Saturday, 14 September 2013

A ka rreziqe imininente ne Ballkan?


Dy vjet më parë, i shqetësuar nga kriza ekonomike dhe gjallërimi i nacionalizmit ekstrem në disa nga vendet ballkanike, shkrojta shënimin "10 vitet e ardhme të Ballkanit". Ende është i postuar në blog.

Shkaqet që më bënin të mendoja, se në vendet ballkanike do ketë turbullira jo vetëm lokale por edhe rajonale në dhjetëvjeçarin që vjen mbeten të pandryshuar, bile të keqësuara pas dy vjetësh.

·        Papunësia. Në të gjitha vendet ballkanike ka një rritje të papunësisë. Duke filluar me mbi 45% të Bosnjës e Kosovës, mbi 30% të Maqedonisë e Shqipërisë(burimet e huaja nuk pranojnë më shifrën zyrtare prej 13% të Shqipërisë) e duke e mbyllur me 26% të Serbisë e Greqisë.

·        Borxhi publik. Nga 160% e GDP-së tek Greqia e thuajse mbi 60% të GDP në të gjitha vendet e tjera, përbën një rrezik të përhershëm për përplasje sociale, për shkak të mosngritjes së pensioneve, shkurtimeve në arsim dhe shëndetsi dhe shërbime të tjera publike.

·        Korrupsioni. Të gjithë vëzhguesit e huaj bashkohen në mendimin se korrupsioni pas krizës së vitit 2008 ka ardhur duke u rritur. Edhe pse nuk ka tregues të saktë me të cilët korrupsioni mund të matet, të gjithë popujt ballkanikë e perceptojnë të rritur me sllovenët në nivelin më të ulët e malazezët e shqiptarët në atë më të lartin.

·        Problemet ndëretnike. Mbeten tradicionalet pa patur ndonjë ashpërsim që vlen për të shënuar.

·        Krimi i organizuar. Në rritje dhe gjithnjë e më tepër i gërshetuar me pushtetet, sidomos ato qëndroret.

E megjithatë, duke i shtuar edhe pesimizmin me të cilin ballkanasit e shohin të ardhmen familjeve dhe vendeve të tyre, në vendet Ballkanike nuk ka turbullira. Edhe partitë nacionaliste ekstreme nuk kanë ndonjë rritje në mbështetjen e tyre në popullsi gjatë viteve të fundit.

Në çdo rajon tjetër të Europës tregues të tillë do ishin një recetë e përkryer për përplasje shoqërore apo ndëretnike. Por në Ballkan kjo nuk po ndodh. A vjen kjo se popujt e ish Jugosllavisë janë të lemerisur nga luftrat dhe gjithashtu shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë harruar ende tmerret e vitit 1997? Edhe mundet.

Si për ironi të fatit, studiuesit europianë nënvizojnë se mungesa e turbullirave lidhet me prapambetjen e vendeve ballkanike! Pra le të themi që prapambetja e viteve nën Perandorinë Otomane dhe më pas nën regjimet komuniste qënka edhe ajo që na shpëton!

Eshtë e vërtetë që mungesa e sindikatave apo organizimeve të tjera të ngjashme bën që të mos ketë demonstrime të vazhdueshme anti-qeveritare, qofshin edhe paqësore. Por deri kur do mbajë kjo? Apo do shkojë gjendja deri pranë "pikës së vlimit" e më pas do shpërthejë në drejtime të paparashikuara?

Edhe këtu,  sipas vëzhguesve europianë, na vjen në ndihmë një cilësi e trashëguar nga shekujt e fundit. Apatia dhe mosangazhimi shoqëror. Kjo cilësi dominon në të gjitha vendet Ballkanike, përjashtuar  Greqinë.

Atëhere le të përsëritim pyetjen e vënë në titull. A ka rreziqe iminente?

Duket që jo.

Edhe për disa vite të tjera do vazhdojë e njëjta gjendje e mjerë ekonomike, me papunësi të lartë dhe me një të pestën e popullsisë nën nivelin e varfërisë dhe gradualisht(ose më mirë shumë gradualisht) shtresat më të prekura të shoqërisë do fillojnë të solidarizohen e të bëjnë përpjekje për ndryshim. Në të njëjtën kohë, familjet e pasura e të pushtetshme(kupolat) do jenë në gjendje të frenojnë lëvizjet ekstremiste të djathta, që mund t'ju hapin avaze në ndryshimin e kësaj gjendje të amullt.

Tani për tani le të brohorasim:

Rroftë apatia!

No comments:

Post a Comment