Më
vonë kuptova se Kushtetuta (e një shteti) nuk është gjë tjetër, veçse marëveshja
mes shtetarëve se si ta organizojnë shoqërinë brenda kufijve të tyre. Edhe kjo
më dukej pak si e çuditshme, se shtetarët e kanë më të lehtë të grinden se të
merren vesh, por marrëveshjen, që të mos ketë edhe gozhdërrënës edhe
potkojrrënës, e bëjnë ata që quhen Baballarë Kushtetues. Ne ose sepse nuk
kishim të tillë, ose sepse togfjalëshi Baballarët e Kombit ishte baltosur nga
komunistët, për të bërë marrëveshjen kërkuam ndihmën e Xhaxhallarëve të
Venecias. Po si çdo e keqe edhe kjo e Xhaxhakeve ka të mirën e saj. Nuk kemi
pse të përmendim vend e pa vend Baballarët Konstitucionalistë, si bëhet në
vende të tjera, kur grinden për të bërë ndryshime në marëveshje. Ne shumë shumë
mund t'i heqim njëri tjetrit një të sharë: "Ik ore antikushtetues!"
Dhe kjo është si të të thonë tradhëtar i Sovranit. Sovranit që jemi ne vetë.
Sovranit që flet rrallë e për mall, por kur flet ama të të tërë bëhen sus! Foli
Sovrani! E dëgjon këtë fjali të shkurtër dhe të bëhet lëkura si e pulës. Se
kështu jemi marrë vesh dhe e kemi shkruar në Kushtetutë. Të nderojmë Sovranin e
të dridhemi para tij. Deri sa të bëjmë një marëveshje tjetër, atë që shpreh të
vërtetën e sotme me një nen të vetëm:
"Ik
o pirdhu me gjithë Sovran!"
No comments:
Post a Comment