Kam dashur te di pershtypjen qe kishin koleget per babane, si edhe te mesoja ndonje ngjarje qe lidhej me te dhe nuk ma ka treguar. Keshtu, para se te largohesha ne emigracion, bisedova gjate me shkrimtaret Mico Kallamata dhe Kristaq Balli, me nje nga folesit e pare te Radio-Korces Piro Katron. Me te njejten dashamiresi biseduan me 2004 me mua akadamiku Zija Xholi dhe shkrimtari Teodor Laco, ndersa poeti Vangjush Ziko me dergoi ne fillimin e viteve 2000 nje shkrim te gjate per babane. E njejta dashamiresi ndjehet edhe ne shkrimin e meposhtem te Kostaqit. (Po bej vetem nje saktesim te vogel-nShtepia e Kultures ate kohe quhej "Ali Kelmendi".
E kush nga
bashkëmoshatarët e brezit tim, qe tashmë po u afrohet 60-të viteve nuk e sjell
ndërmend atë godinë dy katëshe të Radio Korçës, paksa në hije, në një nga rrugët
që bashkohej me bulevardin “Republika”?! Xhirimet në të të filmit “Gjeneral Gramafoni” sigurisht e bënë
të njohur dhe për të tjerë jashtë Korçës. E pra ajo godinë e thjeshtë, prej ku
përcilleshin lajmet e kohës , përrallat
e tregimet për fëmijë, këngët e vjetra melodioze të korit të këngëve
karakteristike “Lira” tërhiqte e ngacmonte fantazinë e adoleshentëve dhe të
rinjve, veçanërisht të ëndramëdhenjve të pasionuar për letërsi e art. Si bëhen
emisionet? Si incizohet zëri? Cila është ajo gruaja që flet aq bukur, po ai
burri me atë zë të ngrohtë si komunikon
me njerëzit? Ndonjë që kish pasur rast të hynte, fliste, për dyer e mure të veshura, me” dyshekë” , për dritare të çuditëshme etj, etj…Fantazia
më rrëmbeu dhe mua me dëshirën për të
hyrë e pse jo për t’u bërë i afërt me ata që “prodhonin” magji e zëra të
magjishëm.
Rrugën drejt
godinës magjepëse të Radio Korçës me sa dukej do ta çelte aftësia ime për të
recituar. Me vjershën e Naimit “Gjuha jone”, 12-13 vjeçar, isha pjestar në
pjesën teatrore kushtuar traditave arësim dashëse dhe liceistëve, shkruar nga
Vangjush Ziko e vënë në skenë nga rregjisori Sokrat Mio…Herë, herë ende fëmijë
recitoja në pallatin e kulturës “ Vangjush Mio” Dhe keshtu u njoha dhe me
shkrimtarët e poetët e qytetit tim mes të cilëve dhe me atë burrin serioz,
autoritar në pamje të parë , tregimtarin dhe redaktorin e Radio Korçës Andon
Mara.
Isha djaloshi më i lumtur i qytetit kur shkrimtari Andon
Mara më ftoi të recitoja para
mikrofonit të radios një nga poezitë që unë kisha shkruar ato kohë.
Gati me vrap e
bëra rrugën nga shtëpia ime, thuajse në periferi të qytetit (për atë kohë se
tani me zgjerimet vija ndarëse eshtë çuar tej) deri në rruga e qetë që dilte në
bulevardin e madh ku ngrihej godina misterioze e Radio Korçës. Me ndrojtje hapa
derën e jashtëme e ngjita shkallët. Në korridor ishte një heshtje e plotë. I
hutuar e paksa me një ndjenjë frike e ndrojtje shikoja përreth. Vinte një aromë
e një mjedisi të mbyllur ku dielli rrinte larg e ajri qarkullonte ngadalë a thua
për të mos prishur natyrën misteriozeve të zërave që përhapeshin tej. Ku s’më
çonte fantazia në ato momente?! Një burrë i shkurtër, zeshkan me disa
shkresa npër duar më doli papritur
përpara dhe më tha përse kisha ardhur? I thashë: Më ka ftuar shkrimtari Andon
Mara për të recituar një poezi që kam shkruar vetë. Fjala shkrimtar m’u duk
më e përshtatëshme se fjala redaktor. E
ndjeva se te kuqtë po më përvëlonte fytyrën. Vonë mësova se ky burri paksa i
shkurter ishte drejtori i Radio Korçës, Jani Mulo.
Pas pak nga një
derë që u hap pa zhurmë doli shkrimtari Andon Mara. Me një buzëqeshje të lehtë
më ftoi ta ndiqja pas. Hymë në studion e inçizimeve, paksa e ftohtë, me një ndriçim të zbehtë . Andoni më tha me
një zë te ulët të ulesha para mikrofonit vendosur mbi një tavolinë të zbrazët.
S’isha veçse një adoleshent ëndërimtar i “marrosur” pas mrekullive joshëse të
artit kinematografik, teatrit, radios, artistëve në tërësi. Tani, tani
shkrimtari e redaktori Andon Mara po me vinte mua në “provë” para mikrofonit të
interpretoja poezitë e shkruara vetë. Zëri im tani do të përzihej me shumë zëra
të tjera prej kësaj studioje magjiplotë. Ndjeva një frikë, vetmi, si i lënë mes shkretëtirës. Andoni pa u
ndjerë ishte larguar. Përtej xhamit të madh ndarës mes teknikëve të radios Tasi
Kanxheri dhe Vasil Dishnica, Andon Mara po ma bënte me dorë që të filloja të
recitoja. Unë e kapa këtë pak me vonesë..Andoni ripërsëriti me dorë me një
fytyrë të akullt, të përmbajtur, gjestin e fillimit të interpretimit. Këtë
radhë vëmëndja ishte rezultative.Me emocion por edhe siguri nisa të
interpretoja. Kur mbarova teknik Vasili përtej më përshendeti duke tundur
dorën.Tasi në heshtje nisi të merrej me aparatin.
Unë prisja me
padurim çdo të më thosh shkrimtari Andon Mara. Dhe ai erdhi para meje sa dola
nga studioja. Serioziteti karakteristik që dukej në gjithë qënien e tij ndërroi
ngjyrë pas një buzëqeshjeje shoqëruar me dhënien e dorës dhe fjalët përgëzuese:
Mirë, shumë mirë si fillim. Do mesohesh me mikrofonin me kohë. Dëgjoje poezinë
në emisionin e fëmijve.
Oh atë ditë unë
isha djaloshi më falum i Korçës.
Do të kalonin
vite. Para mikrofonit do të qëndroja dhe shumë herë të tjera si krijues e
gazetar. Dhe ne çdo rast do të më vinin imazhet nga ajo dita e pare, nga takimi
me shkrimtarin e redaktorin veteran të radio Korçës Andon Mara. Duke e njohur
më nga afër në takimet në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku për
një kohë ai ishte sekretar apo më vonë si koleg kur unë punoja redaktor në
gazeta lokale përforcova përshtypjen e ditës së parë të takimit: Përtej pamjes
se ftohtë, të akullt fshihej një botë e trazuar e ngarkuar me emocione. Kjo
botë ravijëzohej në zërin e tij kumbues, në kronikat me ngjyrë, në emisionet
për kulturën në pathosin herë herë më nervozizëm, në diskutimet shpesh pa fund
e pa qartësi mes shkrimtarëve dhe artistëve. Tek kthehej i menduar nga puna,
duke ecur bulevardit për tek apartamenti i tij përballë pallatit të kulturës
dikush edhe mendonte : sa i heshtur ky njeri, edhe fletet e pemëve nuk ndjejnë
hapat e tij. Por..kjo ishte dukja. Bota e trazuar e njeriut që mendonte shumë e
krijuesit dhe gazetarit vlonte e vlonte pa pushim.
No comments:
Post a Comment