Thursday, 31 October 2013
Bulevardi i fëmijërisë sime.(3)
(vijim)
Në ato vite, bulevardi ishte një lloj shëtitore mikse, me institucione administrative e kulturore, si dhe shumë dyqane të llojeve nga më të çuditshmet, sa që sot jam kureshtar të di se cila mendje në seksionet e tregëtisë, kishte përcaktuar atë larushani shitoresh. Pasi kaloje Gastronomin, që ishte një lloj supermarket ushqimor, fillonin një dyqan fotografësh, një kinkaleri e vogël, një mobileri, këpucëndreqës(deri në atë kohë quheshin ende mballomaxhinj), restorant, berberhanë, llustraxhinj, bar, kinkaleri, bonboneri, bulmetore, dyqan këpucësh e mbyllej me dyqan vere dhe uthulli! Ndërsa në krahun tjetër, veç magazines popullore që përmbante nënndarjet e qelqurinave, materialeve të ndërtimit, kinkalerisë, këpucëve, metrazheve dhe veshjeve, ishin një Parfumeri dhe kinkaleri. Mbyllja, bçhej me dyqanin ushqimor të Esatit.(Në atë kohë dyqanet vazhdonin të quheshin me emrat e shitësve, si ndodhte vite më pare me emrat e pronarëve.) Viti 1964 kishte sjellë mbylljen përfundimtare të sektorit privat dhe tashmë të gjitha shitoret ishin prone të dy ndërmarjeve tregëtare NTLUS e NTLAP dhe Ndërmarjes të Artizanatit, e cila u kthye më vonë në Riparim Shërbimet. Shumë pronarë të vegjël ishin tashmë të detyruar të punonin edhe në moshë të shtyrë, për të siguruar vjetërsi pune në shtet, e cila mund t’ju siguronte në pleqërinë e vonë një gjysëm pensioni. Kjo ishte arsyeja(veç asaj të optikës së fëmijës), që gjithë burrat që shërbenin në njësitë e bulevardit më dukeshin pleq. Dhe jo vetëm Tasi Fotgrafi dhe Gaqo Treska, por thuajse të gjithë berberët duke nisur me Bikmën(Ibrahim Xholi) dhe Kamber Pepellashin e duke përfunduar me Nasi Donikën(Grabocka) dhe Rropin e Dadës. Të moshuar ishin kamarierët e “Krimesë” dhe “Bar-Korçës”, deri sa pas 1966-ës, u shfaqën grate e para kamariere, të gjitha të reja e pa asnjë përjashtim të ardhura nga fshati. Në atë kohë, ende konsiderohej si punë e një morali të dyshimtë për grate. (Nuk èshtè se tè ardhurat nga fshati kishin tè tjera parime morali, por pèr to ishte domosdoshmèri largimi nga puna e rèndè nè bujqèsi dhe atdhja nè qytet. Si u pa mè vonè, puna e kamariereve ishte edhe njè nga mè fitimprurèset nè atè sistem), Ndryshe ishte puna e shitseve, sidomos në dyqanet me mallra industriale, ku thuajse të gjitha ishin gra.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment