Monday, 28 October 2013
Bulevardi i fëmijërisë sime.(2)
(vijim)
Në bulevardin “tim” të famshëm, thuajse nuk mbetej pa kaluar njëherë në ditë, thuajse çdo pjestar i popullsisë të qytetit. Ai jo vetëm lidhte(dhe lidh) dy sheshet kryesore të Korçës, por në një gjatësi prej jo më shumë se 400 metrash, kishte në vitet ‘60 kishën e Shën Gjergjit, Pallatin e Kulturës, MAPO-n dhe hotelin më të madh të qytetit, si dhe të çonte tek i vetmi teatër dhe e vetmja bankë, që kishte Korça. Në vitet ’70 u shtuan edhe hoteli i turizmit dhe vendin e Shën Gjergjit e zuri Biblioteka e Re. Në atë pjesë të shkurtër të qytetit, të parat kalonin grate e trikotazhit dhe ndërmarjeve të tjera, që zbrisnin e ngjiteshin nga vendet e tyre të punës, më vonë nëpunësit dhe nxënësit e shkollës Themistokli Gërmenji, dhe më pas pensionistë apo njerëz të tjerë të ngeshëm që shkonin gjatë ditës në Pazar ose vërtiteshin Mapo-s dhe shitoreve të tjera. Pasditeve ishin të pranishëm artistët amatorë, që hynin e dilnin Pallatit të Kulturës deri sa fillonte "xhirrojaÈ, e cila shpesh e mbushte plot hapësirën e bulevardit dhe trotuareve. Mëngjeseve të gjysmës së dytë të viteve ’60, para godinës së Bashkimeve Profesionale(tani vonë ka qënë selia e PD-së)kishte edhe një shfaqje të shkurtër qesharake 20 minutëshe. Nëpunësit me kostume të komitetit të Partisë, të komitetit të qytetit, të Bashkimeve Profesionale dhe gazetës “Përpara”, bënin gjimnastikën e mëngjesit ala-sheshi Tien Ian Men. Edhe çinovnikët e gjorë nuk kishin asnjë zell për të bërë atë rit të panatyrshëm për shoqërinë e asaj kohe dhe sidomos për vendin tone. Për ta nuk zgjati më shumë se dy tre vjet, ndërsa në shkolla mbeti e detyruar për një kohë të gjatë. Sigurisht, që ishte një pamje e lezetshme(sot i quajnë surreale), të shihje në një hapësirë të vogël, Maçukën dhe Dhiogjen Naken të skuqur që uleshin e ngriheshin nën komandën një-dy, e disa hapa më tej nxënësit e vonuar për në shkollë dhe ndonjë kalimtar i ngeshëm, që pyeste Riko Avramushin, i cili mbante në sqetull një tufë të gazetës lokale “Përpara”, -Riko sa e ke atë përpara?, e Rikua i shkretë i përgjigjej pa prishur terezinë “Tre lekë”. Të gjitha këto disa metra larg ndërtesës së shkollës së pare shqipe, e cila atë kohë vazhdonte të ishte shkollë fillore dhe oborrin e kishte të rrethuar me një avlli të lartë. Po me avlli rrethohej edhe shtëpia e Themistokli Gërmenjit, me ndryshimin, që një pjesë të madhe të saj e zinte një Stendë e madhe emulacioni socialist, ku ekspozoheshin foto të ndryshme duke filluar me ato të novatorëve çdo 11 shtator e duke përfunduar me ato të luftës në Vietnam...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment