Teoritë konspirative nuk kanë dalë për herë të parë këtë vit. Janë të hershme sa edhe shoqëria njerëzore. Vitet e fundit janë rritur së tepërmi për shkak të rrjeteve sociale, të cilat nuk kërkojnë as verifikim të fakteve dhe as disa burime të tyre, sikundër kanë kërkuar vazhdimisht mjetet serioze të informacionit.
Këtë vit, për shkak të problemeve të një shkalle të jashtëzakonshme
, që solli pandemia e Covid-19, u rritën në mënyrë eksponenciale. Nuk ishin më
thjesht teori konspirative kundër vaksinimit (për sa kohë që prodhohen vaksina,
ka teori që ato bëhen nga grupe të caktuara për sterilizim të popullsisë, shpëlarje
të trurit, shfarosje në masë etj.). Teoritë nisnin me instalim të mikroçipeve
dhe vazhdonin me mohim të virusit, me krijimin artificial të tij e deri në më
absurdet - që këto janë shenjat se po i vjen fundi botës.
Fakti që fantazia njerëzore është e pafundme (ashtu si Gjithësia)
dhe mund të krijojë lloj lloj skenaresh dhe të sjellë fakte e pseudofakte në
favor të tyre, më solli ndërmend një ngjarje të qytetit tim të 50 viteve më parë.
Në prag të verës(nëse nuk gaboj muajin e saktë), në një mbrëmje të qetë, një
numur gurësh ranë njëri pas tjetrit në çatinë e një mjeku të njohur të qytetit,
Dr. Napuçes. E njëjta gjë u përsërit një natë më vonë, që duket solli ankimin në
polici nga familja e mjekut. Ishin kohë të qeta, sepse nën Diktaturë nuk kishte
shpesh gjëra të pazakonta. Shteti me veglat e tij represive kishte thuajse çdo
gjë në kontroll. E megjithë angazhimin e policisë dhe Degës së Punëve të Brendëshme
gurët në çatinë e doktorit vazhduan të binin edhe natën e tretë dhe të katërt.
Tashmë “gurët e Napuçes” ishin kthyer në biseda e vetme në të gjithë Korçën. Një
pjesë e mirë e qytetit shkonte në mbrëmje në mëhallën e ku ndodhej shtëpia dhe
priste nëse do fillonte përsëri gurërnia. Dhe thuajse për një orë ose dy, herë pas here dëgjoheshin
gurët që binin mbi tjegullat e shtëpisë.
Mres njerëzve qarkullonin thashetheme nga më të ndryshmet. “Gurët
janë të një dimensioni ekzakt dhe shumë të lëmuar”; “disa nga gurët kanë përshkuar
çuditërisht çatinë“; “në një gur ishte shkruar – jam ëngjëlli Gabriel, vij për
të marrë Benjaminin”; “gurët janë të bardhë dhe i kanë shpënë në Tiranë për t’i
analizuar”. Edhe shumë e shumë ekzagjerime të tjera kishte rreth gurëve,
intervaleve të sakta të rënies, zhdukjes misterioze të tyre etj. Pyetjet e
natryrshme ishin se “Kush i hedh, nga i hedhin dhe pse i hedhin pikërisht mbi ëatinë
e doktorit dhe jo në vend tjetër?”. Dikush betohej se kishte parë natën një
grup njerëzish me mjekër, që tërhiqnin brenda kanaleve të TEC-it një lloj arme
që shërbente për gurëhedhje me saktësi.( Atë vit bëheshin instalimet e rrjetit
të ngrohjes së qytetit me avull nga TEC-i). Të tjerë ishin të sigurt se
hidheshin nga matanë kufirit nga armiqtë monarko-fashistë. Kishte shumë që
jepnin spjegime qiellore ose të tjerë që përmendnin fenomene paranormale. Dhe e
gjithë kjo valë hamendjesh dhe fantazish njerëzore, tërbonte Sigurimin e
Shtetit, që merrte vesh se ç’flitej në shtratet e njerëzve por me gjithë praninë
rreth shtëpisë të diktorit nuk zbulonte dot se nga vinin gurët.
Më në fund, për çlirimin e anktheve të të gjithë qytetit, u
zbulua se gurët prej kalldrëmi i hidhte një elektriçist komshi me doktorin, që
duket se kishte ndonjë inat me fqinjin e tij dhe pasi ngjarja kishte bërë bujë,
ishte ekzaltuar dhe e kishte vazhduar edhe për dhjetë ose më shumë ditë të tjera.
I shkreti e pagoi me burg të rëndë një veprim gati fëminor.
Por nëse për të hedhur poshtë teoritë komplotiste të “gurëve
të thjeshtë“, mbi një “çati të thjeshtë“ të një “qyteti të thjeshtë“ mjaftonte
kapja e autorit dhe rrëfimi i tij, të hedhësh poshtë se pas vaksinës apo
humbjes së Trump=it në zgjedhje janë Sorros, Bill Gates, Rotshildët, kabala
pedofile apo Vëllazëria e Gjarpërit është e pamundur. Sa më të pabesueshme të
duken ato teori, aq më e vështirë është për t’i kundërshtuar. Në to nuk ka asnjë
fakt shkencor, sepse janë të ndërtuara mbi argumenta antishkencë.
Në bazë të tyre është ideja se në këtë botë “gjithshka është
e kurdisur”. Cdo argument , që kundërshton këtë ide është ose naiv , ose që
mbrohet nga njerëz me interesa të caktuara ose të lidhur me Masonët, Iluminatit,
Amerikën, Zionistët, Marksistët dhe padyshim edhe Alienët.
Ndaj nuk duhet harxhuar fryma për t’i kundërshtuar.
Thjesht duhen injoruar.
No comments:
Post a Comment