Thursday, 25 September 2014

Frika nga e panjohura


Një mik më tregonte dje, se rreth një ndërtimi shumë të përfolur në Qendër të Korçës, simpatizantët e Partisë në pushtet flisnin mirë, ndërsa kundërshtarët politikë flisnin keq. Kulla është një ndërtim betoni, pashpirt, pa asnjë orientim seksual dhe pa asjë program politik. Sigurisht që nuk ka edhe tru, por kjo nuk është kusht si ne qua non për ta diferencuar nga militantët partiakë. E megjithë këto cilësi të kulluara të sendeve, ajo ka fuqinë të dashurohet prej një pjese dhe të urrehet prej të tjerëve. Ende pa u ndërtuar.
Unë nuk kam ndërmend të shkruaj për Kullën. E kam bërë disa herë duke e gjykuar si një gabim të rëndë, por kur pata humbur shpresën se mund të ndalohej urova të isha thellësisht i gabuar.
Ajo që më shqetëson është se si mundet, që njerëz të thjeshtë apo profesionistë, të gjykojnë një ndërtim thjesht se përkrahet apo kundërshtohet nga udhëheqësit e Partisë, që simpatizojnë. Eshtë një transformim mendor i çuditshëm, i cili ndodh në një shoqëri ku Liria nuk është më e kufizuar.
Në një shoqëri ideale, me njerëz të cilët duan të mendojnë me kokën e tyre, kur të servirej një objekt, ide apo projekt nga ata, të cilët i udhëheqin, duhej të ndodhte që të shfaqej dyshimi, të fillonin pyetjet, të kishte një prirje për të kundërshtuar deri sa pas argumentave dhe diskutimeve shumicës t’i mbushej mendja.
Ne jo vetëm larg një shoqërie ideale, por kemi “tharrmin” e një shoqërie të çuditshme, e cila nuk ka preçedentë në historinë tonë të dyqind viteve të fundit. Në një shoqëri nën Diktaturë dhe të mbyllur nga idetë e tjera ishte e natyrshme, që të ndodhte “trushpëlarja”, sepse mjetet e propagandaës ishin shumë të forta.
Por pse tani jemi të prirur të besojmë symbyllur Udhëheqësin përkatës, ose më mirë të vrasim mendjen se si të gjejmë argument për të mbrojtur idenë apo projektin e tij?
Nuk e bëjmë nga dashuria.
Nuk e bëjmë as nga frika, që kemi prej tij.
Mendoj, që e bëjmë nga frika nga e Panjohura. Ky është një term disi i papërcaktuar mirë, por për ta futur në kontekstin e shoqërisë shqiptare do e quaja nga pasiguria, që kemi për jetën tonë jo pas disa dhjetvjeçarëve, por thjesht edhe pas një legjislature apo edhe një viti.
Në këmbimet, që kam me miqtë e mij në Shqipëri, të gjithë shprehin shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve. Thuajse të gjithë janë financiarisht të stabilizuar dhe jetojnë në standartin e dikujt , që këtu ku jetoj unë quhet Klasë e Mesme. Punë ose bizenese me të ardhura të mira, uikende në vende turistike, pushime disa javore jashtë Shqipërisë, vila të kompletuara e kështu me rradhë. E megjithatë thuajse të gjithë janë të shqetësuar për të ardhmen dhe një pjesë mendojnë ose “majtas” ose ‘djathtas”. Tremben të mendojnë pa marrë një krah të caktuar. Tremben nga e panjohura, që vjen me marrjen e pushtetit nga krahu tjetër.
Më e keqja është , që nuk arrijnë të kuptojnë se kush ja u ka shkaktuar këtë frikë nga e Panjohura. Janë gati të derdhin një lumë të sharash për krahun tjetër, pa menduar thelle, se në 24 vjet, të dy krahët kanë qeverisur për një numur të barabartë vitesh.
Pas disa muajsh Kulla do mbarohet dhe do vazhdojnë diskutimet me rrahje gjoksi “E mo ju thamë që do dalë tmerr/mrekulli!”. Pa arritur të kuptojmë, se një Kullë qoftë edhe betoni mund edhe të prishet nëse është e shëmtuar, por është e zorshme të prishim Kullat e Majta e të Djathta, që na kanë mbirë në kokë dhe na lenë të shohim në mënyrë të paplotë duke na i shtuar edhe më shumë Frikën për të ardhmen.

No comments:

Post a Comment