Më ka rënë në sy, dikush, që e ka cilësuar Benin në FB si “humanist
sekular” shkruan disa herë rrjesht me mllef dhe urrejtje për Nënë Terezën. Eshtë
i vetëdeklaruar Ateist edhe pse unë
dyshoj shumë në të padijshmit, që hiqen se besojnë se në Univers nuk ka Zot apo
Fuqi të tjera të Jashtëzakonshme. Shumë prej tyre nuk kanë një ide të qartë se
si është Universi. E megjithatë bëjnë be e rrufe, që kanë të njëjtin ateizëm si
Ainshtaini, Bill Rusell apo Richard Dawkins.
Gjithsesi, i vetshpalluri ateist, nuk është i vetmi shqiptar,
që shpreh përbuzjen për Nënë Terezën. Në qarqe fondamentalistësh ka shumë të
tillë. Ka edhe në qarqet e atyre, që nuk besojnë dhe urrejnë çdo qënie, që vesh
raso, veladon, xhybe apo zhgun, që tregon se i përket një sekti fetar.
Unë nuk di nëse njeriu lind me një raport të caktuar
energjish pozitive dhe negative. Nuk di as nëse mund të ndryshojë gjatë jetës
dhe të dojë më shumë se të urrejë apo e kundërta. Vetëm s’arrij dot të kuptoj se si mund të kesh urrejtje apo përçmim për një
plakë të palodhur, që ju përkushtua gjithë jetën të tjerëve, dhe jo vetëm të
tjerëve por të braktisurve, të sëmurëve rëndë, të pangrënëve, të zgjebosurve,
lebrozëve, të palarëve, të paplangëve. I shpëtonte dhe ju ngjallte shpresë.
Në emër të cilës së vërtetë këta të padijshëm nuk përulen
para veprës së kësaj Zonje të Jashtëzakonshme?
Sepse besonte në Zot?
Para disa javësh, Beni kishte shkruar një artikull të
titulluar “Bigot”, ku pak a shumë e cilësonte Maks Velon si një “bigot”, që nuk
“ngre dot pantallonat”. (Maksi është i tillë edhe pse me pantallona të rëna unë
nuk e kam parë.)
Po a nuk janë po aq “bigotë“ ateistët e padijshëm, që në
urrejtjen e tyre të verbër ndaj besimeve fetare sulmojnë edhe gjërat më të
thella e më të bukura, që ka krijuar Njerëzimi për sa kohë ekziston?
Ndoshta nuk duhet të shkruaj për “bigotët”, si për ata, që i
ngrenë dot poturet dhe as për ata, që nuk i mbajnë dot pa tiranta.
Doja vetëm të përsërisja, se sa të lumtur janë ata që janë të
mbushur me një dashuri të pakufishme, si ishte Nënë Tereza.
No comments:
Post a Comment