Tuesday, 22 October 2013

I ardhi rradha Tymshperndarses!

(vijim) Po e mbyll këtë shkrim rrokopujë rreth autobiografisë të posabotuar të Ismailit, sepse është krejt i pavlerë. Të them të drejtën, më dhimbet shkrimtari ynë më i mirë, që ka katandisur në këtë gjendje të mjeruar, për të paraqitur një histori të tij, të letrave shqipe e të Shqipërisë krejt ndryshe nga ajo e vërteta. Zaten, Ismailin e kemi pëlqyer jo vetëm për shqipen e kultivuar mirë, figurat e përdorura, befasitë në ngjarjet e përshkruara, analizat psikologjike të arrira e disi të veçanta, por edhe se kemi menduar se shkruante të vërtetën. Kjo ka ndodhur edhe më vonë, kur kemi kuptuar, që frymëzimet e tij kishin zanafillën në një ideologji të rreme dhe I kishin shërbyer shpesh Diktaturës. Me të tjerë miq, dashamirës të Ismailit, kemi diskutuar e thënë se s’mund të bëhej më shumë, se ideologjia e ekstremit të majtë në vitet ’60 nuk kuptohej nga të gjithë në botë si regresiste dhe se në atë frymë kanë shkruar edhe shumë shkrimtarë, që jetonin në Botën e Lirë. Letërsinë e Ismailit nuk e ul dot kush nga vendi që ka zënë në letrat shqipe. Edhe pse mund të ketë skarcitete, prapëseprapë në numurin e madh të veprave të tij ka pasazhe e kapituj vërtet gjenialë. Duhet pranuar edhe largësia e tij cilësore nga shkrimtarët shqiptarë bashkëkohës, si edhe duhet nënvizuar mungesa e një tradite voluminoze të shkëlqyer në Letërsinë Shqipe. Për sa i përket krahasimit me më të mirët e shekullit të tij në botë, mendoj se Ismaili qëndron larg Olimpit dhe jo sepse nuk ka marrë çmimin Nobël. Librat e fundit biografike thjesht njollosin figureën e tij duke lënë një shije të keqe mes publikut letërsidashës shqiptar. Ndoshta sjellin më shumë shitje të gazetave e ndoshta edhe të veprave të tij, por ky çmim moral që po paguan Kadareja, nuk besoj se justifikohet me ato pak kacidhe që do përfitojë nga shtëpitë botuese të Hudhrit dhe Kullës. E ndjej që jam lodhur edhe vetë dhe ndoshta kam bezdisur edhe ata pak miq, që më ndjekin në blog duke diskutuar rreth marrëzive të kësaj Tymnaje. Pleqëri të mbarë Is!

No comments:

Post a Comment