kam një shikim të plotë mbi bizneset
dhe kapitalizmin. Dhe gjithashtu si ju, në sajë të suksesit shijoj një jetë, të
cilën 99.99% e amerikanëve nuk mund ta shohin as në ëndërr. Disa vila, aeropan
personal etj.,etj. E dini përse bëhet fjalë.
Në vitin 1992 ju shisja jastëkë për llogari të kompanisë të
familjes time Pacific Coast Feather Co., dyqaneve në të gjithë vendin dhe
Interneti posa ishte shpikur. Shpejt e kuptova se shumë nga klientët tanë,
firma të mëdha dyqanesh, do e kishin jo të largët fundin. Dukej që kur
Interenti të rriste shpejtësinë dhe të fitonte besimin në konsumatorët, blerjet
online do shkonin në qiell. Adio Caldor! Adio Filene’s! Edhe Borders. Dhe të
tjerë e të tjerë.
Nga që kuptova këtë që po vinte, pak më shpejt se të tjerët,
zuri fill pikënisja e suksesit tim. Pata fat se kisha edhe dy shokë shumë të
talentuar që gjithashtu parashikuan mundësitë e mëdha që sillte Interneti. I
pari ishte Xhef Tauber, të cilin ka shumë mundësi mos e kini dëgjuar kurrë, ndërsa
tjetri ishte Xhef Bezos. Isha shumë entuziast dhe ju thashë të dy Xhefëve se çdo
gjë që të nisnin unë isha gati të investoja shumë para. Qëlloi që i pari që kërkoi
investim nga unë ishte Bezos. Kështu u angazhova në hapjen e ueb-it të tij modest
të shitjes së librave. Xhefi tjetër hapi një ueb të quajtur Cybershop, si një
lloj supermerkati industrial, por në atë kohë besimi në Internet ishte ende i
ulët ndaj ishte herët për t’ju shitur njerëzve on-line produkte të shtrenjta
(ndryshe nga librat, që nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në cilësi – intuita e
Bezos). Cybershop dështoi, si plot kompani .com.
Amazon arriti të bënte ca më mirë. Tani
kam një jaht shumë të madh.
Po le të jem i sinqertë. Unë nuk jam më i zgjuari që keni
takuar dhe as puntori më i zellshëm. Kam qënë student mediokër. Nuk kam as
prirje për teknollogjitë e reja- nuk shkruaj dot asnjë kod programimi. Ajo që më
veçon nga të tjerët, mendoj, është prirja për të riskuar dhe një lloj intuite
se ku po shkojnë në të ardhmen ngjarjet e lidhura me bizneset dhe me
inisiativat private. Dhe ç’më fanepset mua sot?
Shikoj që po vijnë
ata me cfurqe!
Ndërkohë që njerëz si ju dhe si unë po gëzojnë më shumë se ç’pat
ëndërruar plutokrati më ambicioz në Historinë e Njerëzimit, pjesa tjetër e
vendit, 99.99% është shumë shumë më poshtë. Diferenca mes Kamsave dhe Skamsave
po rritet në mënyrë marramendëse. Në
vitin 1980, 1% e më të pasurve merrnin 8% të të ardhurave vjetore, ndërsa
gjysma më e varfër e popullsisë merrte në total 20% të të gjithë të ardhurave.
Sot (viti 2014 sh.p.) i njëjti 1%
merr 18% të të ardhurave vjetore dhe gjysma (e poshtme) merr vetëm 12%.
Por problem nuk është thjesht pabarazia. Kjo në një farë
mase është thelbësore për funksionimin e çdo ekonomie të zhvilluar kapitaliste.
Problemi është se pabarazia në ndarjen e të ardhurave është sot në nivele
historikisht të papara dhe sa vjen e po shtohet. Vendi jonë në mënyrë të
rrufeshme po kthehet nga një shoqëri kapitaliste në një shoqëri feudale. Nëse
politikat ekonomike nuk ndryshohen ndjeshëm, klasa e mesme do zhduket dhe ne do
kthehemi në një shoqëri të ngjashme me atë franceze të shekullit të XVIII. Atë
para Revolucionit Francez.
Ndaj kam një mesazh për miqtë e mij që notojnë në pasuri, për
ne që jetojmë në botët tona të mbrojtura e të izoluara: Zgjohuni! Nuk ka për të
zgjatur shumë!
Nëse nuk bëjmë tani diçka për të korrigjuar pabarazitë
verbuese ekonomike, cfurqet po vijnë për të na u ngulur. S’ka shoqëri që mund të
ekzistojë gjatë me këtë lloj pabarazije në rritje të vazhdueshme. Nuk ka
shembuj në historinë njerëzore, kur pasuritë janë mbledhur në fare pak duar dhe
nuk janë ngritur cfurqet dhe kosoret. Më tregoni një të tillë dhe do ju tregoj
një shtet policor. Ose një kryengritje. Nuk ka shembuj të kundërt. Asnjë. Cështja
nuk është nëse do ndodhë , por kur do ndodhë.
Shumë nga ne mendojnë se ne jemi veçan se “këtu i thonë
Amerikë“. Mendojnë se kemi imunitet ndaj forcave që nisën Pranverën Arabe, apo
më të hershmet, ato që bënë Revolucionin Francez dhe Revolucionin Rus. Njoh
shumë nga .01%-shat që rreken ta hedhin poshtë këtë teori; disa nga ju ma kanë
thënë në sy që kam rrjedhur. Dhe shumë nga ju jinni të bindur se pabarazia është
një përrallë, meqënëse kini parë fëmijë të varfër që flasin në iPhone.
Po ju them: Ju jetoni në një botë iluzore. Ajo që doni të
besoni është se kur gjërat të arrijnë një pikë vlimi dhe të kthehen nga një
gjendje e mjeruar e masave në një destabilizim të rrezikshëm shoqëror, ne do
arrijmë t’i bëjmë ndryshimet e duhura pët t’i ndalur. Kushdo që studion histori
e di që ngjarjet nuk zhvillohen kështu. Revolucionet, ashtu si falimentimet,
vijnë gradualisht dhe shpërthejnë papritur. Një mëngjes, dikush i ve zjarrin
vetes në rrugë dhe mijra njerëz shpërthejnë dhe para se ta marrësh vesh gjithë
vendi merr zjarr. Dhe nuk do ketë kohë për ne të hipim avionët personalë dhe të
degdisemi në Zelandën e Re. Kështu ka ndodhur gjithnjë. Nuk do jemi në gjendje
ta parashikojmë se kur do ndodhë dhe do jetë tmerr për të gjithë. Në mënyrë të
veçantë për ne.
* * *
(vijon)
No comments:
Post a Comment