"Optimumisti"
i sotëm mund të jetë i diplomuar, mund të jetë pronar i një biznesi edhe pa
bërë studime të larta. Edhe për të filozofia e jetës është gara për të arritur
suksesin. Por në dallim nga Maksimalisti, heroi i kësaj pjese të dytë të
shënimit, kërkon të jetë sa më racional në mënyrën se si i harxhon burimet e
tij financiare apo edhe energjitë e tij fizike e mendore. Ai kërkon të arrijë
maksimumin e mundshëm me minimumin e harxhit(Ju mund të thoni që në natyrë nuk
ekziston një gjë e tillë, por ekziston në shoqërinë njerëzore, e cila nuk i
nënshtrohet 100% ligjeve të Natyrës.) Nga natyra, Optimumisti nuk është
revolucionar, por edhe konsevator nuk mund ta quajmë. Ai nuk do të rrezikojë
mirëqënien e tij për asgjë në botë, por pak i bëhet vonë nëse "efekti
serë" është në rritje apo nëse shpenzimet për armatimet në botë rriten.
Bile, nëse ka para për të investuar në bursë mund të blejë aksione të kompanive
që prodhojnë materiale luftarake pa brejtje në ndërgjegje. "Paratë nuk
mbajnë erë." -është shprehje e tij e preferuar. Për të familja është gjëja
më e shenjtë dhe sidomos mirëqënia e saj, që duhet arritur me sa më pak mund,
duke bërë kompromise të çdo lloji dhe duke ndjekur me vëmendje korrentet
ekonomike, politike dhe administrative.
Optimumisti
edhe mund të ndjekë një karrierë profesionale dhe politike, por e bën në mënyrë
të kujdesshme, pa u ngutur, pa dashur "të shkelë në dërrasë të
kalbur".
Optimumisti
jeton në një banesë komode dhe zakonisht ka edhe nje shtëpizë pushimi. Nuk
është i prirur të tradhëtojë bashkëshortin/en, por nëse mund ta bëjë pa u
ndjerë dhe me pak shpenzime, nuk heziton. Lexon mbi të gjitha gazetat dhe
revistat duke dashur të jetë i informuar rreth çdo gjëje që ndodh në jetën e
përditshme e që mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në mirëqënien e familjes së
tij. I përdor me kujdes burimet energjitike dhe natyrore, por jo se merakoset
shumë për brezat e ardhshëm, por se do të jetë sa më racional në shpenzimet
mujore. Kur fle hoteleve i hap të gjitha dritat dhe i le hapur rubinetat e ujit
e dushit, për të shfrytëzuar në maksimum paratë që ka paguar. Eshtë kureshtar
për teknologjitë më të fundit, sidomos ato që lidhen me objektet për përdorim
të përditshëm. Zakonisht ka hobi gjuetinë dhe peshkimin.
No comments:
Post a Comment