9
Shtator 1943
U
kujtova dhjetë ditë me vonesë të shkruaja për një nga ngjarjet më tragjike të
qytetit tim.
70
vjet më parë, të nesërmen e shpalljes nga Aleatët të kapitullimit të Italisë
Fashiste, në sheshin para Luftëtarit Kombëtar, u vranë 59 demonstrues paqësorë
dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Kishin dalë të festonin përfundimin e
pushtimit të huaj që zgjaste prej mëse 4 vitesh, që kishte sjellë shumë më
shumë të këqia se të mira, mbi të gjitha vrasjen e qindra njerëzve të
pafajshëm. Kryesisht të rinj e fëmijë, gra e të moshuar, të organizuar nga
Këshilli Nac-Clirimtar i qarkut, ose më mirë thënë, nga drejtuesit komunistë,
që vepronin në qytet. U mbajtën disa fjalime entuziaste dhe kur masa e njerëzve
do zbriste poshtë bulevardit, drejt Bashkisë (sot Pallati i Kulturës), nga
rruga që vjen prej shkollës Th. Gërmenji, u shfaq një autoblindë italiane e
cila mitraloi pa paralajmërim mbi turmën. Ata që kanë përjetuar atë masakër,
kanë përshkruar ato minuta tmerri, ku njerëzit kositeshin, vraponin për të shpëtuar,
shtyheshin, shkelnin mbi njëri tjetrin, deri sa të shtënat mbaruan dhe filloi
tmerri tjetër i të qarave mbi turpat e plagosur apo ato pa jetë.
Jo
vetëm në Shqipëri, që nuk ka ngjarje të ngjashme, por as në vendet ballkanike.
Nga numuri i të vrarëve në një demonstrim paqësor, ajo mbetet në më të mëdhatë
e Luftës së Dytë Botërore.
Por
jo vetëm sot, që rrallë e përmend kush, por edhe kur ishim fëmijë, e nuk mbetej
episod i vogël i Luftës pa u kujtuar me fanfara, për të flitej pak. Kishte
zëra, që për lënien në heshtje, përmendin faktin, që Demonstrata ishte
organizuar pa u marrë miratimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe për të më vonë
ishin kritikuar organizatorët. Gjatë viteve të fundit, kam dëgjuar të tjera
teori "komplotiste". "Askush nuk pa dhe nuk i zuri ata që ishin
brenda autoblindës, e cila mund të ketë qënë e vjedhur dhe e përdorur nga
shqiptarë, sepse në dokumentat e ushtrisë italiane nuk figuron urdhër i dhënë
për daljen e saj dhe vrasjen e njerëzve!!" Unë nuk ju ze besë teorive
komplotiste, sepse ka një fakt, që më 9 shtator, Badolio ende nuk kishte
dërguar urdhrin e kapitullimit në komandat
brenda e jashtë Italisë. Aleatët e kishin shpallur marëveshjen e firmuar
pa vënë në dijeni pakën italiane. Pra komanda italiane në Korçë mund të ketë
vepruar me logjikën e luftës, ose më mirë me katillëkun e atij që po shkon
drejt humbjes. E megjithatë, heshtja e komunistëve pas ardhjes në pushtet dhe
moszbardja e plotë e ngjarjes, duke përfshirë emrat e atyre që urdhëruan dhe
ekzekutuesve le vend për të krijuar lloj lloj teorish.
Të
vrarët e 9 shtatorit, kanë 70 vjet që janë larguar nga kjo botë. Të pakët mund
të jenë edhe ata, që u plagosën atë ditë. Jetojnë ende familjarët e tyre, që jo
vetëm nuk dinë saktësisht se çka ndodhur, por nuk kanë as edhe një memorial të
saktë, ku të shkojnë e të venë lule a të ndezin qirinj për të dashurit e tyre.
Më kanë thënë që në sheshin dikur të lagur nga gjaku i tyre është ngritur një
shatërvan jo për tu pasur zili dhe çdo natë këndohen serenata ordinere.
Të
paktën një ditë në vit të këndohet një "Ave Maria" për shpirtrat e
tyre!
Për
të mos harruar!
No comments:
Post a Comment