Friday, 20 September 2013

Dasma

Shtatori është muaji i dasmave. Të paktën për "vendin tënë".

Në shtator janë vjelë thuajse të gjitha dhe në kazane zjehet rakia e re. Bujqit e lodhur nga punët e shumta të pranverës e verës janë gati për të festuar martesat e fëmijëve. E të dëfrejnë një javë të tërë. Shtatori për ne është Vjeshtë e Parë dhe për këtë arsye shkrimtari ynë i madh Is ka shkruar diku "Vjeshta gjethet ju ndron pemëve/ Vjeshta mbiemrat ju ndron vajzave". Is ka shkruar edhe një roman të titulluar "Dasma", por nuk e kam lexuar dhe nuk di çtë them për të. Më ka shpëtuar çuditërisht edhe filmi "Përse bie kjo daulle", i bazuar mbi atë roman. Edhe vetë kandidati i çmimit Nobël e quan gati të pavlerë. E megjithatë, ata që e sulmojnë, ja përmendin herë herë si nën ndikimin e Revolucionit Kulturor kinez. Edhe para disa ditçsh, një gazetë kishte botuar nje shkrim të Martin Camajt të shkruar në kohën e botimit të romanit. (Më shumë se të dëmtonin figurën e Is, me shkrimin e botuar tregonin një nivel jo shumë akademik të Camajt.)

Po le t'ju kthehemi daulleve, currleve e gajdeve dhe mos merremi kot me grindjet që nuk i ndahen letrarëve dhe letërsisë. Se në muajin e dasmave grindjet lihen mënjanë e njerëzit ftojnë për të gëzuar edhe kokëmënjansit e tyre Ka edhe ndonjë qejfmbetje të vogël për vendin e caktuar në sofër, por më pas vazhdohet me mish të pjekur, raki dhe valle, shumë valle. Kështu e kremtojnë njerëzit tanë përtëritjen e jetës. Mes avujsh alkoli, kartmonedhash të ngjitura me pështymë mbi ballet e sazexhinjve, arturinash ne gushet e grave, këmishë të djersitura burrash, deri sa sipas moshës, dasmorët largohen grupe grupe dhe arrin mëngjesi pasdasmor.

Të gjithë kanë harruar të paktën për një natë krizën!

Një në tre dasmorë ka harruar për një natë, që nuk mund të shkojë në punë.

Një në pesë syresh ka harruar për një natë, që ka për të shlyer paratë që ka në listën e shitësit të ushqimeve.

Rrofshin dasmat!

Cifti të trashëgohet!

No comments:

Post a Comment