Tuesday, 22 October 2013

Tymnaja na e shpuri vallen në Sokaku i të Marrëve.

(vijim) Falsifikimi i historisë, i bërë në mënyrë monstruoze në ditët e regjimit të Hoxhës vazhdon edhe sot, për gjëra më të vogla nga Ismaili dhe ata që shkruajnë në shërbim të tij. Biografia e autorizuar e Kullës, nëpërmjet citimeve të veprave të fundit, të cilat nuk kam pasur rastin t’i lexoj, më jep një tablo më të qartë rreth asaj që Ismaili e ka nisur tek “Pesha e Kryqit” apo në intervista lart e poshtë dhe ka vazhduar me librin e famshëm të Lenit. Nuk arrij ta kuptoj këtë zell të tij për falsifikime, se është aq i shpërdoruar sa e dëmton figurën e tij shumë më shumë se çdo pranim i “gjynaheve”. Tek “Pesha e Kryqit”, cituar nga Kulla në biografi, përmendet fillimi i karrierës qeveritare të Komandantit legjendar si dhe raportet farefisnore të mbajtura sekret të Kadareve me Hoxhat. Në të thuhet si hap i parë(kjo për lexuesin mesatar perëndimor, që ha çdo broçkull rreth Stalinit e komunizmit) për të treguar autoritet si udhëheqës, E.Hoxha do sakrifikonte kunatin Bahri Omari, në të njëjtën mënyrë, si kishte sakrifikuar Stalini të birin! Krahasimi nuk është aspak i denjë për tu bërë nga një njeri i lexuar si Kadareja. Eshtë i qëllimtë. E para, vetvrasja e të birit të Stalinit, ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Stalini ishte më se i konsoliduar në pushtet e nuk kishte nevojë për flijime të afërmish. Në se E.Hoxha kishte në dorë ta shpëtonte Bahriun dhe vërtet e bëri për qëllime politike, kjo ndodhte pikërisht se nuk ishte i konsoliduar. Në Pleniumin e Beratit gati e kishin hequr dhe po të mos kishte bërë një autokritikë të thellë nuk do ishte as kreu i Qeverisë. Në ditët kur u mor vendimi për pushkatimin e Omarit, pozitat e tij për të qënë në krye të një pushteti ende të pasigurt ishin më se të dobta. Ai e dinte që falja e të kunatit do i mbahej “këngë” nga gjithë kundërshtarët e tij Brenda Partisë, që luftonin për të kapur kreun. I njëjti keqinterpretim i historisë, lidhet me mohimin nga i jati i Ismailit, për lidhjen e largët farefisnore me Kryetarin e Ri të Qeverisë, sapo kishte mbaruar lufta. E besoj se ajo ngjarje vërtet ka ndodhur, por hezitimi i Halit Kadaresë edhe pse mund të ketë patur si shkak “ figurën dendi” të Enverit, nuk është qëndrimi i njeriut që mohon lidhjen farefisnore me Diktatorin. Hoxha i fundit të 1944 ose edhe i viteve të tjera të pasluftës nuk ishte ende Diktator. Ishte Kryetari i një Qeverie të Përkohshme, që proklamonte se do ndërtonte një Demokraci Popullore pasi të bëheshin zgjedhjet e lira. Në një kohë rrëmuje në Europë, me shtete dhe kufij ende të papërcaktuar qartë, me Fuqitë e Mëdha ende të pranishme, asnjë i shkolluar si Halit Kadareja, nuk mund ta mendonte të plotfuqishëm dhe të përjetshëm E.Hoxhën. Si edhe në raste të tjera, me dashje Ismaili përdor optikën e viteve ’80 për të dëshmuar rreth raporteve të tij me regjimin dhe me vetë Komandantin. (vijon)

No comments:

Post a Comment