Unë nuk kam jetuar kurrë në Toronto, por nuk di se pse kam
nisur ta ndjej veten Torontian(këtë të fundit nuk e kam shumë të saktë, se
mbase quhen edhe Torontista ose Torontukë). I rezistova disa vjet kësaj
ndienje, që dukej se më imponohej nga të tjerët, sepse i trembesha gjithnjë
pyetjes që do pasonte kur të thosha “Jam nga Toronto”, “Brenda nga Toronto?” Ka
qënë një pyetje, që më torturonte kur isha student në Tiranë dhe trenave(dhe jo
vetëm mua). Në fillim më dukej absurde, por kur konfirmoja, që isha brenda nga
Korça dhe vijonte edhe pyetja e tretë “Di me i dhon kitarës?”, atëhere bezdisja
bëhej më grryese.
Gjithsesi, kur vizitoj qytetin tim dhe shumë më thonë “Ti në
Toronto je”, unë mundohem t’ju spjegoj , që jetoj në një qytet të vogël, që është
rreth një çerek ore nga katarakti i Niagaras dhe Toronton e kam një orë larg,
shumica e bashkëbiseduesve e mbyllin diskutimin “E në Toronto domethënë.”
Por nuk ka qënë ky presion, që më bëri të ndjehem Torontist.
Një i njohuri im jeton në Shikago. Dhe në Shikago ka një
numur të madh të mërguarish nga Korça, kryesisht familje me origjinë nga
Devolli i Sipërm dhe kushërinj e krushq të tyre, që vijnë edhe nga zona të
tjera të Shqipërisë. Doja ta vizitoja Qytetin e Erës, për të parë vendet, ku
ishte shfaqur në fillim talenti i Xhon Belushit. E pyeta të njohurin tim se në ç’zonë
të Shikagos jetonte. Mu përgjigj , që tamam tamam nuk jetonte në Shikago por në
kontenë e Aleksandrisë, që hynte në shtetin e Indianas, por Shikagoja nuk ishte
më shumë se 20 milje larg. I kërkova ndjesë, që isha keqkuptuar për vendbanimin
e tij, por më tha , që ahtu e kishte në fejsbuk- Shikago. Gjithashtu shtoi se “Shikagoja
do të pëlqejë shumë se është një qytet shumë kozmopolit!”
Atëhere u ndjeva, që dhe unë duhet të vija nga një qytet
kozmopolit. Qënia ime si banor i Shën Katerinës, kishte të bënte shumë me
imazhin tim prej “qafëkuqi”(aga ju theshin me përbuzje në kohët e errëta të
diktaturës). Isha tashmë një fshatar, që nisesha me makinën time të përdorur
dhe me dy thasë me patate dhe qepë dhe plasesha në të njohurin tim të parë, që
jetonte në një qytet kozmopolit. Ndaj nisa të ndjehem Torontuk. Edhe pse nuk jam
brenda nga Torontoja. Në fund të fundit, kryeqëndra e Ontarios një vrap pele është
dhe unë kam disa të afërm dhe miq, që jetojnë atje.
Mund të përdor edhe adresën(mos shkruhet andresën?) e tyre.
No comments:
Post a Comment