Sunday, 22 September 2013

Fundi i arkitektures


 
Do vijë një ditë,

Kur liria do shtrihet përmasash,

Dhe nuk do duhen më

Mure,

            Plane të qelqtë,

                        Shkallina rrethore,

Madhështi të rreme faraonësh,

Buduare magjepës putanash.

 

Do vijë dita e amëshuar,

Kur nuk do duhen strehët,

Se mes natyrës së virgjër

Do luajmë ne bijtë e saj të mirë,

Pa u dashur të kopjojmë Arsyen,

Arsyen e gjithësishme,

A të Rastësive Shumatore,

Që ngjiz Mrekullitë, që shkojnë e vijnë.

 

Ajo ditë do zbresë,

Kur si bimët të ndjejmë,

E pa flatra të ngrihemi ajrish

Pa dashur të kërkojmë të tjera botë,

E për të mposhtur vdekjen

Të lodhemi me krijime mrekullish,

Spirale metali,

            Ura varur ylberesh,

                        Tempuj kristali perëndish.

Të zbresë ajo ditë kur bij të jemi,

Më tepër se zotër.

 

 

No comments:

Post a Comment