Saturday, 13 September 2014

Artisti Vasi

Vasi është ose moshatar me mua ose një vit më i madh. E pata njohur kalimthi në vitet e adoleshencës, se ishte shok i disa shokëve të mij. Dija, që luante mirë në kitarë dhe kishte kompozuar një nga këngët më të bukura e më të vështira, që këndonim ato kohë. E quanim “kënga e Vasit”. Kishte edhe vargje të bukura dhe ndryshonte nga këngët, që sot të gjithë i quajnë “serenata”, por për mua janë këngë dashurie, që nuk mund të ngjiteshin nëpër skenat shqiptare për shkak të censurës. Nuk di nëse ka qënë rrjedhojë e dashurisë të tij më të madhe apo është para saj.
Më pas nuk dija se ç’bëhej Vasi, vetëm kisha dëgjuar, që shkonte që më 4 të mëngjesit në poçarinë ku punonte, bënte normën dhe më 6 të kthehej në shtëpi dhe mbante vajzat e tij të vogla, ndërsa e shoqja shkonte në punë. Ishte vërtet diçka e pazakontë.
Duhet të ketë qënë janari i vitit 1986, kur u njoha më mirë me aftësitë e tij prej artisti. Bashkë me kolegun tim Kliti Kallamata, punonim për Ekspozitën e Kulturës Popullore dh eveç restaurimit dhe krijimit të interiereve të Hanit të Manastirit, shkonim edhe të shihnim objektet që mund të paraqiteshin në Ekspozitë. Nga Ndërmarja e Prodhimeve të Ndryshme(jo Artistikja) na thanë të shihnim prodhimet e poçarisë të një mjeshtri të ri. Ishte Vasi, që punonte në një ambient të errët dhe gjithë lagështi. Punët e tij na befasuan edhe pse në filim Vasi kishte një lloj dyshimi, nëse do ekspozoheshin në emrin e tij, për shkak të biografisë, që e kishte lënë jo vetëm pa shkollën e duhur, por dhe i qëndronte mbi kokë për çdo gjë tjetër. Për fat të mirë kohët kishin filluar të ndryshonin dhe punëve të tij ju la i gjithë pavioni, të cilin e kishim menduar si pavion për ekspozita të përkohshme. Ishte pjesa më e bukur dhe më artistike e asaj Ekspozite –Muze. Punët e tij u ekspozuan edhe në Ekspozitën Kombëtare në Shkodër dhe Vasi u vlerësua me çmimin e parë. Duhet të përmend “mendjen e hapur” të miqve të mij Gjergji Cikopani dhe Petraq Marjani, që ishin drejtuesit e aktivitetit dhe përkrahën mjeshtrin e ri, deri atë kohë i lënë në hije.
Në vitet që vijuan, veprimtaria e tij prej skulptori mori hov falë talentit dhe vullnetit të tij të pakrahasueshëm. Jo vetëm në qeramikë, të cilën e njeh me themel, por edhe në gjini të tjera të skulpturës ai vazhdon të më befasojë mua dhe ndoshta edhe shumë të tjerë, që e njohin. Në një nga vizitat e fundit në Korçë, pashë kalimthi në ekspozitë të përbashkët të tij me piktorin e njohur Roland Karanxha. U binda, që është një skulptor i kompletuar edhe pse çdo gjë e ka mësuar vetë. Nuk di se sa lart do shkojë veprimtaria e tij artistike, që njeh vetëm ngjitje.

Krijimtari të mbarë miku im, artisti Vasi!

No comments:

Post a Comment