Monday, 15 September 2014

IDEALET

Parmbrëmë, me shokun tim të fëmijërisë Benin, folëm për Enver Hoxhën, më gjatë se kemi folur gjatë gjithë viteve , që njihemi. Nuk ishim anti-Enver në vitet e adoleshencës dhe rinisë sonë, por flitej aq shumë në gazeta, radio e televizion, sa ishte si turp të bashkoheshe në atë lloj kori.
Këtë rradhë u morëm më shumë me futjen e tij enigmatike në një lëvizje të Majtë, të cilës nuk i përkiste dhe sidomos ngjitjen në majë të saj në një moshë 33 vjeçare, e cila pak a shumë përkon me atë të një mbi 40 vjeçari të sotëm. Ishim të sigurt, që udhëheqësi nuk kishte qënë kurrë idealist, por nuk arrijmë të kuptojmë pse pikërisht oportunisti nga Palortoja zgjodhi krahun e Ekstremit të Majtë, për të bërë karrierë shtetërore. A  ishin prirjet e tij disi të majta? A kishte aq shumë nuhatje, se pas vakuumit të pushtetit të krijuar nga argimi I Zogut, opsioni më I mirë për karrierë “diktatoriale” ishte Komunizmi?
Mu kujtua biseda me Benin dje, ndërsa lexoja një shkrim mbi “tradhëtinë“, që ju ishte bërë idealeve të Azem Hajdarit. Edhe pse rrethanat nuk kanë qënë krejtësisht të ngjashme, viti 1990 ashtu si viti 1941 ishte një vit, që krijonte mundësi për karrieristët, për të kërcyer nga një njeri krejt i zakontë, në një njeri të fuqishëm apo të plotfuqishëm. Sigurisht, rreth e rrotull Oportunistëve të ’41 dhe ’90 kishte shumë idealistë, por idealistët e periudhës së parë u vranë ose përfunduan burgjeve, ndërsa ata të periudhës së dytë, jetojnë në heshtje ose kur ju është krijuar mundësia kanë ikur në emigracion.
Po a kanë patur ideale Enver Hoxha, Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Ed Rama?
Përgjigja ime e patundur është- JO
Ata kanë tundur flamujt e idealeve, sepse e dinin , që askush nuk do I ndiqte pas një “bajraku”- o burra të marrim pushtetin e ta përdorim për vete!”
I pari përdori idealin e Luftës kundër pushtuesve ndërsa të dytët idealin e Liri-Demokracisë.
Vërtet pasojat kanë qënë shumë të ndryshme. Lëvizja, që drejtoi oportunisti Hoxha solli instalimin e një Diktature të egër, ndërsa ajo, në të cilën u përfshinë të dytët, solli ndryshimin e një sistemi të egër e të kalbur. Por idealet dhe idealistët u tradhëtuan nga vetë njerëzit, që hynë me qëllime të errëta përfitimi në këto Lëvizje.
Dje, tre kolltukofagë shkuan të nderonin kujtimin e një kolltukofagu, të cilin e quajnë Hero të Demokracisë.
Më 29 Nëntor(apo edhe më parë), të tjerë kolltukofagë do nderojnë(në heshtje) njeriun më ambicioz dhe më të zi, që ka nxjerrë Shqipëria gjatë 200 viteve të fundit.

Eshtë njëlloj sikur të përmjerësh mbi IDEALET.

No comments:

Post a Comment