Në fillimet e shekullit të XX-të, nën ndikimin e artit
modern dhe sidomos për shkak të teknologjive të reja ndërtimore me beton dhe çelik,
zunë fill përpjekjet për të projektuar vëllime të pastra gjeometrike, të cilat
ndryshonin shumë nga mënyra se si ishin konceptuar më parë ndërtimet
relativisht të mëdha të mëparshme. Në qytetet perëndimore filluan të shfaqen
gjithnjë e më shumë paralelpipedët, kubet, sferat, piramidat e deri në konet,
si dhe kombinime të tyre. Format e reja, të pastra dhe interesante u pëlqyen
nga të gjithë dh eveçanërisht nga avangardat e arkitektëve dhe artistëve. Ishin
të parënduara në fasada, të qëndrueshme ndaj erërave dhe goditjeve sizmike dhe
më të thjeshta për të ndërtuar. Dukej se shekulli i teknologjisë, do kishte një
art të Hapësirës, që të kujtonte sa më shumë shkencën dhe teknologjinë.
Sigurisht edhe ideologjitë e kohës patëën ndikuar në këtë
konceptim racionalo-futurist të qyteteve. Ishin ideologji kryesisht totalitare,
që donin të vinin në qendër edhe njeriun, edhe fuqinë e shoqërive njerëzore
edhe triumfin e racionalitetit, para të cilit dukej se Zotat ishin mposhtur.
Ballkani ishte në periferinë e kësaj lëvizjeje, ndonëse në
Athinë më 1933 dhe në Dubrovnik më 1956 janë mbajtur dy kongrese të Shoqatës Ndërkombëtare
të Arkitekturës Moderne.
Detyrimisht, në Shqipëri, si në vendin më të varfër dhe më të
prapambetur të Ballkanit, konceptet e Arkitekturës Moderne dhe bashkë me to vëllimet
e pastra gjeometrike, do të hynin më vonë se në vendet e tjera të Europës dhe
Amerikës.
Ishin të pakët arkitektët shqiptarë para viteve ’30, kur Kubizmi,
De Stijl apo Shkolla e Bahaus-it ishin në shkëlqimin
e tyre. Si rrjedhojë edhe sikur të ishin shkolluar në perëndim, kishte pak të
ngjarë, që ato pak “kokrra” të ishin në avangardën e arkitekturës. Projektimi
tradicional me neo-klasiçizmin dhe Art Nuveau apo edhe stilet e traditës kombëtare
të një vendi ishin ende mbizotërues në shkollat europiane të Arkitekturës.
Gjithashtu, arkitektët e huaj austriakë, italianë dhe grekë,
që angazhoheshin nga investitorë privatë për projekte hotelesh, vilash ose
kompleksesh tregëtare, nuk ishin ndër më të mirët dhe më të përparuarit e
vendeve të tyre, ndaj dhe fryma moderne e stileve të rinj nuk mund të hynte aq
shpejt në Shqipërinë e Zogut.
Mungesa e arkitektëve të arsimuar në universitetet europiane
bënte, që me arkitekturë të merreshin jo vetëm “kallfët” (si në rastin e vëllezërve
Koçiu në Korçë), por edhe piktori Kol Idromeno në projektimin e “dugajeve të
reja” në Shkodër, apo poeti Gjergj Fishta në projektimin e disa kishave
katolike.
(vijon)
No comments:
Post a Comment