Thursday, 24 October 2013

Bebja Mbretnore

Jetojmë vërtet në një shoqëri të tejdukshme. Doemos, jo në një shoqëri qëniesh të tejdukshme, por kur të gjithëve ju thuhen të gjitha, në mënyrë të gjithformshme pa ju fshehur as edhe një gjë. Edhe sallonet më më të larta, atje ku dikur edhe drita e diellit nuk mund të hynte pa leje, tani janë bërë pronë e të gjithëve falë hapjes së shoqërisë dhe mjeteve moderne të informacionit. Cdo gjë, edhe ato më privatet janë të hapura për publikun e nuk them veç banjot e Kardashiankave apo të Vilës në Arkore, por edhe sallat e larjes së Naltmadhnive. Dje ose sot(i ngatërroj ditët tani që vjen kjo koha e ndrimit të orës) pashë për herë të parë vaskën e Dukës Bill dhe Dukeshës Keit, me të tre Naltmadhnitë brenda. Cullak. Thashë me vete "Vërtet jemi në një mijëvjeçar tjetër!" Tani të gjithë mund të shohin sa të jashtëzakonshëm e sa të thjeshtë njëkohësisht janë mbretnorët. Të gjithë mund të shohim qartë, që edhe pse me gjak blu, mbretnorët kanë të njëjtën lëkurë si tonën. Dhe lahen edhe bashkë në vaskë. (Mu kujtua edhe tekniku Çile, që i theshte të shoqes "hajde të lahemi njëherë bashkë", po ajo e kundërshtonte duke i thënë, që s'ka lezet se janë fëmijët e rritur.) Në krahët e prindërve lakuriq e të mrekulluar Xhoxhi i Shtatë disamuajsh. (E shkruaj Xhoxhi jo thjesht për ta sjellë më natyrshëm mes nesh, por edhe se r-ja kur e shqiptoj nuk dëgjohet për shkak të një difekti të lindur në të folur. I imi. Jo i Xhoxhit. Uroj dhe që vogëlushi mos i ngjajë katragjyshit Xhoxhi i Gjashtë, i cili po të ishte nga Jugu i Shqipërisë do e thërrisnin Xhoxhi Gagaçi, ndërsa po të ishte verior do e quanin Xhorxh Belbcaku, që si gjithmonë tingëllon më poetike.) Nuk ka foto më të bukur! Asnjë kompani që prodhon sapunë nuk do ishte në gjendje të paraqiste kaq mrekullisht çastet e lumtura në ujë të ngrohtë, të prindërve të dashuruar, që mbajnë me delikatesë frutin e dashurisë së tyre! Mallëngjenjëse! Sublime! Eh sa të rëndësishme do jenë ato që i quajnë këtej PR (nuk e di nëse edhe në shqip i quajnë "public relations", se gjithnjë këto të flamosura fjalë anglisht sepse tingëllojnë bukur.) në këtë mijëvjeçar! Të gjithë do e kujtojnë se ku kanë qënë, kur panë për herë të parë Dukën, Dukeshën e Xhoxhin cullak! (Për hir të së vërtetës, duhet thënë që Dukeshkës ja kanë parë njëherë cicet në ato revistat e thashethemeve, por ato foto nuk ishin shumë të qarta dhe për më tepër të paautorizuara.) Tani mjeshtrat e PR të Oborrit, ja u dogjën kartat në dorë tërë paparacëve, që do mundohen të ndjekin familjen plazh më plazh, e ishull më ishull. Fotot e videot e jetës të Naltmadhnive do jenë pronë e popujve. Të gjithë do mësojmë edhe hollësitë më të vogla të jetës së bebes, që do jetë një ditë Xhoxhi i Shtatë, Mbreti i Anglisë. Dhëmbin e parë, hedhjen e hapave të para, kremtimin e ditlindjeve, ditën e parë të shkollës. E të gjithë do lumturohemi ashtu si Duka e Dukesha! (Të më japë Perëndia hymër, e të arrij të shikoj videon kur Xhoxhi do t'i bjerë me dorë për të parën herë!)

No comments:

Post a Comment