Urimet më të mira për autorin dhe ata, që janë angazhuar në
të!
Ngjarje të tillla, në përmasa të mëdha apo të vogla duhen përshëndetur
sepse e mbushin jetën kulturore të qytetit. Arturin e kam pasur shok fëmijërie,
por për shkak se botimet e tij janë të kohës kur jetoj larg vendit nuk kam
mundur t’i lexoj për të krijuar një përshtypje rreth llojit të poezisë që lëvron
apo edhe për cilësinë e saj. E megjithatë, duhet të pranoj se opinioni im rreth
tyre do jetë thjesht opinioni i dikujt që e pëlqen poezinë dhe aspak më tepër.
Ngasjen për shkrimin ma dhanë disa reagime të njerëzve në
mediat sociale, që duke përmendur me emër ose jo autorin, aludojnë se po glorifikohen
vepra mesatare (apo mediokre) të poezisë.
Së pari autori dhe ata që kanë ndihmuar në realizimin e
spektaklit duhen lavdëruar për guximin, përpjekjet, dëshirën e mirë dhe
realizimin e shfaqjes. Kërkon mund. Dhe është ku e ku më mirë se dhjetra
veprimtari historike apo pseudo-kulturore që mbahen anëembanë Shqipërisë. Për më
tepër, kur është siguruar pjesëmarja e aktoreve me nivel mbi mesatar si Yllka
Mujo dhe Ema Andrea.
Së dyti, në veprimtari të tilla njerëzit e zakonshëm afrohen
pranë poezisë, që është jo vetëm një gjini mijravjeçare, por që ka një rënie të
leximeve në botë dhe akoma më shumë në Shqipëri.
Së treti, duke cituar Kadarenë, letërsija ka nevojë edhe për
autorë dhe vepra mesatare. Janë ata që përbëjnë bazën e letërsisë botërore dhe
ku rrallë herë shfaqen shkëndijat dhe kulmet e gjenijve. Në një vit me “Luftën
e Paqen” janë botuar me qindramijra libra në botë, që kanë mbushur nevojën
shpirtërore të njerëzve për art. Sigurisht që shumica dërmuese kanë qënë të dobët,
por është më mirë që njerëzit të lexojnë edhe letërsi “surrugato”, se sa të
mbeten duke pirë kafeneve apo duke vënë baste ndeshjesh hokei në Amerikë.
Ndaj marrjes me letërsi, si gjithë jetën do ngrihen më të
pashkolluarit dhe më të pakulturuarit. Zakonisht nisin me shprehjet “E mo ai është
pjerdhur nga mendtë se shkruan romane!” Në një nivel tjetër janë ata disi më të
shkolluar, që edhe pse lexojnë pak ose aspak thonë: “Po
ç’ne ai nga doktor na doli poet!” dhe deri sa përfundon në gjasme të
kulturuarit, që kujtojnë se kanë monopolin për vlerësimin e veprave të të tjerëve
dhe i klasifikojnë pa hezituar si mizerabël, të dobëta apo mediokre. Këto
ndodhin shpesh për fat të keq edhe në rrethet e letrarëve ose të atyre që e kanë
për zanat shkrimin.
Të pakët janë ata që kanë kurajën të thonë se filan vepër e
fistëk autori nuk vlen se ka këto e këto të meta, por mjaftohen duke i quajtur
me përbuzje të dobëta.
Letërsia dhe veçanërisht Poezija janë edhe një çështje
shijesh ndaj duhet edhe më shumë kujdes të shpallësh si të pavlerë një libër që
nuk të pëlqen.
Ka edhe një dukuri tjetër në letërsinë e krijuar nga autorët
e qytetit tonë gjatë shekullit të kaluar. Thuajse mungojnë tërësisht poetët mbi
mesatarë. Gjatë një shekulli të tërë, mund të mos ketë pasur asnjë poezi apo
poemë, e shkruajtur nga një korçar, që njihet dhe recitohet nga një numur i madh
korçarësh. Njerëzit dinë përmendësh qindra vargje të rëndomta serenatash, por
asnjë poezi të mirëfilltë dhe të një niveli të lartë.
Edhe vetëm për këtë arsye, duhet përgëzuar Artur Balli dhe
ata, që e kanë mbështetur në veprimtarinë për të sjellë poezinë e tij pranë
njerëzve.
No comments:
Post a Comment