Ne mbushim hapësirën
Dhe jetët tona
Me një balsam të vjetër,
Nën tuma fisesh zbuluar.
Ti mendoje se doje një tjetër,
Unë të kujtoja të larguar.
Dhe aq i çuditshëm
Lëngu çudibërës,
I rrjedhur skeletësh
E në të bronxët enë mbledhur
Duket se njihemi prej jetësh
Cartim si dy të rrjedhur.
Sa shumë dashuri u fsheh
Në indet e të parëve tanë.
Ndjenin,
Ndrydhnin,
Ndernin
Dhe flijonin në të marrëzisë altar
Udhët dhe ujrat mernin
Deri sa fundi i mblidhte
Në të përbashkët varr.
E toka që çdo gjë tret,
Eshtrat,
Armët,
Papirusët
Stolitë
Nuk e bëri dot të vetën
Tek ne të dy e solli një ditë.
E si të dehur prej joneve që nuk zhduken
Qeshim,
Qortohemi,
Qajmë,
E puthemi sërish,
E pijmë nga balsami i vjetër
I mbledhur miriada dashurish.
No comments:
Post a Comment