Saturday, 20 September 2014

Viti i…Prapanicave!

Eshtë herët për tu mbyllur viti, se Vjeshta zyrtarisht fillon vetëm nesër, por jam i bindur, që refreni i këtij viti kanë qënë ato , që me një barrë turp, i kemi quajtur dikur nënzë Bythë! Nuk besoj se ka pasur ndonjë periudhë të historisë së Njerëzimit(nga ato, që njohim prej shkrimeve apo edhe gërmimeve arkeologjike), që të ketë pasur një glorifikim të tillë të të Pasmeve, si këtë vit. Hapën gazetat dhe revistat online dhe nuk gjen më sy të mahnitshëm, fytyra ovale, flokë, që i merr era, por vetëm bythë. Të të gjitha llojeve, dimensioneve, ngyrave, këndeve të lakimit, me tanga e pa tanga, brenda xhinseve dhe stretçeve, cullak dhe nën ferexhe. (Ka rrezik pamjet e zilionta të tyre, të kenë ndikuar edhe gazetarin e paanshëm Kallamata, të bënte një shkrim rreth raporteve të Medias me Diktaturën, ku fjala ‘bythë“ përsëritej 47 herë. Për të mos u treguar më “anti-prapanicë se Papa” edhe unë i kushtova një shënim të shkurtër mollaqeve të Dukeshës së Uindsorit, por ajo ishte më shumë një mahnitje nga një fundshpine e zbuluar e një dukeshke, që qëllon ta shohësh më rrallë se kometën Hallej.)
Edhe pse e pyes veten, si është puna, që “të ndenjurat” janë kaq në modë nuk arrij dot ta spjegoj. Bile sa më shumë mendohem, aq më i thellë bëhet misteri. Ndoshta nga që vij prej një kohe të largët, kur bytha vlerësohej thjesht si bythë. Më kujtohet, që kur bënim xhirrot e famshme në rini në Korçë dhe shikonim ndonjë vithetundëse me linja të bukura, nxitonim të parakalonim dyshen dhe treshen e vajzave, në të cilat ishte “vithetundësja” për të parë fytyrën dhe largoheshim të tmerruar nëse e kishte fytyrën “si bythë“. Po duket, që ne brezi i vojtur nën diktaturë kemi mbetur akoma në xhirrot nga Turizmi i vjetër në Turizmi i ri dhe në shprehja “më e bukur prapa se përpara!”
Mundohem edhe të kujtoj se cilat nga shoqet tona të rinisë kishin “të pasmet’ më të bukura, po nuk i kujtoj për qamet dhe të më falin bashkëmoshataret si dhe ato poshtë nesh në shkollë, që nuk i kujtoj vlera të tilla, për të cilat sot do kërkoheshin nga çdo fotograf në botë. Duket që i paskam parë ‘me by…” Mes djemve ne edhe i komentonim ndonjëherë, por më shumë se përmasat nuk besoj se kemi përdorur shumë cilësorë në ato vite. I quanim të mëdha, të vogla dhe me majë. Hë po kishte dhe një lloj të veçantë, që quhej “bythëfronkë“, por ky ishte një përcaktim shumë i vagët, të cilin sot nuk di si ta spjegoj dhe prapanicat e cilës artisteje apo këngëtareje të ve për ilustrim.
Por edhe në botën mijëvjeçare të nudove në pikturë nuk ka pasur të tillë mahnitje pas mollaqeve. Edhe në “Banjën turke” të Ingres-it, ku janë pikturuar mbi 35 femra cullak, autori ka trguar vetëm një palë të tillë.
Poezi thuajse nuk ka fare rreth tyre.
Ndërsa këtë vit…Mjerë vajzat, që sa kanë kaluar fëmijërinë dhe kanë hyrë në adoleshencë, që do harrojnë të përkujdesen për vlerat, që i bëjnë aq tërheqëse në sytë e djemve. Do krijojnë përshtypjen e gabuar, se po mos i
kesh si të Kim Kardhashiankës apo si të Xhej Lo-së, jeta nuk ka më kuptim.
Kaq përkushtim për dy muskuj glutealë të pështjellë me dermë, që dikur me turp dhe nënzë i kemi quajtur Bythë!


No comments:

Post a Comment