Shumë dhjetëvjeçarë më parë tregonin për dy miq paqedashës,
që pinin për ditë kafe ose raki në kafene dhe çuditeshin se si ziheshin të tjerët.
Rrinin e bisedonin me njëri tjetrin dhe nuk ju a rrokte dot mendja se si të
tjerët fillonin sherrin. Një ditë, pas disa breshëri pyetjesh që nuk gjenin përgjigje
“Po si zihen bre?”, “Po hë o si zihen?”, “E po si ka mundësi që zihen?”, “Po hë
bre si zihen?”, njëri prej tyre e humbi durimin dhe I tha tjetrit “Si të të pëlcasin!”
dhe që atë çast filloi një sherr i madh me “të të pëlcasin e të të rrjedhin!”,
e që përfundoi me karrige të thyera në kokën e njëri tjetrit.
Nuk kam dëgjuar nga njeri, që të thotë jam kundër paqes e
megjithatë zënkat dhe luftrat midis nesh, njerëzve paqedashës nisin për hiçmosgjë
deri sa vritemi e pritemi me të huajt dhe kur bëjmë paqe me ta i lëshohemi njëri
tjetrit.
Mënyra më e lehtë për të filluar një sherr është t’i thuash
tjetrit “unë jam më i mirë se ti!”. (Edhe një pjesë prej nesh , që thonë në FB
“je yll”, “supermodele”, “çift i paarritshëm’, “dukeni si 18 vjeç”e bëjmë për
hir të paqes se e dimë, ë po i thamë njëri tjetrit “bobo sa je plakur!”, “ç’të është
skuqur hunda kështu?” apo “rrëzo ca qillo se je bërë si dysheçkë“ pëlcet sherri
dhe mbase edhe ndonjë konfrontim fizik.)
Këtë gjë e di fare mirë gazeta “MAPO”, po në vend të luajë
rolin që ka shtypi i përgjegjshëm në një shoqëri të përparuar, boton një
intervistë, që na fut në sherr të gjithëve me vetveten dhe me shoshoqin. E them
të gjithëve, se zor të gjesh sot në Shqipëri “toskë të pastër” apo “gegë të
kulluar”. Le që të tillë nuk kanë ekzistuar kurrë në trojet ku rrinë shqiptarët,
se njerëzit kanë lëvizur nga një qoshe në një qoshe tjetër, për t’ju shpëtuar
taksave, për futje në hasmëri, për thatësirë të vazhdueshme në një zonë, për t’i
shpëtuar një sundimtari të egër e për shumë arsye të tjera të mbijetesës në kohët
e vështira të Mesjetës. Dihen lëvizjet e gegëve drejt bregdetit të Jonit pas rënies
së Skënderbeut, flitet se një pjesë e mirë e fshatrave të Kolonjës janë krijuar
nga tropojanë, disa fshatra të Oparit nga të ardhur nga Shpati i Elbasanit,
fshatra të tjerë të Korçës me të ardhur nga Suli i Greqisë etj etj.
Për më tepër, gjatë shekullit që kaloi, kur u ndërtuan më
shumë rrugë dhe ura, u shtuan martesat ndërmjet krahinave të ndryshme të Shqipërisë
dhe brezat e sotëm janë plotësisht të përzjerë.
Por edhe sikur vërtet, në Shqipëri të ekzistojnë grupe shoqërore
me cilësi të ndryshme dhe karakteristika të ndryshme, ç’dobi sjell t’i drejtohemi
njëri tjetrit se “mali im është më i lartë“ apo se “unë nuk i heq këpucët kur
hyj në shtëpinë e tjetrit”?
Këtë përgjigje gazetari -autor i intervistës të shumëfolur këto
ditë jo vetëm nuk e jep, por ngul këmbë me kokëfortësi, se “e vërteta duhet thënë“.
Le të pranojmë për një çast, se është e vërtetë, që ne korçarët
jemi më punëtorë se të tjerët dhe e respektojmë ligjin më mirë se të tjerët. Këtë
jo vetëm që e marrim si të vërtetë absolute, por nuk vrasim shumë mendjen edhe
të pyesim veten se si e kemi trashëguar këtë edukatë. I bëjmë bisht faktit, që
kemi emigruar më shumë se të gjithë zonat e Shqipërisë dhe sidomos mësuam më
mirë të punojmë pas emigrimeve masive në Amerikë. U deshën vetëm disa dekada
mbylljeje dhe Korça të fillonte të humbiste cilësitë e fituara. E para i dha
shenjat rënia kulturore. Kemi 40 vjet, që jemi në vendet e fundit në shitjen e
librave dhe anëtarësimin në bibliotekë. Nuk kemi asnjë gazetë të saktë, veç një
“paçavureje” të njëfarë Vehbi Furrxhiu.
E megjithatë, në vend të ndalemi në të metat tona e të
mundohemi se si të bëhemi më të mirë, kënaqemi me “sume idiote” ndaj të tjerëve
dhe fillojmë të bëjmë foto e t’i kërkojmë autografe Maks Velos.
Në rast se duam të jetojmë në paqe e të kemi begati, duhet të
nisim e të kërkojmë nga vetja duke përdorur edhe një “mjet”, që përdoret në
shoqëritë e zhvilluara- Autoironinë. Në atë mënyrë do repektojmë më mirë veten
tonë dhe do na respektojnë më shumë të tjerët.
Në të kundërt do fillojmë të zihemi si provincialë të
prapambetur deri sa më vonë të fillojmë e të kërkojmë strehim në organizatat e
ekstremeve të djathta.
Dhe në vend të pyesim
“pse luftojnë të tjerët?” do rrëmbejmë armët vetë.
No comments:
Post a Comment