Wednesday, 11 September 2013

Moralistet e K....!


Ishte një nga thirrjet e djeshme në Parlamentin italian (krahas të sharave nga nënat e motrat), drejtuar një deputeti të Bepe Grillos, i cili i kërkonte Kryetares së Parlamentit, që të nxirrte jashtë tij hajdutët.

Edhe pse nuk më bën shumë përshtypje sharja apo rrahja e deputetëve, e cila ndodh shpesh në vendet e ish-Lindjes, në ato të Mesdheut e të Azisë, më ra në sy thirrja "Moralisti di cazzo!". Dilte nga shpirti i një përfaqësuesi të popullit, i cili nuk mund t'i thotë tjetrit "Hajdut je vetë!" ose "Io sono un Ladro ma tu sei un Cazzo!"(që është ajo çka vërtet mendon), por mundohet ta fyejë duke i quajtur atë dhe shokët e tij "moralistë" dhe duke i shtuar edhe organin gjenital mashkullor nga pas (ai femëror është monopol i PDL).

I gjithë ky shpërthim, lidhet disi edhe me një lloj sinqeriteti , që ende ekziston në kulturat e vendeve më të prapambetura. Në këto vende (ku hyn sigurisht edhe Mëmëdheu jonë), njerëzit që merren me politikë ende nuk kanë përsosur demagogjinë dhe hipokrizinë si politikanët e vendeve anglo-saksone. Në parlamentet e këtyre vendeve do dukej absurde përdorimi i "You... the fucken moralists!" Të bërit moral në këto kuvende burrash e grash është pjesë e pandarë e retorikës së tyre. Eshtë pak a shumë ajo që quhet të "flasësh politikisht korrekt".

Po pse ndodh kjo në vendet e Mesdheut? Eshtë thjesht ç'ështje kulture?

Veç faktit që në parlamentet e vendeve të Mesdheut ka një përbërje më të lartë njerëzish ordinerë dhe të përzjerë në afera kriminale, ekziston një lloj paprekshmërie e politikanëve, sidomos atyre që janë të afërt me udhëheqësit e Partive. Pak rrezikohen se nuk do jenë deputetë në legjislaturat e ardhme, sepse në shumë vende të qënit deputet varet nga lista e partisë. Në anën tjetër edhe sistemi juridik i këtyre vendeve është shumë më i dobët se ai anglo-sakson. Një tjetër arsye mund të jetë edhe ajo çka është "politikisht korrekt" në kafenetë e trotuareve Mesdhetare. Nëse në to mbizotëron morali "Djal i qut filan deputet. Osht bo rehat!"  apo "Meno male che ce Silvio!" apo "Andrea (Papandreu) ishte trim! Na bëri me para!", atëhere morali i përfaqësuesve është morali i pjesës më të madhe të popullit.

Në këtë rast nuk më mbetet gjë tjetër veç të ndjek këshillën e një shoku tim në Mesdhe, që më sugjeron "sa humbet kohën duke shkruar, më mirë shko dhe pi ndonjë gotë birrë", ose t'i kthehem vetes e t'i thërras:

"Ik o Moralist i K....!"

(Para se ta bëjë dikush tjetër, që i lexon këto rrjeshta.)

No comments:

Post a Comment