Friday, 26 September 2014

Shkrim pozitiv

Nuk e di pse duhet një shkrim pozitiv, por meqënëse një mikja ime më kritikoi për një numur shkrimesh, që nxijnë “realitetin shqiptar” dhe bezdisin edhe lexuesit, mendova të vija një palë syze rozë, që do më bëjnë “bonist” dhe të pranueshëm. Se në fund të fundit, askush nuk do të dëgjojë, gjëra që i di.
Vështirësia më e madhe, që kam, është se si ta filloj një “shkrim pozitiv”. Nuk kam bërë asnjëherë të tillë dhe syzet rozë vërtet ndihmojnë të shohësh jetën me ngjyra “drandafili”, por nuk ndihin në strukturimin e shkrimit.
Mënyra më e thjeshtë është ta strukturoj si hartimet e 8-vjeçares. Hyrje, zhvillim dhe mbyllje. E rëndësishme është të jem pozitiv dhe i paanshëm. Dhe do shkruaj për atë, që kujtoj se njoh më mirë. Qytetin tim të dashur.
“Eshtë shtator i vitit 2014 dhe mbrëmja po bie ngadalë në Qytetin e Serenatave. Vjeshta posa ka hyrë, por duket se korçarët në zemra kanë vetëm pranverë. Jetojnë në qytetin më të bukur në Shqipëri dhe ndjehen edhe më të bukurit shqiptarë. Sepse kanë sharm. Dhe kanë sharm në çdo gjë, në ecje, në veshje, në mënyrën se si i drejtohen mikut dhe sidomos se si mbajnë para në tavolina, gotën e pijes apo filxhanët e çajit, pa rrëzuar edhe hirin e duhanit në dorën e pjerrësuar gjithë hir.
Të jetosh në Korçën e sotshme do të thotë të ecësh në gurët e shtruar bukur të Pedonales, të ndjesh praninë e Luftëtarit kombëtar, në këmbët e të cilit rrjedh një ujëvarë historie, të shijosh zërin aq të ëmbël të këngëtares Jorgjeta Lalazi, e cila rrjedh nga një familje korçare me disa shekuj tradite muzikore, të shijosh birrën me të cilën mburren qytetarët dhe si të ketë kaluar mesnata, të dëgjosh kitarat e mandolinat, që përsërisin akordet e dëgjuara brez pas brezi. Nuk ka gjumë më të ëmbël se ai që të kap në orçë nën tingujt e ëmbël të instrumentave me tela, që duket se janë gdhendur përjetësisht në peisazhin e kodrave të bleruara, që rrethojnë qytetin.
Gjumi të del nga cicërimat e zogjve dhe e kupton , që ke fjetur vetëm 4 orë dhe je plotësisht I çlodhur. I bashkohesh njerëzve të të gjithë moshave, që me nxitim kanë marrë rrugët e pjerrëta , që të çojnë kodrave, të veshur sportive(i quajnë tuta veshjet) dhe nëse nuk lodhesh mund të shkosh me një pjesë prej tyre, që ngjiten malit të Moravës. Prej atje, qyteti, që ende nuk është zgjuar plotësisht, duket, që prehet nën qeramikën e tjegullave ndërsa vetëm disa ndërtesa modern plotësojnë me lartësinë e tyre siluetën e tij të veçantë.
Bashkë me disa tutistë, zbresim dhe kthehemi në një nga lokalet e bukura buzë kodrave. Burrat korçarë e nxjerrin gjumin me një supë të trashë, të cilën e quajnë “paçe” dhe gatuhet me këmbët , kokët dhe stomahun e bagëtive të trasha dhe të imta. Në të kundërt, gratë për të ruajtur linjat, hanë një lloj ushqimi tradicional drithrash, që quhet “trahan” dhe që ka frymëzuar dy shekuj më parë një poet, të shkruante për të një poemë t[ famshme epiko-gastronomike.
Gjatë ditës zjen puna dhe jeta kulturore. Ndërtohet vazhdimisht nga vetë njerëzit, firmat ndërtuese dh e nga Bashkia. Vetëm shtëpitë e të larguarve jashtë Shqipërisë duket se janë më pak të rinovuara, pasi çdo gjë tjetër shkëlqen duke filluar nga kangjellat aq karakteristike, gurët e gdhendur dhe suvatimet e hijshme e deri në materialet më bashkëkohore, të cilat ndërthuren bukur me ato të traditës. Të rinj e të reja ngjisin shkallët e Pallatit të Kulturës dhe të Bibliotekës, në të cilat nuk rreshtin veprimtaritë kulturore, simpoziumet, bisedat letrare, ekspozitat, diskutimet rreth Historisë. Dhe të mendosh, që mijra të rinj të tjerë po bëhen gati të fillojnë mësimet në auditoret e njërit prej Universiteteve më të mirë në Ballkan, atij që mban emrin e të shquarit Theofan Noli.
Edhe pse me një popullsi thuajse të barabartë ortodoksësh dhe myslimanësh, korçarët këto ditë ndoqën të gjithë të përkushtuar vizitën e Papa Françeskos dhe nxorrën detyra nga porositë e lëna prej tij. Në qytet është e vështirë të dallosh se cilës fe i përkasin njerëzit, se të gjithë jetojnë në harmoni dhe marrin pjesë në festat fetare të shoshoqit.
Dielli i pasdites i ka ftuar të gjithë të dalin shëtitje dhe të ulen lokaleve moderne, që ndesh në çdo hap. Njerëzit flasin gjithë gëzim me njëri tjetrin thua se po shijojnë çdo çast të kësaj begatie të shumë dëshëruar. Në një oboorr të një bari, një grup i entusiazmuar të rinjsh të së Majtës Europiane thërresin “Me Peleshin dhe Partinë, n’ Europë shpejt do mbrrijmë!”
Eshtë një thirrje entusiaste pak e vonuar.

Korça tashmë ka mbrritur në Europë.

No comments:

Post a Comment