Me plot dëshirë, nëse do kisha një revistë me emër në botën
shqiptare, personazhin e vitit do shpallja Ballist Morinën. Me një veprim jo të
dhunshëm, të menduar dhe të realizuar në mënyrë të përsosur, djaloshi nga Tetova
‘çorbaviti” gjithë ballkanin dhe ju prishi gjumin jo vetëm politikanëve serbë
dhe shqiptarë por edhe Papuliasit, Venizellosit, baroneshës Ashton, Platinisë,
Blaterit, Kristiano Ronaldos, e ndoshta edhe deri tek Vladimiri i Tmerrshëm, që
pritet këto ditë në Beograd. Reagimet dhe jehona i tejkaluan ato ç’mund të
kishte menduar ‘bubuleshi” nga një qytet shqiptar, ku të drejtat e shqiptarëve
janë shkelur vazhdimisht.
Po le t’i lemë të huajt në marrëzitë apo gjakftohtësinë e
tyre dhe le të merremi me festën e politikanëve tanë të asaj nate dhe të ditëve
në vijim.
Po a kishte për të festuar mbrëmjen e 14 tetorit? C’farë
festohej në Tiranë, ku nxituan të mos mbeten pas edhe politikanët tanë?
Sipas autorit të rrymës së “nacionalizmit elokuent”, Spartak
Ngjelës është festa e “…një epoke të re e cila ka nisur me
flamurin real shqiptar, territorin real shqiptar dhe me dy figurat e historisë
reale të Shqipërisë moderne: Ismail Qemali dhe Isa Boletini, të valëvitur në
Beograd. “
Me një fjalë, ne nuk festuam as lojën e mirë të kombëtares
sonë, as sjelljen e qytetëruar të futbollistëve, as mbrritjen e tyre shëndoshë
e mirë në aeroportin e Beogradit, por “epokën e re me flamurin real”!
Këtë kanë pasur në mendje edhe qeveritarët , që nxituan në
Rinas, Basha që ju në mes të natës një titull nderi dhe Nishani, që i priti
menjëherë, pa ju bërë kurrë më parë pritje. Të gjithë “Nastradinët” e politikës
shqiptare nxituan të hyjnë në strehën komode të nacionalizmit. Harruan, që
pamjet e festimeve, stonojnë me sjelljen e matur të futbollistëve tanë në
Beograd. Për më tepër, mund të shërbejë si shkas, që politikisht të vlerësohemi
po njëlloj si Sërbia, kur kjo e fundit me politikanët e saj miopë dhe të tërbuar,
la një përshtypje gati mesjetare tek opinion ndërkombëtar.
E megjithatë, nuk do merakosesha kaq shumë nga sjelljet e
politikanëve tanë, të cilët dihen se cilët janë dhe nuk mund të presësh prej tyre
as gjykim të ftohtë dhe as vetpërmbajtje. Me përjashtime të rralla, gjithë
gazetarët dhe analistët i rëndojnë ngjyrave emocionale të “shqipeve”, ‘simboleve”,
“serbëve vrasës” e të tjera si këto. Por edhe në mediat sociale ka thirrje të
hapura nacionaliste, ekzaltim, cilësim të sërbëve si “barbarë“ apo “të mbetur në
epokën e dyndjeve”, evokim të padrejtësive, që na janë bërë në shekuj e broçkulla
të tjera si këto, me të cilat janë mbushur gjithë tekstet e historisë të
shkollave bullgare, serbe, shqiptare, greke, maqedonase, malazeze, rumune e
kroate.
Flamuri me drone “ i emocionoi” të gjithë. Sidomos ata që
emocionohen lehtë se duan apo se nuk kanë shumë mend, por vetëm instikte.